E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heroina e sekuestruar, Antidroga heton bashkëpunëtorët e tjerë

22/12/2008  Operacioni “Fusha e Zezë” u zhvillua para dy ditësh, u kapën 1,2 kg drogë

TIRANË- Pak orë pas sekuestrimit të një kg heroine në kryeqytet, policia nisi hetimet për të zbuluar anëtarët e tjerë të rrjetit të marrjes dhe shpërndarjes së drogës. Agjentët dhe oficerët e Antidrogës, për të gjetur pjesëtarët e tjerë të këtij kryen hetime aty ku e kishin nisur operacionin, pra tek personat që furnizoheshin prej tij. Edhe arrestimi i Binak Dobrushit erdhi si pasojë e marrjes në pyetje fillimisht të disa përdoruesve të heroinës, të cilët treguan se nga kush e merrnin drogën e më pas tek personat e tjerë që furnizoheshin nga Dobrusha. Ende nuk jepen detaje të këtyre hetimeve, por në ditët në vijim priten arrestime të pjesëtarëve që bashkëpunonin me personin e arrestuar. Sakaq, për furnizimin e drogës agjentët nuk kanë arritur të marrin ndonjë informacion të rëndësishëm. Sasia prej 1 kg e 200 gr lëndë narkotike heroinë u bllokua dy ditë më parë falë një operacioni të mirëorganizuar i koduar “Fusha e Zezë” i realizuar nga seksioni kundër drogës pranë policisë së kryeqytetit. Agjentët arritën të sekuestrojnë sasinë prej 1 kg e 200 gram lëndë narkotike e dyshuar heroinë si dhe vendosën në pranga të shtetasin Binak Dobrushi, si mbajtës dhe shitës të saj. Mbi bazën e posedimit të shumë informacioneve operative, përgjatë një periudhe 2-javore hetimi u mundësua identifikimi dhe kapja e 48-vjeçarit Binak Dobrushi, banues në Tiranë. Nga tërësia e veprimeve hetimore, duke realizuar këtë operacion me metodat speciale të hetimit u arrit kapja e të sipërcituarit në afërsi të shkollës “Dhora Leka” pranë (Fushës së Aviacionit) Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u sekuestrua sasia prej 800 gram lëndë narkotike e llojit heroinë, ndërsa sasia prej 400 gram lëndë ju sekuestrua përgjatë kontrollit personal të ushtruar. Ndaj tij u mor masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, vepër penale kjo e parashikuar nga neni 283 të Kodit Penal. Nga marrja në pyetje e disa përdoruesve dhe shpërndarësve të vegjël të heroinës priten të tjera arrestime nga ky seksion, i cili ka shtrirë hetimet edhe tek disa lagje të tjera të kryeqytetit, ku ka informacione për shpërndarje të drogës.

Kritikat në analizë

Vetëm pak ditë më parë seksioni i Antidrogës u kritikua nga drejtuesit e policisë në analizën njëvjeçare. Shpërndarja e drogës në shkollat e vendit, sipas zv/drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ishte një ndër problemet më shqetësuese të shoqërisë dhe nevojitej më tepër punë për të normalizuar situatën. Sekuestrimet e pakta të drogës dhe shqetësimet që vijnë nga mësuesit e shkollave të mesme, por edhe ato 9-vjeçare për përdorim droge nga ana e nxënësve ishin disa nga arsyet që Antidroga u kritikua në analizë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›