Kapexhiu: Si kuptohet bota kur mungon një shqisë?!
“Shenja mbi ekran”, premiera e cila u dha zë, dritë dhe energji rreth 100 mijë personave me aftësi të kufizuar. Tre regjisorë, Kledi Kapexhiu, Ibrahim Muçaj dhe Erand Gjermeni kanë shfaqur mbrëmë një cikël me katër filma të shkurtër e një dokumentar përshkrues të projektit të tyre. Gjithçka filloi si një leksion dymujor, ndërsa përfundon në një projekt audioviziv, ku tre regjisorët janë kujdesur për personat që nuk shohin, personat që nuk dëgjojnë dhe invalidët paraplegjikë. “Ky projekt lindi si një dëshirë e jona për të kuptuar se si e shohin botën njerëzit me aftësi të kufizuara, si lëviz bota e njerëzve me aftësi të kufizuar. Mbi të gjitha donim t’u jepnim mundësinë të flisnin me gjuhën filmike, e cila është një gjuhë që mund të flasë shumë më tepër se fjalët, apo tingujt”, - shprehet regjisori i ri, Kledi Kapexhiu, duke shtuar se me anë të këtij projekti ata kërkojnë të sensibilizojnë komunitetin dhe shoqërinë për problemet e personave me aftësi të kufizuar. “Donim të tregonim se si kuptohet bota kur mungon një shqisë, apo si arrijnë të reagojnë shqisat e tjera e si arrijmë ne të komunikojmë me ta”, - thotë Kapexhiu. Projekti është mbështetur financiarisht nga ambasada holandeze, ndërsa sekretarja e dytë pranë kësaj ambasade, N. Rojtër, thotë se “ky projekt është krijues dhe komunikues në të njëjtë kohë. Ideja jonë ishte të krijonim një marrëdhënie me personat me aftësi të kufizuar dhe shoqërisë, sensibilizimin e kësaj të fundit për përgjegjësinë që ka kundrejt tyre. Duam të krijojmë një mjedis sa më të kuptueshëm e gjithëpërfshirës, e për të përmirësuar kualitetin e jetës së tyre dhe aksesin në aktivitete të ndryshme”. Protagonistët e filmave janë vetë personat me aftësi të kufizuar, mes tyre edhe përfaqësuesi i personave invalidë paraplegjikë, Ilir Kasa, i cili këtë përvojë e shikon si një rrugë ndërgjegjësuese në publik. “Është një përvojë shumë e bukur për mua, që nëpërmjet këtij projekti ne kemi mundësi të shprehemi, të tregojmë se edhe ne jemi dikush po aq të mire sa edhe të tjerët”, - thotë ai.