E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kapitalizmi ka degjeneruar, duke marrë trajtat e një kazinoje"

Fituesi i çmimit "Nobel", Muahamed Junus, thotë se është babëzia ajo që shkatërroi sistemin financiar botëror. Në intervistë sqaron konceptet personale mbi motivet që qëndrojnë pas fitimeve, ndërgjegjen shoqërore dhe atë që duhet bërë për t‘i dhënë fund krizës globale.

Zoti Junus, për vite predikoni për më shumë ndërgjegje shoqërore në biznes dhe e keni denoncuar prirjen për maksimizimin e fitimit si shumë të dëmshëm. Tani i gjithë sistemi financiar po bie copash...

Ngjarjet aktuale më trishtojnë. Sigurisht që nuk më bëjnë të ndihem mirë. Kolapsi ka dëmtuar shumë njerëz dhe brenda një çasti ekonomia botërore humbi stabilitetin. Duhet të gjejmë rrugët që një krizë e tillë të mos përsëritet më.

Çfarë duhet bërë?

Sistemi financiar aktual ka gropa gjigande, të cilat duhen mbushur. Duket qartë se tregu nuk është në gjendje t‘i zgjidhë vetë këto probleme dhe njerëzit u janë drejtuar qeverive për ndihmë. Kjo nuk është shenjë e mirë, pasi tregon që besimi në tregje është zhdukur. Për momentin, për fat të keq nuk ekzistojnë opsione të tjera veç atij të ndërhyrjes nga ana e qeverive. Dhe kjo është metoda që po përdoret aktualisht. Amerika miratoi një paketë ndihmëse prej 700 miliardë dollarësh. Edhe qeveria gjermane po ndërmerr veprime tepër aktive.

Ku e shihni problemin e kësaj strategjie?

Ajo që dua të them është se duhen gjendur urgjentisht ato mekanizma tregu në gjendje të zbusin krizën dhe të zgjidhin problemet. Zgjidhjet duhet të dalin nga tregu dhe jo nga qeveritë.

Por sapo thatë se tregu nuk është në gjendje ta bëjë vetë këtë.

Pikërisht këtu duhet punuar. Për një kohë të gjatë, prioritetet kryesore kanë qenë maksimizimi i fitimeve dhe rritja e shpejtë - po ishte kjo që na solli këtë situatë. Çdo ditë duhet të vërejmë me kujdes nëse diku shënohet ndonjë rritje e rrezikshme. Po ta zbulojmë ku është, duhet të veprojmë me shpejtësi. Nëse diçka rritet me shpejtësi dhe jonatyrshëm, duhet ta ndalim. Përse kompanitë nuk derdhin të ardhura për llogari të një fondi i cili të mund të blejë asetet që bëhen shumë të rrezikshme? Unë arrij ta imagjinon një model të tillë biznesi.

Nga njëra anë thoni se tregu duhet t‘i zgjidhë vetë problemet, nga tjetra kritikoni rritjet e shpejta. Duket sikur mendoni se kapitalizmi me orientim nga fitimi ka dështuar.

Aspak. Kapitalizmi, me gjithë mekanizmat e veta të tregut, duhet të mbijetojë. Nuk kam asnjë dyshim në këtë pikë. Ajo që dua të nënvizoj është se sot gjendet vetëm një stimul në biznes, ai i maksimizimit të fitimeve. Duhet përfshirë edhe stimuli i të bërit biznes duke u qëndruar besnikë parimeve shoqërore. Duhen shumë kompani me synim jo arritjen e fitimeve maksimale, por që të garantojnë përfitime sa më të mëdha për gjithë njerëzimin.

Dhe mendoni se këta dy stimuj përjashtojnë njëri-tjetrin? Banka "Grameen" e themeluar nga ju - falë së cilës fituat çmimin "Nobel" në vitin 2006 - njëherësh gjeneron fitime të bollshme dhe u vjen në ndihmë njerëzve.

Është një kompani e fokusuar tek ardhja në ndihmë e shoqërisë që gjeneron edhe fitime, por nuk ka synim kryesor maksimizimin e fitimeve. Nuk jam për transformimin e të tëra kompanive të orientuara nga fitimi në operacione me natyrë shoqërore. Gjenden dy lloje të ndryshme kompanish - do ketë gjithnjë biznese, synimi i të cilëve do të jetë fitimi i sa më shumë parave të jetë e mundur. Këtu jemi në rregull. Por të fitosh sa më shumë të jetë e mundur, duhet të jetë veç mjeti për arritjen e një qëllimi, jo qëllimi në vetvete. Njeriu duhet t‘i investojë paratë në diçka domethënëse - e cila mund të jetë diçka në gjendje të përmirësojë jetët e të tjerëve.

E megjithatë, sa do e zbusnim krizën në rast se do shtonim numrin e kompanive të orientuara nga aktiviteti i ndërgjegjshëm shoqëror?

Po të kishim më shumë kompani të orientuara drejt shoqërisë, njerëzit do kishin më shumë mundësi për të pasur nën kontroll jetët e tyre. Tregjet do ishin më të baraspeshuara nga ç‘janë sot.

Po thoni se bota duhet shpëtuar përmes altruizmit?

Ka shumë filantropë në këtë botë, njerëz që ndihmojnë të tjerët duke u blerë shtëpi, duke i shkolluar etj. Por kjo është rrugë me vetëm një kalim. Paratë shpenzohen dhe nuk kthehen më. Në rast se paratë do investoheshin në kompanitë e orientuara nga shoqëria, ato do mbeteshin në kompani dhe ekonomia do të ishte shumë më eficiente, pasi do qenë përdorur në bazë të kritereve të tregut duke gjeneruar një sasi të ardhurash po për tregun.

Cili mendoni se është fajtor për krizën aktuale?

Vetë tregu, bashkë me mungesën e rregullatorëve të duhur. Kapitalizmi i sotëm ka degjeneruar në një kazino. Tregjet financiare ecin përpara të shtyra nga babëzia. Spekulimi ka marrë proporcione katastrofike. Të gjitha këto gjëra duhet të marrin fund.

Kriza aktuale financiare nisi si krizë krediti: blerësit e shtëpive në Amerikë nuk qenë më në gjendje të shlyenin huatë. Banka juaj ofron kredi shumë të vogla, por me normë interesi thuajse 100 për qind. Mendoni se banka juaj duhet të shërbejë si model për gjithë financën botërore?

Dallimi thelbësor është që biznesi ynë është tepër i lidhur me ekonominë reale. Kur japim 200 dollarë, ato para do përdoren diku për të blerë një lopë. Kur japim 100 dollarë, dikush ndoshta do të blejë disa pula. Me pak fjalë, paratë shkojnë për të blerë diçka që ka vlerë reale. Financa dhe ekonomia e vërtetë duhet të mbeten të lidhura. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sistemi financiar qe shkëputur tërësisht nga ekonomia e vërtetë. Kështjellat qenë ndërtuar në qiell dhe në një çast të vetëm njerëzit kuptuan se ato kështjella nuk ekzistonin. Në këtë pikë ndodhi kolapsi i sistemit financiar.

Është koha që qeveritë të ndërhyjnë në treg për të përforcuar rregullatorët?

Nevojiten rregullatorë, por nuk duhen lejuar qeveritë të udhëheqin tregun. Nga ana tjetër është bërë më se e qartë që "dora e padukshme" e Adam Smithit, e cila mendohej se qe në gjendje të zgjidhte vetë problemet e tregjeve nuk ekziston. Kjo "dorë e padukshme" është zhdukur fare gjatë këtyre ditëve. Ajo që po shohim me sy është dështimi dramatik i tregjeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›