Kapitalizmi mbetet themeli i rritjes ekonomike dhe lirisëNga Carl Schramm, “Wall Street Journal”Ne vazhdojmë të jemi në mes të një drame të frikshme ek
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Kapitalizmi mbetet themeli i rritjes ekonomike dhe lirisëNga Carl Schramm, “Wall Street Journal”Ne vazhdojmë të jemi në mes të një drame të frikshme ekonomike, një drame që ka vendosur doktrinën bazë të kapitalizmit në qendër të një debati global. Ky është një debat i rëndësishëm për t’u bërë, duke patur parasysh që teoria themelore e ekonomisë moderne - që qeveritë kanë projektuar instrumentet e përshtatshme kundër-ciklike, që bankat qendrore janë super të fuqishme, që cikli i biznesit është zbutur dhe që siguria e tregut ka racionalizuar rreziqet - është shkatërruar.
A është ky momenti që kishte parashikuar ekonomisti austriak, Joseph Schumpeter, kur fliste për “shkatërrim krijues”? Tek e fundit, Schumpeter ishte ai që shqetësohej më shumë se çdo ekonomist tjetër modern për atë që mund të quhet gjendje e brishtë e kapitalizmit. Ai shqetësohej, sepse jetoi mes tmerreve të ekonomisë së Wiemar, pa terrorin e ekonomisë politike të stilit sovjetik, përjetoi Depresionin - dhe pa kaosin e Luftës së Dytë Botërore. Shkatërrim me bollëk, të jemi i saktë. Ai u përqendrua gjithë jetën te rilindja e ekonomisë nga sipërmarrësit përmes asaj që e quajti “shkatërrim krijues”.
Nëse Schumpeter do të ishte gjallë sot, ai padyshim do të pyeste: “Çfarë e shkaktoi këtë krizë?” Dhe, a është ky lloj skandali apo drame karakteristikë e vetë natyrës së kapitalizmit? Ndërsa pyetjes së parë i është kushtuar shumë vëmendje, unë dua të fokusohem te më e ogurzeza, e dyta. Me fjalë të tjera, si të shpëtojmë kapitalizmin nga një reagim potencialisht fatal ndaj krizës.
S’duhet të harrojmë që Schumpeter përqafoi kapitalizmin jo si reagim apo si zgjidhjen më pak të keqe në vend të realitetit joproduktiv të planifikimit ekonomik utopist. Ai e pa kapitalizmin si themelin e dy forcave komplementare. E para ishte zgjerimi ekonomik. E dyta, roli i tij në mbrojtjen e lirisë individuale.
Për Schumpeter, të sakrifikoje, do të thoshte të rrezikoje tjetrin. Më qartë, ai na kujtonte me gjuhë të kthjellët, se, pavarësisht dyshimeve tona të tanishme, e vetmja mënyrë e sigurimit të lirisë për çdo individ gjendet brenda një ekonomie në rritje. Me fjalë të tjera, liria politike varet nga zgjerimi ekonomik. Në kohën tonë, ekonomisti indian, Amartya Sen, ka treguar rëndësinë e këtij tandemi për ekonomitë e botës në zhvillim, ku zgjerimi ekonomik është bërë sinonim i lirisë.
Lidhja mes rritjes ekonomike dhe demokracisë është, siç thotë politologu Michael Mandelbaum, një “tendencë”, jo një “ligj i pandryshueshëm” i ekonomisë politike. Rritja ekonomike sjell zakonisht nivel më të lartë arsimi, si edhe rritje të kalimit nga jeta rurale në atë urbane, elemente që lidhen me demokracinë. Për më tepër, shkrirja e tregut të lirë me demokracinë te njëra-tjetra - te prona private, qeveria e kufizuar, shoqëria civile e pasur dhe rendi ligjor i konsoliduar - e bëjnë lidhjen shkakore edhe më të fortë.
Si rregull i përgjithshëm, vetëm kapitalizmi mund të krijojë pasuri dhe liri në të njëjtën kohë. Dhe, natyrisht, kapitalizmi mund ta zgjerojë përkrahjen sociale më shpejt se çdo rend tjetër ekonomik apo shoqëror deri tani.
Megjithatë, duke patur parasysh presionin e krizës së tanishme, një e ardhme, ku rritja ekonomike dhe liria vazhdojnë të mbrojnë njëra-tjetrën dhe tërheqin shoqërinë civile, nuk është e garantuar. Duket se kur sforcimet ekonomike shfaqen në mënyrën e tyre të paevitueshme, dhe të paparashikuar, kritika e vetë kapitalizmit bëhet më fuqishme dhe ulëritëse.
Nga këndvështrimi superior i Schumpeter-it, suksesi i kapitalizmit i lejon shoqëritë e pasura të zbutin ligjet e jashtme që drejtojnë tregun, duke krijuar ligje të reja që i shmang qytetarët nga pasojat e rrezikimit dhe dështimit. Në këtë kuptim, qeveria i ngarkon vetes detyrën e moderimit të rezultateve të tregut. Schumpeter i kishte parë rreziqet e kësaj loje në konceptin e Bismarkut për një Prusi sociale. Përballë kërcënimit marksist, elita garantoi pozicionin e saj duke e shtyrë qeverinë të jepte asistencë sociale. Bismarkun e kishte motivuar fortifikimi politik i transhesë, jo bamirësia. Kur keqinterpretohet në këtë mënyrë, kapitalizmi i tregut të lirë shihet si shtypës - dhe jo inkurajues - i komoditetit ekonomik dhe shoqëror.
Që prej Marrëveshjes së Re (New Deal) amerikanët kanë nisur ta shikojnë qeverinë si mbrojtësen e fundme të mirëqenies së tyre financiare. Megjithatë, në realitet, faktet e sjelljes së qeverisë amerikane në këtë mënyrë gjatë Marrëveshjes së Re janë, të themi më të paktën, shumë të brishta. Megjithëse tani është harruar thuajse fare, shumë nga veprimet e qeverisë gjatë depresionit patën realisht shumë pak ndikim në jetën e individit. Ekonominë e rriti novatorizmi teknologjik dhe ekspansioni monetar, ndërsa depresioni “i dytë” 1937-‘38 shikohet gjerësisht si përpjekje e Roosevelt-it për të manipuluar tregjet e kredive. Pra, çfarë mund të thuhet për sfidën e fundme Schumpeterian-e: A mund të shpëtohet kapitalizmi? Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, propozoi një formulim brilant në tetor 2008. Ai tha: “Kriza financiare nuk është krizë e kapitalizmit. Ajo është krizë e një sistemi që është distancuar nga vlerat themelore të kapitalizmit, që tradhtoi shpirtin e kapitalizmit.”
S’ka dyshim, duke parë krizën financiare që vazhdon, kapitalizmi sipërmarrës është i kërcënuar. Në gjithë botën njerëzit e vënë më shumë theksin te siguria personale. Shija e njerëzve për të rrezikuar mund të frenohet, të paktën për momentin. Ky është një reagim racional dhe i parashikuar njëherësh.
Mirëpo kjo bëhet e rrezikshme në momentin që qeveria nis të shikohet si i vetmi burim sigurie. Ajo që duhet të kuptojmë ne, publiku, është se garantuesi më i mirë nuk është qeveria, por rritja ekonomike. Ndërsa ne duam të besojmë të kundërtën, fakti kokëfortë është që qeveria nuk mund të garantojë përhershmëri ekonomike. Askush dhe asgjë nuk mund të garantojë.
Në gjuhë pragmatike, ne duhet të gjejmë zgjidhje si të rritim ndjenjën e sigurisë së njerëzve pa e rritur apo forcuar më shumë qeverinë. Përgjigjja e Joseph Schumpeter-it për gjithë këtë është se qytetari më i rëndësishëm nuk është politikani, as bankieri në Wall Street. Ata janë të rëndësishëm, por jo qendrorë në ri-ngritjen e kapitalizmit demokratik. Ai rol, ajo barrë bie mbi qytetarët, të cilët, përballë sfidave që ne shikojmë rrotull, janë të gatshëm të bëjnë atë që bëjnë sipërmarrësit: të krijojnë të renë, të krijojnë vende pune dhe të vendosin pasuri që do ta bëjnë më shumë se të nevojshme për të blerë një të ardhme që ia vlen të jetohet. Cilado qoftë rruga që ne do të zgjedhim, kapitalizmi sipërmarrës nuk mund të ringjallet apo lulëzojë, nëse programet e reja qeveritare për sigurinë s’bëjnë gjë tjetër veç zvogëlojnë përgjegjësinë e fundme të individit të punojë për mirëqenien e tij ose të saj.
Autori është president dhe shef ekzekutiv i përgjithshëm i Kauffman Foundation dhe bashkautor i librit “Kapitalizmi i mirë, kapitalizmi i keq, dhe politikat e rritjes ekonomike dhe prosperitetit”. Titulli i artikullit është redaksional