E Martë, 3 Nëntor 2026

Kapiteni Alban Biçaku tregon anën e “errët” të punës së tij: Njëherë na është dashur të lidhim një pasagjer

Piloti shqiptar Alban Biçaku ishte i ftuari i gazetarit Andri Xhahu paraditen e sotme në Radio Tirana 1. Kapiteni i cili numëron 8 mijë orë fluturimi me “Airbus 320”, tani është pjesë e kompanisë Scandinavian Airlines, me një histori 77-vjeçare.

Albani ka lindur në Strugë ndërsa që prej moshës 3-vjeçare jeton në Suedi. “Unë si fëmijë kam dashur të bëhem arkeolog, por nga mosha 10-vjeçare më lindi pasioni për aviacionin. Ky profesion nuk përballohet dot nëse nuk bëhet me pasion. Në moshën 15-vjeçare fillova të shoh çfarë mund të bëj në aviacion dhe nisa kurset. Kur isha 16 vjeç kam bërë fluturimin e parë. Patentat e aviacionit janë të disa niveleve, si për shembull Private Pilot License që ti fluturon për qejf me avionë të vegjël me helika. Në moshën 17-vjeçare mund ta marrësh patentën. Kam pasur Private Pilot License para se të kisha patentë makine. Nuk shkoja dot në aeroport se zakonisht ato janë larg. Vëllai ose prindërit më çonin në aeroport që të fluturoja.”

Karriera e tij nisi në një kompani shqiptare. “Fluturimi i parë ka qenë nga Tirana në Verona. Ishte një fluturim fantastik. Ne pilotët nuk kemi frikë sepse e dimë sa i sigurt është avioni dhe si funksionon ai. Por janë emocionet e arritjes në destinacion.”

Duke u ndalur te siguria e transportit ajror, piloti shpjegon: “Një tub alumini i kompresuar që fluturon 10 mijë metra lartësi me 1000 km në orë. Si mund të jetë i sigurt? Nuk bën sens. Por mënyra se si trajnohemi ne, se si është e ndërtuar fusha e aviacionit civil, me kontrollet teknike, me sisteme menaxhimi, me trajnimin e personelit që punon në aviacion, e bën atë transportin më të sigurt. As nuk i afrohet ndonjë mjet transporti i një lloji tjetër. Avioni është një mijë herë më i sigurt sesa transporti me makinë. Problemi është të marrësh makinën të shkosh në aeroport. Aty është rreziku më i madh.”

Biçaku tregon se çfarë karakteristikash duhet të ketë një pilot. “Ai duhet të ketë durim. Ne nuk marrim asnjë risk përsipër, gjithmonë zgjedhim mënyrën më të sigurt për të transportuar pasagjerët. Një pilot duhet të jetë një njeri i qetë, që nuk rrezikon, nuk shpejton, jo emotiv, i cili i mendon gjërat mirë. Unë ndonjëherë them që një pilot duhet të jetë familjar që të ketë dikë, familjen ose fëmijët ku të kthehet në shtëpi.”

Albanin e presin në shtëpi bashkëshortja dhe dy fëmijët, edhe pse mund të ndodhë që puna ta mbajë larg edhe 15 ditë. “Me bashkëshorten jemi njohur kur kam punuar në Tiranë. Kam pasur gjithmonë suportin e saj, e cila thotë që unë do të vij ku të shkosh ti. Shumë ndryshe nga kolegë të mi që bashkëshortet nuk u vijnë në çdo cep të botës sepse shohin karrierën e tyre. Ndërsa bashkëshortja ime më ka qëndruar pranë. Unë dua sa më tepër te jem me familjen time. Ka muaj, si në maj dhe qershor këtë vit, ku kam qenë 15-16 net jashtë shtëpisë ose ka muaj që çdo natë fle në shtëpi.”

I pyetur për rreziqet që mund të sjellin turbulencat gjatë një fluturimi, kapiteni thotë se rreziku vjen nga mosmbajtja e rripit të sigurimit nga ana e pasagjerëve. “E shoh shpesh kur udhëtoj si pasagjer, sidomos me pasagjerë shqiptarë, të cilët sapo fiket shenja e rripit të sigurimit heqin rripin. Nuk është menduar kështu. Rripi mbahet i lidhur se nuk dihet kur mund të rastisësh turbulencë. Rreziku është që të vritesh kur nuk mban rripin sepse koka përplaset me tavanin e avionit ose kërkohet që shërbimi të ndalojë sepse nga vagonët e shërbimit mund të bien sende ose derdhet kafe e nxehtë. Avioni testohet për të përballuar turbulenca edhe më të forta. Ka ndodhur që avioni dëmtohet por nuk bie.”

Prej më shumë se dhjetë vjetësh karrierë, Albani tregon se vendimmarrje të vështira ka gjithmonë për më tepër si kapiten. “Një pasagjer i dehur ose që nuk sillet siç duhet nuk e pranojmë në avion dhe e nxjerrim jashtë. Nëse një sjellje jo të duhur e tregon gjatë fluturimit, atyre u jepet një paralajmërim. Nëse sjellja vazhdon futen në listën e zezë në kompani dhe nuk fluturojnë dot më. Ka raste kur janë të dhunshëm, ku duhet marrë ndihma e pasagjerëve të tjerë për t’i lidhur dhe kur ulemi në tokë i pret policia. Nuk ndodh shpesh. Unë kam pasur një rast kur na është dashur të lidhim një pasagjer sepse ishte i dhunshëm. Në avion, pasi mbyllet dera, kapiteni ka të gjithë përgjegjësinë e mirëqenies së pasagjerëve. Kapiteni ka të drejtë të arrestojë.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›