E Diel, 1 Nëntor 2026

Moda e re, disiplinë mes batutashReportazh/ Kuqezinjtë kanë nisur të ndërgjegjësohen nga “diktatura” e Kuzhesë. Shakatë mes lojtarëve nuk mungojnë, edhe pse kujdesi i tyre është i madh në çdo situatë

Nga Durrësi JORGIS MEMO - Të premten, si dita e parë, normalisht paraqitja e kuqezinjve në prezantimin me trajnerin e ri, Josip Kuzhe, ishte serioze. Natyrisht, askush nuk donte të binte në sy për keq te kroati. Të gjithë zbatonin rregullat e vendosura prej tij, por duket se forcimi i disiplinës në ekipin kombëtar është marrë shumë seriozisht nga trajneri i ri, të cilit nuk i shpëton asnjë detaj gjatë grumbullimit. Kap edhe lëvizjen më të vogël të futbollistëve dhe raportet me ta i mban në mënyrën e tij, as afër dhe as larg. Kuqezinjtë janë ndërgjegjësuar me rregullat e vendosura nga Kuzhe, mirëpo kjo nuk i pengon ata për të kaluar me batuta këtë periudhë ndryshe, qoftë edhe në hollin e hotelit, ku e kanë të ndaluar. Dje, pak çaste para drekës, nëse futeshe në rezidencën e Kombëtares, vihej re qetësia brenda hotelit, edhe pse zhurma nga punimet që kryheshin jashtë tij, ndoshta bëheshin pak shqetësuese për lojtarët. Gjithsesi, syri të kap menjëherë dyshen Bogdani-Kapllani, të cilët janë vendosur në cepin e hollit. Sulmuesit e rikthyer në Kombëtare, të ulur në kolltukët e rehatshëm, të japin përshtypjen se i ka marrë malli për pak muhabet me njëri-tjetrin. Kanë shumë të përbashkëta, teksa e veçanta është që rikthehen në Kombëtare, pas mosgrumbullimit për ndeshjet me Hungarinë dhe Danimarkën. Bogdani, i cili iu bashkua dje Kombëtares, kërkon të thotë se ndihet i gatshëm për Portugalinë, ndërsa Kapllani, si gjithnjë i qeshur, tashmë duket se ka marrë një pamje më serioze, e aq më tepër që është bërë baba, pak javë më parë. Shakatë nuk mungojnë dhe ata e lidhin gjithçka me klubet ku aktivizohen. “Shyqyr që shpëtuam! - thotë Bogdani për Kievon. - Por ça t’i bëjmë Kapllanit”, shtoi ai, duke iu referuar rënies së Karlsruhes. Me kalimin e minutave, lëvizja në rezidencë shtohet, pasi afrohet edhe orari i drekës. Në një çast shfaqet Kuzhe, i cili i bën një vëzhgim të shkurtër hollit, natyrisht duke mos i pëlqyer ndonjë lëvizje. Nga ana tjetër, gjithnjë në dispozicion është menaxheri Denis Bastari, i cili udhëzon futbollistët në çdo moment, por që nuk ka çfarë t’i bëjë Bulkut, i cili është familjarizuar me gazetarët. Ish-mesfushori i Tiranës shfleton shtypin sportiv dhe shpreh keqardhjen e tij për rënien e Partizanit nga kategoria. Por është gjithnjë i vëmendshëm, sepse nuk i lejohet të flasë me gazetarët. Në moment shfaqet Admir Teli. Shkodrani është “batutaxhiu” më i madh në Kombëtare dhe kur shikon që është në faqe të parë të gazetës, thotë: “Bo, bo, tani që trajneri i ri më ka parë që ia kam futur me shpullë Ronaldos, nuk do më futë në formacion!” Ndërkohë, ashtu si Dallku me Currin, edhe Teli me skuadrën e tij, Karabak, fitoi Kupën e Azerbajxhanit. Por shkodrani e ka një problem: “Gjuhën azere nuk mund ta mësoj kurrë, është shumë e vështirë”, thotë ai. Tryezës kryesore te holli i bashkohet edhe Berisha, por natyrisht, kjo pamje nuk i pëlqen aspak trajnerit, që porosit menjëherë menaxherin Bastari, për t’iu komunikuar futbollistëve se duhet të shkojnë në restorant. Berisha ka një hall tjetër: kërkon të shikojë tenis në TV, por nuk gjen dot kanalin, i cili e transmeton. Biondi ka idhull tenistin Roxher Federer.

Salihi, Cana dhe trajneri
I veshur në xhins dhe me një çantë në krah, Hamdi Salihi vjen në rezidencën e Kombëtares rreth orës 13:30, pas udhëtimit nga Austria. I përfshirë mes përqafimesh, ai takon menjëherë trajnerin Kuzhe dhe pasi përshëndetet me të, i “sulet” restorantit. Udhëtimi ka bërë të vetën, ndërkohë që në momentin që sulmuesi hyn në restorant, lojtarët e tjerë sa hap e mbyll sytë “zhduken” nëpër dhoma. Urdhri i Kuzhesë është ky: “I fundit nga restoranti do të dal unë!” Gjithçka është e qartë dhe kjo duhet respektuar. Radha për të shkelur në hotel i takon Canës, i cili vjen gati i rraskapitur. “Jam shumë i lodhur, sepse pas ndeshjes së fundit, nuk më ka zënë gjumi, e aq më tepër që u nisa herët me avion drejt Shqipërisë.” Loriku, ashtu si Salihi, zë vend për të drekuar në tavolinën ku qëndronte shkodrani. Por para se të ulej aty, trajneri Kuzhe, duke qëndruar në këmbë, në mes të restorantit, duket sikur pret të prezantohet me Canën. Ky i fundit afrohet dhe pasi i japin dorën njëri-tjetrit dhe këmbejnë pak fjalë, kroati i thotë Canës që të vazhdojë të drekojë. Loriku i bashkohet përsëri Salihit, teksa pjatën e ka gati. Por fillimisht i drejtohet atij me fjalët: “Gola, gola. Mbete duke shënuar.” Pasi përfundon dreka, heshtja përfshin gjithë hotelin, sepse lojtarët duhet të pushojnë.

Dëmtimi, Memelli nuk ia del, humbet Portugalinë

Migen Memelli do të mungojë në ndeshjen me Portugalinë dhe miqësoren me Gjeorgjinë. Lajmi bëhet i ditur nga stafi mjekësor i ekipit kombëtar. Sipas këtij të fundit, sulmuesi e ka të pamundur të vazhdojë stërvitjen, për shkak të tërheqjes muskulore që ka pësuar në ndeshjen e fundit të kampionatit, kundër Vllaznisë. Futbollisti pogradecar, i pafat, ka lënë dje edhe grumbullimin e Kombëtares. Memelli debutoi me fanellën kuqezi në ndeshjen e fundit eliminatore, atë ndaj Danimarkës, ku Shqipëria humbi 3-0. 29-vjeçari, i cili u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit, u përfshi edhe në planet e trajnerit të ri, Josip Kuzhe.

E Marte, 02 Qershor 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›