Kapllani: “Dua të rikthehem me gol kundër Portugalisë”Sulmuesi i Kombëtares: “Shpresoj që Kuzhe të jetë i suksesshëm me përfaqësuesen”. Durrsaku: “Te Augsburgu nuk u transferova për hir të parave, por ambicies”

MIKEL BIZHYTI- Ndihet plotësisht i qetë. Madje, u rikthye në Shqipëri me një fitore të dyfishtë: thirrjen në ekipin Kombëtar pas tetë muajsh “persekutim” dhe me një kontratë të re me Augsburgun. “Jam i kënaqur me rikthimin në kombëtare pas një kohe të gjatë, dhe po ashtu për ekipin tim të ri, jo shumë të madh, por me ambicie për të qenë midis tri më të mirave të Bundesligës 2”, - tha sulmuesi 27-vjeçar Edmond Kapllani, i përjashtuar nga holandezi Ari Han dhe i rithirrur nga kroati Josip Kuzhe, trajneri i ri i Kombëtares. Nga rezidenca e Kombëtares në hotel “Dyrrah”, ish-sulmuesi i Partizanit natyrshëm edhe për ish-skuadrën e tij. “Më vjen shumë keq, që ra një kategori më poshtë. Edi se si është, pasi edhe unë kam luajtur me këtë skuadër, kur Partizani luajti në sezonin 1999-2000 në Kategorinë e Parë (atëherë të Dytë), madje shënova shumë gola, që e ndihmuan ekipin të ngjitej në Superligë”, -thotë durrsaku, i cili ka luajtur në Shqipëri edhe me Besën e Kavajës, përpara se të transferohej në Gjermani te Karlsruhe. Kapllani (23 ndeshje me Kombëtaren) është golashënuesi më i mirë i Shqipërisë në eliminatoret e Kampionatave Europiane, 5 gola, teksa një tjetër gol e ka shënuar në miqësoren e fituar 2-0 kundër Lihtenshtejnit.
U shkëputët nga kombëtarja në ndeshjen me Portugalinë dhe riktheheni sërish në ndeshjen me këtë kundërshtar. A ndiheni i kënaqur?
Ndihem shumë mirë. Të jesh pjesë e përfaqësueses është një nder për cilindo lojtar. Është e vërtetë që nuk u thirra më që pas barazimit 0-0 në Braga dhe tani rikthehem përpara ndeshjes me këtë skuadër. Asnjëherë nuk kam pushuar së menduari për kuqezinjtë.
Në ndeshjet e fundit Ari Han e humbi besimin ndaj jush. Cili ishte shkaku?
E kam pasur shumë të qartë se çfarë pati ai me mua. Përpara ndeshjes me Maltën në “Qemal Stafa”, në stërvitje pata një përplasje me Debatik Currin, e cila u fry edhe në media. Që nga ai moment diçka u thye në marrëdhëniet mes meje dhe holandezit. Në fillim përfundova në tribunë e më pas nuk më grumbulloi fare.
Cili është mendimi juaj për Hanin?
Nuk më intereson fare të flas për të. Përderisa kam shmangur polemikat kur filloi të më linte jashtë kombëtares, nuk kam arsye të flas për të. Ajo që mund të them unë është se ai e mori përgjigjen pas rezultateve që arriti në drejtimin e skuadrës tonë kombëtare.
E keni njohur më parë Josip Kuzhenë, pasi ju në sezonin 2000-2001 keni luajtur për NK Rijekën apo jo?
Jo për fat të keq nuk e kam njohur. Pata një eksperiencë 5 mujore me skuadrën kroate atëherë dhe nuk mu dha mundësia ta njihja. Me sa kam dëgjuar ai është shumë i përgatitur dhe me një eksperiencë të mjaftueshme si trajner.
Kuzhe ju riktheu në kombëtare dhe besoj se konsiderata për të është rritur edhe më shumë....?
Nuk ka të bëjë kjo me konsideratën. Me siguri kroati më njeh mirë dhe është i bindur se unë e meritoj një vend në përfaqësuese. Përsa i përket asaj që thatë ju është puna dhe rezultatet ato që nxjerrin përfundimet për secilin. Shpresoj që Kuzhe të jetë i suksesshëm me kombëtaren shqiptare.
Në ndeshjet e mbetura ju duhet të paktën një gol për të rritur besimin te trajneri apo jo?
Unë sulmues jam dhe të shënoj është ajo që di të bëj më mirë se çdo gjë. Nëse kërkoj të gjej golin nuk ka të bëjë me trajnerin por me profesionin tim. Nuk diskutohet që edhe besimi i trajnerit apo dhe i tifozëve kuqezinj rritet kur sulmi shënon.
Për katër ditë kemi Portugalinë. E mendoni që goli juaj mund të lërë jashtë Botërorit 2010 skuadrën e Kristiano Ronaldos?
Natyrisht që e mendoj. E thashë që dua të shënoj sa më shumë pavarësisht se cili është kundërshtari që kemi përballë. Të them të drejtën do të më vinte keq nëse Portugalia nuk shkon në finalet e Botërorit, por nëse fiton Shqipëria s’do më vinte aspak keq.
Të kthehemi pak te karriera juaj në Gjermani. Pas katër sezonesh largoheni nga Karlsruhe për të firmosur me Augsburgun. Si e morët këtë vendim?
Ishte pak e vështirë, por vendosa. Në sezonin e fundit gjeta shumë pak hapësira, plus që skuadra ra në Bundesligën 2 dhe kështu që nuk mund të qëndroja më. E rëndësishme është që u transferova me të njëjtat kushte.
Sa do t’iu mungojë qyteti, pasi katër vite nuk janë pak apo jo?
Tani nuk mund ta them këtë, pasi ende nuk i jam bashkuar klubit tim të ri. Ndoshta me kalimin e kohës do të bëj krahasimin dhe mund ta kthej një përgjigje të saktë”.
Sezonin që përfundoi luajtët shumë pak me skuadrën. A e keni pyetur ndonjëherë veten se cila ishte arsyeja që nga “mbret” me 17 gola më parë, u harruat në stol nga trajneri?
Prandaj futbolli është i çuditshëm. Kur të ecën fati dhe ke vazhdimësi qëndron në fushë, në të kundërtën mbetesh në stol. Në Gjermani i kushtojnë shumë rëndësi momentit. Dy sezone më parë shënoja gati në çdo ndeshje, ndërsa këtë sezon që u mbyll nuk më eci dhe kjo më uli shumë moralisht. Kam kaluar momente shumë të vështira, por që shpresoj të shkëlqej sërish në radhët e Augsburgut.
Keni frikë se edhe te skuadra e re ju mund të ngrohni stolin?
Frikë nuk kam pasi nuk po shkoj në luftë. E rëndësishme është që të arrij të ambientohem sa më mirë me shokët e rinj dhe me lojën që kërkon trajneri. Vetëm kështu mund të shfaqem me vlerat e mia të vërteta.
Përpara nënshkrimit të kontratës ju keni kontaktuar me presidentin e Augsburgut dhe me trajnerin. Ju premtuan ata një vend titullari?
Sigurisht që dëshira e drejtuesve të klubit dhe trajnerit është të më kenë titullar, sepse prandaj po harxhojnë jo pak para për mua. Por e thashë edhe më parë se nuk mund të jesh titullar nëse nuk e meriton. Me këtë dua të them se futbolli është dhe fat. Kur të ecën edhe vetë ndihesh më i sigurt, në të kundërtën humbet shumë gjëra.
Sulmi i Augsburgut në sezonin e kaluar ishte i dobët. Sulmuesi kryesor shënoi 14 gola, ndërsa i dyti vetëm 3. Pra me sa duket drejtuesit kanë bërë zgjedhjen më të mirë që ju zgjodhën ju?
Di që ngulën këmbë të më merrnin dhe më morën. E di që sulmuesit e Augsburgut nuk qenë të suksesshëm këtë sezon dhe kanë shënuar pak gola. Ndoshta me afrimin tim unë dhe ata shënojmë shumë gola sezonin e ardhshëm.
Arsyeja që nënshkruat me Augsburgun ishte vetëm kontrata e lartë financiare apo dhe objektivat e klubit për sezonin e ardhshëm?
Të dyja bashkë dhe kjo nuk ka asnjë diskutim. Mund të them se një klub që nuk pretendon vendet e larta në klasifikim nuk ka arsye të shpenzojë shumë para për të bërë blerje. Edhe unë u njoha me kushtet e kontratës, por edhe me synimet që kishin drejtuesit e Augsburgut. U binda dhe pranova, pasi ata kërkojnë që skuadra të renditet në tri vendet e para.
E Marte, 02 Qershor 2009