Kapllani: “Jam gati për golin”
Edmond Kapllani ka shënuar për herë të fundit me Kombëtaren, pikërisht në një ndeshje miqësore, para dy vitesh. Atë kundër Lihtenshtejnit modest, në fitoren 2-0 të Shqipërisë, më 20 gusht të vitit 2008, kur kuqezinjtë drejtoheshin nga holandezi Ari Han, ndërkohë që po në atë takim një tjetër futbollist shqiptar që luan në Gjermani, Jahmir Hyka, shënoi golin më të shpejtë në historinë e Kombëtares, pas vetëm 46 sekondash lojë, pikërisht pas një asisti të Kapllanit. Atëherë ishte ndeshja e fundit përgatitore përpara se Shqipëria të barazonte 0-0 me Suedinë në kualifikueset e Botërorit 2010 e që u kushtoi nordikëve të Zlatan Ibrahimoviçit kualifikimin për në Afrikën e Jugut. Edhe kundër Uzbekistanit, një skuadre që nuk garon në Europë, por në konfederatën aziatike, për Shqipërinë do të jetë ndeshja e fundit përgatitore përpara se kuqezinjtë të nisin aventurën në eliminatoret e Kampionatit Europian 2012 me takimin kundër Rumanisë në Bukuresht. Kapllani pranoi për mediat se ishte stërvitur shumë dhe se kishte rigjetur formën pas një fazë të dytë shumë të mirë te Tus Koblenz, si i huazuar nga skuadra e tij aktuale Augsburgu. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe për trajnerin që të konsolidojë skuadrën, se kush do jetë në 11 apo 14-tshe për kualifikimet që do të vijnë”- tha Kapllani, autori i golit të vetëm të Shqipërisë në humbjen 6-1 kundër Rumanisë, pikërisht ndaj kundërshtarit të parë të kuqezinjve në eliminatoret e Euro 2012-s. Sulmuesi Edmond Kapllani, i cili me 5 golat në eliminatoret e Europianeve, është golashënuesi më i mirë i Shqipërisë në këtë kompeticion, po kalon një formë të shkëlqyer në gjatë përgatitoreve me skuadrën e tij në Gjermani, me Augsburgun e Bundesligës 2. 28-vjeçari është i formuar si futbollist në Durrës, pikërisht në stadiumin “Niko Dovana”, aty dhe ku Shqipëria do të luajë për herë të parë në nivel të Kombëtares A, pas disa eksperiencave të Shpresave. Gjithsesi, Kapllani nuk është i vetmi lojtar durrsak që do të luajë para sportdashësve të qytetit të tij, pasi trajneri Josip Kuzhe ka thirrur edhe mesfushorin Emiljano Vila, një tjetër talent i dalë nga Teuta. Kapllani është një nga tre sulmuesit që ka në dispozicion trajneri Kuzhe, së bashku edhe me veteranin Erjon Bogdani, të porsa transferuar te Cezena e Serisë dhe Hamdi Salihin e Rapidit të Vjenës, ky i fundit është dhe autori i golave të vetëm në fitoret 1-0 si kundër Malit të Zi në Podgoricë dhe Andorrës në Tiranë, në miqësoren e fundit të Shqipërisë. Shqipëria nuk humbet prej tetë ndeshjesh, qysh kur humbi me Poloninë 1-0 në Reutlingen të Gjermanisë nën drejtimin e holandezit Ari Han, më 27 maj 2008.
GOLAT E KAPLLANIT ME KOMBËTAREN
NË NDESHJET ZYRTARE
Shqipëri-Luksemburg 2-0 (1)
Luksemburg-Shqipëri 0-3 (2)
Shqipëri-Bjellorusi 2-4 (1)
Rumani-Shqipëri 6-1 (1)
NË NDESHJET MIQËSORE
Shqipëri-Lihtenshtejn 2-0 (1)
Muzaka: “Shans për ne të rinjtë”
Anësori i Dinamos numëron vetëm 4 ndeshje me Kombëtaren
Anësori Gjergji Muzaka, blerja më e rëndësishme e Dinamos në merkaton verore, mund të jetë një nga kartat fituese të trajnerit Josip Kuzhe në ndeshjen kundër Uzbekistanit, takimi i shtatë miqësor i kroatit në stolin e Shqipërisë. Ish-mesfushori i Tiranës, është një nga katër futbollistët e bluve dhe gjashtë lojtarët që luajnë në kampionatin shqiptar. “Jemi lojtarë të rinj dhe aktivizimet i kemi të pakta në ekipin Kombëtar. Ndeshjet me skuadrat e një niveli pak më të ulët na shërbejnë edhe neve për të parë dhe gjendjen e lojtarëve më të rinj”, - tha ish-lojtari i Partizanit, i cili numëron vetëm 4 ndeshje me Kombëtaren. Shqipëria, duke luajtur edhe përpara publikut të saj, është dukshëm favorit ndaj Uzbekistanit, që në renditjen botërore ndodhet 16 vende pas Kombëtares sonë, e 71-ta. Në ndeshjen e fundit miqësore të tij, Uzbekistani humbi 3-1 me Armeninë, më 25 maj 2010. "Janë shumë të rëndësishme këto ndeshje para eliminatoreve, për vetë faktin se është dhe periudha e pushimit të kampionatit, kështu që çdo lojtar, sado aktivizohet me klubet dhe ndeshje miqësore, i mungon ai ritmi i kampionatit dhe ndeshjet, kështu që mundohemi të përfitojmë sadopak në ndeshjen e radhës", - u shpreh Gjergji Muzaka, autor i një goli kundër Milani në barazimin 3-3 të Shqipërisë kundër kuqezinjve italianë për trofeun “Taçi Oil Cup”. Goli i dytë i Muzakës kundër Milanit, përfshirë edhe atë në fitoren 2-1 të Tiranës tetorin e vitit 2008. Muzaka është në një formë të mirë sportive, çka e tregoi edhe në ndeshjet e Dinamos në Ligën e Kampioneve, duke dhënë edhe asistin e golit të shënuar nga Emiljano Vila në fitoren 1-0 të bluve kundër Sherif Tiraspolit në “Qemal Stafa”.
DHJETË MIQËSORET E FUNDIT
27.05.2008, Reutlingen
Poloni-Shqipëri 1-0
20.08.2008
Shqipëri-Lihtenshtejn 2-0
19.11.2008, Baku
Azerbajxhan-Shqipëri 1-1
10.06.2009, Tiranë
Shqipëri-Gjeorgji 1-1
12.08.2009, Tiranë
Shqipëri-Qipro 6-1
14.11.2009, Talin
Estoni-Shqipëri 0-0
17.02.2010
Kosovë-Shqipëri 2-3
(jo e njohur nga FIFA)
03.03.2010, Tiranë
Shqipëri-Irlanda e Veriut 1-0
25.05.2010, Podgoricë
Mali i Zi-Shqipëri 0-1
02.06.2010, Tiranë
Shqipëri-Andorrë 1-0
Skela drejt Filadelfias në SHBA
Ervin Skela mund të transferohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të veshur fanellën e Filadelfia Union. Mesfushori 33-vjeçar i Kombëtares shqiptare vlerësohet për përvojën e tij në Europë me klube të tilla si Eintracht Frankfurt, Arminia Bielefeld, Kaiserslauter, Energie Cottbus, por bosi i Unionit, Peter Novak, sipas Tribalfootball.com, po mendohet jo pak për transferimin. Së fundi, Skela luajti në Bundesligën 2 me Tus Koblencin.
Kapelo: “Më falni anglezë”
Edhe një i “ashpër” si Fabio Kapelo mund të “recitojë” mea kulpan. Pas Botërorit zhgënjyes afrikanojugor, të mbyllur me humbjen e rëndë kundër Gjermanisë në një të tetat e finaleve, Kapelo u kërkoi të falur tifozëve. “Kam bërë gabime, - deklaroi trajneri italian, - por nisem me bindjen se nga eksperiencat negative mëson shumë”. Anglia do të zhvillojë të mërkurën miqësoren me Hungarinë në “Uembli”, dhe kërkimi i faljes synon shmangien e fishkëllimave.
Prandeli e nis me “tredhëmbësh”
“Nëntë nga njëmbëdhjetë lojtarët e formacionit titullar tashmë janë vendosur. Kam vetëm dy dyshime. Portierin dhe anësorin e majtë. Edhe pse besoj se në këtë pozicion mund të luajë Mario Baloteli”. Trajneri i ri i Italisë, Çezare Prandeli, synon një tjetër paraqitje të “azurrëve” në miqësoren kundër Bregut të Fildishtë, të ndryshme nga ai zhgënjim i italianëve të Marçelo Lipit në Kupën e Botës. Sulmi i Italisë pritet të formohet nga “tredhëmbëshi”: Kasano, Amauri dhe Baloteli.
Shqipëria me Botëror
Shqipëria do të organizojë për herë të parë në shtatorin e vitit të ardhshëm Kampionatin Botëror të Vrapimit në Mal, një event ku marrin pjesë përfaqësues nga shumë vende të botës. Zyrtarizimi i eventit u bë paraditen e djeshme në takimin e zhvilluar mes ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ferdinand Xhaferraj në zyrat e MTKRS-së dhe Presidentit të Federatës Botërore të Vrapimit në Mal, Bruno Goxelino, ku ishin të pranishëm z.Goxelino, zëvendësministri i Sporteve Dashnor Bajaziti, presidenti dhe sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli e Nikolin Dionisi. Ministri Xhaferraj, ka garantuar se aktiviteti do të mbështetet edhe nga ana e kryeministrit. Gjithçka u realizua me iniciativën e rekordmenit të botës në atletikës, Sergei Bubka, i cili bëri të mundur vënien në jetë të këtij kompeticioni botëror në Shqipëri.
Muajin e ardhshëm më 5 shtator pritet të zhvillohet në Slloveni edhe Kongresi i Federatës Botërore të Vrapimit në Mal që do të përcaktojë edhe buxhetin e botërorit të vitit 2011.
Kombëtarja, “odise” për një stadium
Është grumbulluar e plotë përfaqësuesja kuqezi ditën e hënë, në prag të miqësores me Uzbekistanin që do të luhet më 11 gusht në Durrës. Por nuk ka shkuar gjithçka sipas programit në këtë seancë stërvitore. Pavarësisht paralajmërimeve rreth një javë më parë të kompleksit “Skënder Halili”, apo edhe të stadiumit “Selman Stërmasi”, stërvitja në ditën e dytë të grumbullimit të përfaqësueses sonë përveçse është shtyrë në orar nga ora 18 në 18.30, ka hasur edhe vështirësi në gjetjen e një vendi për t’u stërvitur, gjë që e ka nervozuar jo pak trajnerin kroat Josip Kuzhe. Në kompleksin sportiv “Skënder Halili”, në orarin e paralajmëruar për stërvitjen e kombëtares po zhvillonte seancën stërvitore Tirana, duke i detyruar lojtarët që të shkojnë për në stadiumin “Selman Stërmasi”, por edhe aty ishte e pamundur.
Në këtë stadium kishte filluar stërvitjen ekipi kundërshtar i Uzbekistanit, i cili mbërriti ditën e sotme në Tiranë.
Konfuzioni i krijuar e nxori 22-shen e kombëtares në një aneks të kompleksit “Skënder Halili”, në pritje të përfundimit të stërvitjes së Tiranës. Nga ora 18, e përcaktuar për t’u zhvilluar kjo seancë stërvitore, trajneri dhe stafi i tij u detyruan që të fillojnë stërvitjen një orë me vonesë. Pas gjithë këtyre peripecive, ekipi përfaqësues ka zhvilluar seancën stërvitore normalisht në ditën e tij të dytë, ku trajneri Kuzhe po sheh nga afër gjendjen e lojtarëve dhe po përgatitet për ndryshimet e reja të formacionit me elementët e rinj të grumbulluar. Ndeshja miqësore me Uzbekistanin do të zhvillohet ditën e mërkurë në stadiumin e rikonstruktuar të Durrësit, “Niko Dovana”, ditë në të cilën do të inaugurohet dhe impianti i ri i ndriçimit.
10 Gusht 2010