Kapllani, gol dhe shtylla në miqësore
Edmond Kapllani i dërgon sinjale trajnerit të Kombëtares, Josip Kuzhe në prag të miqësores që Shqipëria do të luajë më 11 gusht në “Niko Dovana” të Durrësit përballë Uzbekistanit. Sulmuesi kuqezi vazhdon të jetë protagonist në miqësoret që Augsburgu po zhvillon gjatë fazës përgatitore, përpara fillimit të sezonit 2010-2011. Në ndeshjen që Augsburg fitoi me rezultatin 4-1 kundër zviceranëve të Vinterthur (që militojnë në Kategorisë së Dytë helvetike), Kapllani ka dhuruar spektakël. Ai ka goditur dy herë shtyllën në minutat 12 dhe 63, ndërsa në të 27-n kishte dhënë asistin e golit të dytë, të realizuar nga Goran Sukalo. Paraqitja e shkëlqyer e sulmuesit është kurorëzuar me golin e katërt të Augsburgut, kur mungonin vetëm tri minuta nga mbyllja e kohës së rregullt. Me këtë paraqitje, Kapllani i ka lëshuar një mesazh të qartë edhe rivalëve të tij në sulmin kuqezi. Ai kërkon të fitojë besimin e trajnerit Kuzhe, për t’u aktivizuar prej minutës së parë në repartin ofensiv, që është bërë “pronë” e Bogdanit dhe Salihit.
#