Lorik Cana, gati për sfidën me serbët
Lorik Cana është plotësisht i gatshëm për ndeshjen që Gallatasarai do të zhvillojë sot kundër serbëve të OFK Beograd. Pas stërvitjeve me grupin gjatë këtyre ditëve dhe kontrolleve të shumta të stafit mjekësor ndaj mesfushorit shqiptar, trajneri Frenk Rajkard ka vendosur ta ketë në dispozicion 27-vjeçarin. Sfida që do të luhet në Beograd, e vlefshme për turin e tretë eliminator të Europa League, është mjaft e rëndësishme për gjigandët turq. Gallatasarai do të kërkojë me patjetër fitoren, pas barazimit surprizë 2-2, në takimin e mëparshëm të luajtur në Stamboll. Vendimi për të pasur në dispozicion Lorik Canën lidhet me dy arsye kryesore: së pari mungesat e Milan Barosh dhe Ajdin Ilmaz, të cilëve u është shtuar edhe braziliani Elano, dhe së dyti se kuqeziu mund t’i shërbejë skuadrës, në momentet kur loja do të bëhet fizike. Pak ditë më parë, Cana ishte dëmtuar pas një dueli në stërvitje, por grumbullimi për sfidën europiane, konfirmon se gjendja e shqiptarit është përmirësuar.
#