Stadiumi, Shqipëria rrezikon në Euro 2012
Përpara çdo evenimenti madhor, tashmë është shndërruar në traditë që Federata Shqiptare e Futbollit dhe drejtoria e stadiumit “Qemal Stafa” të hyjnë në konflikt. Në prag të eliminatoreve të Euro 2012, këtë herë, shkak është bërë terreni i impiantit më të madh në vend, i cili është në gjendje mjaft të rënduar. FSHF ka bërë të ditur se është e gatshme që të investojë me fondet e saj për rikonstruktuar fushën, megjithatë akuzon drejtorinë e stadiumit se po shpërfill çdo punim. Kjo pavarësisht faktit se Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Këshilli Mbikëqyrës në këtë institucion kanë vendosur që përpara ndryshimin e tapetit, para fillimit të edicionit të ri futbollistik dhe eliminatoreve të Euro 2012, ku Shqipëria luan në Grupin D me Francën, Bosnjë-Hercegovinën, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Luksemburgun.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, institucioni që drejton futbollin në vend ka theksuar se problemet me drejtorinë e stadiumit rrezikojnë përfaqësimin dinjitoz të përfaqësueses së drejtuar nga Josip Kuzhe në aktivitetin kontinental. “Problemet e krijuara me drejtorinë e stadiumit ‘Qemal Stafa’ rrezikojnë përfaqësimin dinjitoz të Kombëtares shqiptare në eliminatoret e ardhshme të Kampionatit Europian 2012. Prej kohësh, i gjithë opinioni publik është njohur me problemet dhe penalitetet që ka marrë Shqipëria nga mungesa e standardeve gjatë zhvillimit të ndeshjeve të saj zyrtare dhe miqësore në këtë stadium. Mungesa e ambienteve dhe standardeve në infrastrukturën e impiantit dhe në mënyrë të veçantë, niveli i dobët i fushës së lojës kanë qenë problemet e evidentuara në raportet e të gjithë vëzhguesve dhe delegatëve të UEFA-s. Pavarësisht kësaj, gjendja vazhdon të jetë e njëjtë dhe e pandryshueshme”, theksohej në deklaratë. FSHF e ka vendosur theksin te “lufta” me drejtuesit e “Qemal Stafës”, e cila është shndërruar në një përplasje personale, pavarësisht se MTKRS kanë vendosur që përpara nisjes së edicionit të ri futbollistik dhe mbi të gjitha në prag të Euro 2012 të ndryshohet tapeti i gjelbër. “Duke vlerësuar kushtet dhe masat financiare që janë marrë vazhdimisht për problemet e stadiumit, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Këshilli Mbikëqyrës i këtij institucioni kanë vendosur që përpara fillimit të edicionit të ri futbollistik dhe eliminator (Euro 2012), të ndërrohet fusha së këtij stadiumi”. Synimi kryesor ishte realizimi i kushtit fillestar, pra “mundësisë për të luajtur në një fushë normale futbolli”.
Duke qenë se rikonstruktimi do të paguhej nga FSHF, pasi për stadiumin diçka e tillë do të ishte e papërballueshme, toni i deklaratës për shtyp bëhet edhe më i ashpër: “Punimet për rikonstruksionin do të paguheshin nga FSHF, jo thjesht si palë e interesuar por edhe si një institucion, që ka mundësinë për të investuar një shifër të tillë, të papërballueshme nga drejtoria e stadiumit. Por, deri më tani, asnjë veprim nuk është kryer. Sepse drejtori i stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, shpërfill, çdolloj logjike që ka lidhje me përmirësimin e kushteve. Madje me një kokëfortësi të jashtëzakonshme ai nuk zbaton as vendimet e Këshillit Mbikëqyrës dhe ato të ministrit të Sporteve, i cili ka nxjerrë një urdhër në lidhje me tapetin e ri”. Pengesat për përmirësimin e imazhit të futbollit shqiptar vijnë pas konflikteve të mëparshme të federatës me drejtuesit e stadiumit, për ndarjen e përfitimeve nga biletat apo edhe për shifrën që FSHF duhet të paguajë për zhvillimin e ndeshjeve të kuqezinjve në “Qemal Stafa”.
#