E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapshticë, 600 emigrantë gdhihen në qiell të hapur

 

Pushimet e punonjësve grekë shkaktojnë radhë të gjata në kufirin grek. Situata zhbllokohet vetëm në mëngjes

KAPSHTICË- Gdhihen në qiell të hapur, në kufirin Greqi-Shqipëri me qindra emigrantë shqiptarë. Vargu i gjatë i mjeteve ka kaluar 1.5 kilometrat, ndërkohë që emigrantëve iu është dashur të presin mbi 6 orë për të kaluar traun, vetëm në orët e para të mëngjesit. Vonesa dhe radhët e gjata janë krijuar nga mesnata e kaluar, në orën 24.00, e cila ka zgjatur deri në orën 06.00 të mëngjesit, atëherë kur është ndërruar dhe turni. Pala greke, për shkak të fundjavës, punon me personel të reduktuar, ndërsa ka pasur në dispozicion të udhëtarëve shqiptarë vetëm një sportel, çka ka sjellë vonesa të paparashikueshme. Sipas komandantit të pikës shqiptare, Qamil Shkaba, mësohet se në doganën tonë, emigrantët kanë gjetur një shërbim të shpejtë, ndërsa për hyrjet në Shqipëri autoritetet e policisë së kufirit pranë Kapshticës kanë vendosur të kenë gjithmonë në punë tre sportele, ndërsa në ditët me fluks të shtojnë edhe dy të tjera. Sipas Shkabës, pala greke ka krijuar vështirësi në kalimin ndërkufitar për 6 orë pas mesnatës deri në orët e para të mëngjesit, duke lënë në qiell të hapur me qindra udhëtarë shqiptarë, mes të cilëve fëmijë të vegjël, të moshuar, gra. Madje, në vargun e gjatë të mjeteve ka patur dhe disa autobusë të linjave të përditshme mes dy vendeve që vinin nga Selaniku, Athina, etj,. Udhëtarëve të këtyre mjeteve të shërbimit publik gjithashtu iu është dashurtë presin pa fund për të marrë vulën dalëse nga shteti grek dhe për të vazhduar mandej udhëtimin e tyre në destinacioninqë ata kanë patur. Duke iu referuar shifrave zyrtare të policisë kufitare në Kapshticë gjatë 24 orëve të fundit janë përpunuar dhe kanë hyrë në Shqipëri, nëpërmjet kësaj pike mbi 3500 emigrantë shqiptare me 1200 mjete, ndërkohë që situata paraqitet krejt normale për daljet nga Shqipëria drejt shtetit grek. Sipas të njëjtave burime, statistikat e 24 orëve të fundit flasin përvetëm 900 persona që kanë lënë Shqipërinë, ndërkohë që fluksi rritet çdo ditë e më shumë për hyrjet nga Greqia. Madje, autoritetet shqiptare kishin parashikuar për këtë fundjavë një rritje të këtij numri, ndërsa vetëm gjatë dy ditëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri rreth 8 mijë emigrantë shqiptarë, një numër ky shumë i lartë krahasuar me javët e tjera të kësaj stine vere. Përsa i përket ngërçit të krijuar gjatë natës së kaluar, autoritetet shqiptare kanë kërkuar një takim me kolegët e tyre në anën tjetër të kufirit për t’u informuar për atë që ka ndodhur për 6 orë me radhë. Pala greke ka shpjeguar se gjatë natës ka pasur vetëm një sportel në gatishmëri dhe një numër shumë të kufizuar punonjësish, pasi një pjesë e mirë e tyre janë me pushimet e stinës. Gjithsesi, pas orës 07.00 të mëngjesit, pala greke ka punuar në mënyrë të vazhdueshme, pa e ndërprerë punën me tre sportele, duke zhbllokuar situatën.Xhon Baka

600

Udhëtarë shqiptarë e kanë kaluar natën në qiell të hapur, në pritje të vulës në doganën greke. Radha e makinave në pikën kufitare të Kapshticës i ka kaluar 1.5 kilometrat

3500

Emigrantë shqiptarë me 1200 mjete kanë hyrë në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit, ndërkohë që situata paraqitet krejt normale për daljet nga Shqipëria drejt shtetit grek

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›