E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri në Tiranë, shoqërohen 12 persona

Tiranë- Policia e Tiranës ka shoqëruar në komisariat 12 persona, pas zjarrit të rënë në pallatin shumëkatësh në Rrugën e Kavajës mëngjesin e sotëm. Të shoqëruar janë, administratori i pallatit, drejtuesi teknik dhe punëtorët që ishin duke kryer punime ne garazhin e pallatit. Pas më shumë se dy orë përpjekjesh, policia dhe forcat speciale kanë mundur të vënë në kontroll situatën pas zjarrit në pallatin në Tiranë. Për fat të mirë, zjarri nuk ka shënuar viktima. Flitet vetëm pë një grua të dërguar në spital, për shkak të problemeve me frymëmarrjen si pasojë e asfiksisë. Probleme ka pasur edhe një punonjës i zjarrfikëses, i cili është nisur në spital. Por mësohet se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.Ndërkohë që dëmet materiale si pasojë e flakëve mendohet se janë të konsiderueshme. Megjithatë do të pritet një bilanc për të mësuar një shifër të saktë të dëmit financiar.  Zjarri ra në orët e paradites në një pallat pranë Rrugës së Kavajës në Tiranë. Si pasojë e flakëve banorët janë përfshirë nga paniku, ndërkohë që në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie.

Menjëherë policia ka bllokuar rrugën si masë sigurie, ndërkohë që nisi evakuimi i banorëve. Për largimin e tyre u përdoren shkallë provizore, nga të cilat u nxorrën jashtë të rritur e fëmije, njësoj si nëpër filma. Nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes mësohet se aty kanë mbërritur zjarrfikëse dhe autoambulanca. Të dhënat e para hetimore bëjnë me dije se shkak i zjarrit mund të jetë bërë një gjenerator që punonte me naftë, por për këtë do të bëhen hetime të posaçme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›