Kapshticë, defekti në rrjet, vazhdon regjistrimi me shkrim në kufi
Vazhdon situata e rënduar në pikën kufitare të Kapshticës. Edhe gjatë të mërkurës, rrjeti kompjuterik nuk ka funksionuar duke mbetur e pandryshuar gjendja prej afro dy javësh. Gjatë 24 orëve të fundit, nëpërmjet kësaj pike kalimi kanë kaluar drejt shtetit grek rreth 800 persona, ndërsa regjistrimi megjithëse është kryer për gjithsecilin prej tyre, nuk është bërë nëpërmjet rrjetit on-line por janë rikthyer në mënyrat e hershme të regjistrimeve me shkrim.
Drejtuesit pranë kësaj pike kufitare vazhdojnë të ngrenë shqetësimin e depërtimit të të kërkuarve, të cilët mund të paraqiten me identitet të rremë, ndërsa mungesa e rrjetit kompjuterik për defektin e gjatë kohor iu jep më shumë prioritet njerëzve me probleme të shpallur në kërkim nga drejtësia. Sipas të dhënave zyrtare pranë policisë kufitare të kësaj pike, mësohet se problemi në sistemin kompjuterik TIM që funksionon prej më shumë se 5 vjetësh në këtë pikë kalimi është i bllokuar përsa i përket regjistrimit dhe verifikimit njëherësh të shtetasve shqiptarë që hyjnë dhe dalin nëpërmjet këtij vendkalimi në juglindje të vendit. Një problem teknik në qendrën e të dhënave të kryeqytetit shqiptar ka shkaktuar dhe konfuzion ndërsa punonjësit e policisë iu duhet të regjistrojnë hyrjet-daljet në kufi me shkrim, për të mos lënë jashtë kontrollit me qindra qytetarë që lëvizin nëpërmjet kësaj pike kalimi.