E Diel, 1 Nëntor 2026

Aktorët kosovarë sjellin Tartufin në Tiranë

Në skenën e Teatrit Kombëtar në datën 14 mars pritet të ngjitet një prej kryeveprave botërore, shfaqja Tartufie Molierit. Vepra vjen në skenën teatrore në kuadër të muajit të kulturës Shqipëri-Kosovë. E reja e Tartufit kosovar është se koprraci nuk do të jetë i krishterë, siç është në origjinalin e komedisë së Molierit, por mysliman dhe i veshur në petka të gjelbërta. Edhe kësaj here teksti origjinal do të vihet në skenë i shkurtuar dhe adaptuar, punë që regjisori Rrahim Burhan e ka bërë në bashkëpunim edhe me aktorët. Burhan është një regjisor me kontribut të çmuar në skenën evropiane dhe puna e tij është vlerësuar nga festivale të ndryshme teatri në Evropë. Në shfaqje janë angazhuar edhe skenografi i njohur turk Nurullah Tuncer, kostumografi nga Maqedonia Blagoja Micevski, dramaturgu kosovar Ilir Gjocaj, kompozitori Ilir Bajraj etj. Trupa e aktorëve përbëhet nga Bajrush Mjaku, Çun Lajçi, Igballe Qena, Blerta Syla, Mentor Zymberaj, Florentina Ademi, Bekim Guri, Shengyl Ismaili e Asllan Hasaj. Menaxher i shfaqjes është Avni Abazi, aktor dhe producent. Premiera e Tartufit u shfaq më 15 dhjetor 2008 në Teatrin e Prishtinës. Gjithashtu kjo pjesë do të vijë në skenën e Tiranës dhe në kuadër të një bashkëpunimi, si rezultat i nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes tre teatrove kombëtare shqipfolës, atë të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit. Ndërkohë që Teatri Kombëtar do të shkojë në Prishtinë me shfaqjen Alegreto Albania,e cila do të shfaqet në skenën e  Prishtinës në datën 4 dhe 6 prill. Në dramën e shkruar nga Stefan Çapaliku, Alegretto Albania,marrin pjesë aktorët Mirush Kabashi, Ahmet Pasha, Vasian Lami, por dhe aktorë të rinj si: Olta Daku, Gazmend Paja, Xhejni Fama dhe Klea Konomi. Drama është një produksion i Teatrit Kombëtar. Skenografia e kostumet i janë realizuar nga Iliriana Loxha, muzika Ramazan Kaponit dhe regjia Altin Basha. Vepra është një udhëtim brenda universit të individit në realitetin e sotëm. Në qendër të saj vihet një kryefamiljar i ngujuar së bashku me familjen e tij.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›