Karakaçi: Investimi energjetik në Bogë përfundon në shtator, rrjeti i ri 22 km do të lidhë Thethin me rrjetin kombëtar të energjisë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë fjalës së tij në Theth ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ndau lajmin me banorët për përfundimin e investimit energjetik në Bogë brenda muajit shtator.
Ai theksoi se ky projekt do të sjellë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për zonën, duke i dhënë fund situatës së vështirë që banorët kanë përjetuar prej vitesh.
Gjatë fjalës së tij, Karakaçi, deklaroi se qarku i Shkodrës, për shkak të gjeografisë së thyer, ka pasur gjithmonë vështirësi në furnizimin me energji elektrike, sidomos në zona si Bogë, Razëm, Theth, por edhe Malësia e Madhe, Lëpusha dhe Vermoshi.
“Në fakt është ndër vendet e vetme që quhet ishull energjetik, sepse nuk është i lidhur me rrjetin energjetik. Ne gjatë gjithë këtyre viteve kemi marrë masa, kemi bashkëpunuar me kryetarët e bashkive dhe banorët, duke siguruar energji nga hidrocentrali, edhe pse çdo verë ka qenë e vështirë. Ju jeni treguar shumë bashkëpunues dhe ne kemi arritur ta përballojmë,” tha Karakaçi.
Ministri bëri të ditur se tashmë është duke u realizuar një investim i rëndësishëm që lidhet me Koplikun dhe Bogën, i cili do të përfundojë në shtator të këtij viti.
“Ky projekt sjell energjinë për të gjithë banorët e zonës që janë të lidhur me rrjetin elektrik. Ndërkohë kemi lidhur kontratën nga Bogë deri në Theth, që është 22 kilometra, dhe jemi në procesin e marrjes së lejeve të tjera. Brenda dy-tre muajsh do të vendosim linjën që jep një zgjidhje të përgjithshme absolute për gjithë zonën e Thethit. Investimi që po bëjmë është ai që lidhet me Koplikun, me Bogën, i cili përfundon në shtator të këtij viti dhe sjell energjinë për të gjithë banorët e zonës që janë të lidhur me rrjetin elektrik. Ndërkohë, kemi lidhur kontratën nga Bogu deri në Theth, që është 22 kilometra, dhe jemi në procesin e marrjes së lejeve të tjera. Brenda dy-tre muajsh do të vendosim linjën që jep një zgjidhje të përgjithshme absolute për gjithë zonën e Thethit.” u shpreh Karakaçi.
Ai shtoi se synimi është që investimi të përfundojë brenda vitit, përpara sezonit turistik të vitit 2027, duke theksuar nevojën urgjente që ka kjo zonë për furnizim të qëndrueshëm me energji.
“Në fund të ditës, të gjitha këto investime të Paketës së Maleve janë të rëndësishme që të marrin edhe sigurinë e ushqimit me energji elektrike. Po ashtu, po investojmë edhe në një stacion të ri që lidh Tamarën, Lëpushën dhe Vermoshin, zona që gjithmonë kanë pasur probleme me furnizimin elektrik,” tha Karakaçi.
Në fund, ai konfirmoi se kontrata është lidhur për pjesën më të madhe të Thethit, me rrjetin energjetik prej 22 kilometrash, duke garantuar se furnizimi me energji elektrike do të jetë i plotë dhe i qëndrueshëm për banorët e zonës.” përfundoi Karakaçi.
/rtsh.al/