Udhëzim i ri i Ministrisë së Financave, shtohen dy kategori deklarimi për sigurimet shoqërore në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe

Ministri i Financave ka miratuar Udhëzimin nr. 16, datë 8.7.2026, i cili sjell shtesa në kuadrin rregullator për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Dokumenti, i publikuar në Fletoren Zyrtare, shton dy kategori të reja deklarimi që lidhen me zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe të mbrojtjes sociale që Shqipëria ka nënshkruar me vende të tjera.
Kjo ndërhyrje synon saktësimet administrative të punëmarrësve apo të vetëpunësuarve që lëvizin mes Shqipërisë dhe shteteve me të cilat ekzistojnë marrëveshje dypalëshe, duke shmangur dyfishimin e pagesave apo paqartësitë procedurale.
Shtesat e bëra në udhëzimin bazë normojnë statusin e individëve që janë të pajisur me të ashtuquajturën “Certifikatë Mbulimi të Kontributeve”.
Kategoria 42 (përjashtim nga pagesa) përfshin personat të cilët, në bazë të një marrëveshjeje dypalëshe për sigurimet shoqërore mes Shqipërisë dhe një shteti tjetër, zotërojnë Certifikatën e Mbulimit. Këta individë përjashtohen tërësisht nga detyrimi për të paguar kontribute të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Shqipëri për periudhën e mbuluar.
Kategoria 43 (pagesë me të drejtë zgjedhjeje) përfshin personat që zotërojnë Certifikatë Mbulimi, por që sipas kushteve të marrëveshjes dypalëshe gëzojnë të drejtën e zgjedhjes për të paguar vullnetarisht apo sipas përcaktimeve specifike kontribute të sigurimeve shoqërore në Shqipëri.
“Kategoria 42 përfshin personin i cili në bazë të një marrëveshjeje dypalëshe është i pajisur me Certifikatë Mbulimi të Kontributeve dhe përjashtohet nga pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.”, thuhet në Udhëzim.
Për zbatimin e këtij udhëzimi në sistemet e deklarimit tatimor është ngarkuar drejtpërdrejt Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Ndryshimet hyjnë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare, duke iu dhënë mundësi subjekteve dhe individëve të përditësojnë statusin e tyre të sigurimeve.
/rtsh.al/