E Diel, 1 Nëntor 2026

Rregulla të reja për transparencën e bizneseve, qeveria prezanton projektligjin e ri për regjistrin e pronarëve përfitues, rregulla të forta kundër pastrimit të parave

Në kuadër të përmbushjes së detyrimeve për integrimin evropian dhe luftës kundër pastrimit të parave, qeveria shqiptare ka gati një projektligj të ri “Për regjistrin e pronarëve përfitues”. Ndërhyrja ligjore e propozuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit përfaqëson një rikonceptim të thellë të mënyrës se si do të raportohet dhe kontrollohet pronësia reale e subjekteve juridike në vend, duke kaluar nga një sistem deklarativ në një model me kontroll aktiv institucional.

Sipas relacionit shoqërues, ky draft synon të forcojë integritetin e sistemit financiar dhe të parandalojë përdorimin e kompanive apo organizatave për qëllime të paligjshme, si pastrimi i parave apo financimi i terrorizmit.

“Qëllimi i projektligjit ‘Për regjistrin e pronarëve përfitues’ është garantimi i transparencës së pronësisë dhe kontrollit të subjekteve juridike, nëpërmjet krijimit dhe funksionimit të një regjistri të saktë, të përditësuar dhe të aksesueshëm të pronarëve përfitues.”, thuhet në relacion.

Roli i ri i QKB-së dhe transferimi automatik i të dhënave

Një nga ndryshimet më thelbësore të projektligjit është fuqizimi i Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB). QKB nuk do të jetë më një institucion që vetëm ruan të dhënat, por do të ketë përgjegjësi për verifikimin, përpunimin dhe kontrollin e tyre.

Për të lehtësuar barrën administrative të bizneseve, projektligji sjell një risi teknologjike: ndërveprimin mes regjistrave shtetërorë.

“Të dhënat e përgjithshme të subjektit raportues të mos deklarohen rishtazi, por të transferohen automatikisht nga regjistrat ekzistues, konkretisht nga Regjistri Tregtar dhe ai i organizatave jofitimprurëse.”, theksohet në relacion.

Kjo do të thotë që bizneset nuk do të kenë nevojë të plotësojnë dy herë të njëjtat informacione bazë. Megjithatë, ata janë të detyruar të raportojnë çdo detaj specifik që lidhet me individët që ushtrojnë kontrollin real (direkt ose indirekt).

Kush konsiderohet “pronar përfitues”?

Drafti zgjeron dhe saktëson përkufizimet e vjetra, duke u siguruar që fshehja pas strukturave komplekse (si trustet apo kompanitë offshore) të bëhet e pamundur.

Pika kyçe të identifikimit janë: Pragu i pronësisë, çdo individ (person fizik) që zotëron në mënyrë direkte ose indirekte të paktën 25% të interesit pasuror/aksioneve; kontrolli de facto, edhe nëse një person nuk ka 25% të aksioneve, ai konsiderohet pronar përfitues nëse ushtron kontroll në vendimmarrje, emërimin e drejtuesve, apo shpërndarjen e fitimeve (përmes marrëveshjeve formale/joformale); për organizatat jofitimprurëse dhe trustet, pronarë përfitues konsiderohen themeluesit, përfaqësuesit ligjorë, anëtarët e bordeve vendimmarrëse, apo përfituesit e fondeve.

Sanksionet dhe mekanizmat e kontrollit

Për të garantuar zbatimin e këtij ligji, është parashikuar një sistem i ri i quajtur “Raportimi i mospërputhjeve”. Institucionet financiare (si bankat), noterët apo avokatët, kur ofrojnë shërbime, janë të detyruar të raportojnë menjëherë te autoritetet nëse vërejnë se pronarët realë të një kompanie nuk përputhen me ata të deklaruar në QKB.

Për subjektet që shkelin ligjin, nuk regjistrojnë të dhënat në kohë, ose japin informacione të rreme, ligji parashikon:

Gjoba financiare për subjektet dhe përfaqësuesit ligjorë.

Pezullim të shërbimeve nga QKB deri në korrigjimin e të dhënave (duke u lejuar vetëm veprime bazike si dorëzimi i bilanceve).

Subjektet do të kenë të drejtën e ankimit administrativ te drejtuesi i QKB-së përpara se t’i drejtohen gjykatës, duke garantuar kështu një proces të drejtë. Pritet që pas miratimit të këtij ligji në Parlament, Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore brenda 3 muajve për të përcaktuar procedurat e detajuara teknike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›