E Diel, 1 Nëntor 2026

Karakaçi inspekton punimet në aksin Elbasan-Papër: 87% e punimeve e përfunduar në lotin e parë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, inspektoi sot punimet në aksin rrugor Elbasan–Papër, një projekt strategjik që pritet të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin dhe lidhjen rajonale.

“Punimet në lotin e parë po ecin me ritme të kënaqshme dhe progresi fizik ka arritur tashmë në rreth 87%,” deklaroi ministri Karakaçi gjatë vizitës në kantier.

Ministri Karakaçi theksoi se bajpasi i Elbasanit, i cili lidhet drejtpërdrejt me këtë aks, është parashikuar në buxhetin e vitit 2026 dhe shumë shpejt pritet të nisë procedura e prokurimit. “Ky element është kyç për funksionalitetin e plotë të rrugës,” u shpreh ai.

Segmenti nis pranë ish-Kombinatit Metalurgjik, lidhet me bajpasin e Elbasanit dhe përfundon pranë kryqëzimit të Cërrikut, në afërsi të fshatit Valas.

 Aktualisht, hapja e trasesë ka përfunduar në të tre fazat, ndërsa po vijon vendosja e trarëve në urat e segmentit dhe punimet për mbrojtjen lumore. Në muajt e ardhshëm pritet të nisë edhe shtrimi i asfaltit.

Ky projekt, i cili shtrihet përgjatë luginës së Shkumbinit, pritet të rrisë sigurinë dhe efikasitetin e transportit, duke lehtësuar ndjeshëm lëvizjen mes zonave përreth dhe duke e bërë Korridorin VIII një arterie të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal.

Ky segment, me gjatësi 9.9 kilometra, është pjesë e Korridorit VIII, një nga projektet më të rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në rrjetin paneuropian të transportit.

Aksi do të jetë i kategorisë A, me dy korsi nga 3.75 metra secila dhe një korsi emergjence. Projekti parashikon ndërtimin e 6 nënkalimeve, veprave të mbrojtjes lumore përgjatë lumit Shkumbin, si dhe veprave të vogla të artit rrugor.

Segmenti është pjesë e Korridorit VIII, një nga projektet strategjike për lidhjen rajonale dhe integrimin në rrjetin paneuropian të transportit. Gjithashtu pak javë më parë nga ana e NATO-s, ky korridor është shpallur si korridor sigurie për sa i përket kalimit të forcave transatlantike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›