Karaqevasit me protesta kundër xhandarmërisë serbe

Banorët e Karaqevës, fshat në brezin kufitar me Serbinë, nuk do të rrinë duarkryq përballë provokimeve të vazhdueshme të xhandarmërisë serbe, e cila gati çdo shkel vijën kufitare dhe patrullon në këtë fshat.
Duke parë mos reagimin e institucioneve ndaj kësaj dukurie banorët e Karaqevës, rreth 3 200 sish, të përkrahur edhe nga fshatrat tjera dhe vet qytetarët e Kamenicës, më 29 qershor do të protestojnë në hyrje të vijës kufitare me Serbinë në fshatin Novosellë.
Selver Lenjani, kryetar i këshillit lokal të Karaqevës, i ka thënë rajonipress se protesta do të jetë paqësore dhe mesazhi i saj është se tash e tutje mburojë e xhandarmërisë serbe do të jenë vet banorët.
”Ne kemi shpresuar se marrëveshja Thaçi - Dacic do t`i eliminojë këto provokime dhe ne do të jetojmë të lirë e pa brenga, por në fakt xhandarmëria serbe vetëm sa është trimëruar më shumë dhe gati çdo ditë po hyn në brendi të territorit të Kosovës”, u shpreh Lenjani.
Lenjani shpreson që edhe institucionet komunale, OJQ, partitë politike dhe shoqëria civile do të jenë përkrahës të protestës pasi që kjo protestë është në interes jo vetëm të Karaqevës, por edhe të ruajtjes së kufirit të shtetit të Kosovës.
Edhe, Shaip Surdulli, kryetar i Kamenicës, e përkrahë protestën paqësore të Karaqevës.
“KFOR-i amerikan kanë qenë mirë të informuar për këtë problem dhe realisht reagimet tona patën bërë efekt , meqë rreth dy vite nuk ka pasur hyrje të xhandarmërisë serbe. Tani këtë të enjte ajo sërish ka provokuar duke hyrë në territor të Kosovës “, tha Surdulli./Indeksonline/