E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karburantet, Ministria e Financave mbledh shoqëritë e kasave skale

Përplasja Sherr për borxhet dhe bllokimin e pikave

Konflikti i radhës mes shoqërive të kasave fiskale dhe subjekteve në sektorin e hidrokarbureve detyron autoritetet e larta të Ministrisë së Financave të mbledhin palët për ballafaqim. Takimet e para kanë nisur dje paradite në zyrat qendrore të Tatimeve, e më pas gjatë pasdites në Ministrinë e Financave. Objekti i diskutimeve kanë qenë pretendimet e dy palëve për mungesë korrektësie në zbatimin e kontratave për instalimin e pajisjeve fiskale. Shoqëritë e sektorit të karburanteve pretendojnë se kanë paguar për kasat fiskale, por që malli nuk u ka ardhur sipas kontratës, sikurse kundërshtojnë sistemin e ri të pajisjeve fiskale. Nga ana e tyre, kompanitë e autorizuara nga qeveria për vendosjen e kasave pretendojnë se karburantet u kanë borxhe që shkojnë në disa qindra mijë euro, për shkak se u kanë instaluar pajisjen, ndërsa nuk janë likuiduar. Konflikti mes palëve qëndron edhe në sistemin e ri të instalimit të kasave për pompat e karburanteve, një pjesë e të cilave janë jashtë standardit, kurse të tjerat kanë mangësi në leximin e të dhënave.

Burime nga Ministria e Financave konfirmojnë për “Shqip” faktin se janë kryer disa teste në terren pranë pikave të karburanteve, nga ku u zbuluan mangësi në kasat e instaluara nga disa prej 5 shoqërive. Pas testimeve të tjera kanë dalë me konkluzionin se vetëm sistemi i ri, sipas VKM-së së fundit, konsiderohet i duhuri. “Me sistemin e ri të vendosjes së kasës fiskale, sipas standardit të BE-së, nuk lë hapësira për abuzime të shmangies së detyrimit tatimor, si dhe të cilësisë, pasi çdo veprim i kryer me pompën regjistrohet automatikisht”, sqaron Ministria e Financave.

Gjatë takimit të zhvilluar dje në ministri, shoqëritë e kasave kanë paraqitur situatën me shitjen e kasave në pikat e karburantit, kontratat e lidhura, si dhe standardin e ndjekur. Takimi u krye pas ankesës së Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve, të cilat akuzojnë tatimet për gjobat e vendosura padrejtësisht, kur në fakt përgjegjësia bie mbi kompanitë e kasave që nuk respektojnë afatet. Mësohet gjithashtu se ministria do të nxjerrë një urdhër për bllokimin e pikave të karburantit, në rast se nuk pajisjen me kasa sipas sistemit të ri programues.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›