E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta, Bankers Petroleum pushton edhe Kuçovën

Kontrata “Albpetrol” u jep kanadezëve 50 puse në vendburimin e parë shqiptar

Kompania kanadeze, “Bankers Petroleum”, e zgjeron më tej hartën e saj të shfrytëzimit me koncesion të puseve të naftës në zonat naftëmbajtëse shqiptare. Territorit të kërkimeve për naftë e gaz natyror dhe nxjerrjes së naftës bruto i është shtuar këto ditë edhe zona naftëmbajtëse e Kuçovës. Pas kontratës së lidhur muaj më parë mes drejtuesve të kompanisë së huaj dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), ka nisur këto ditë edhe vënia në jetë e marrëveshjes koncesionare. Burime të Qendrës së Prodhimit të Naftës në Kuçovë thanë dje për gazetën se nuk janë drejtuesit e saj nënshkruesit direktë të marrëveshjes në fjalë, por kompania “Albpetrol” dhe METE. Ndërkohë mësohet se deri pak muaj më parë ishte thënë se “Bankers Petroleum” do të merrte në shfrytëzim vetëm pesë puse ekzistues të naftës, në sektorin nr.3 të kësaj qendre prodhimi, por tashmë do të shfrytëzojë fillimisht rreth 50 puse nafte ekzistues dhe më pas thuhet se ky numër do të shkojë në mbi 200 puse. Burime nga Qendra e Prodhimit të Naftës në Kuçovë konfirmojnë se “Bankers Petroleum” ka nisur të sjellë në zonën naftëmbajtëse të Kuçovës agregatët e parë të shfrytëzimit me presion të puseve ekzistues dhe po punohet intensivisht për instalimin e tyre. Ndryshe nga marrëveshja e një viti më parë, ku ishin përzgjedhur pesë nga puset më të mirë të kësaj ndërmarrjeje, këtë herë përzgjedhja e puseve ekzistues duket se është bërë në mënyrë rastësore. Ndër 50 puset e marrë me koncesion nga kanadezja “Bankers Petroleum”, ka nga ata që prej vitesh ishin të ndalur për shkak të avarive të ndryshme teknike, por edhe të tillë, që shfrytëzoheshin dhe prodhonin çdo ditë. Marrja me koncesion e këtyre puseve ekzistues shihet me optimizëm edhe nga vetë specialistët e naftës në Kuçovë, të cilët thonë se me futjen e kësaj teknologjie të re, prodhimi i naftës mund të rritet deri në trefish.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›