E Shtunë, 31 Tetor 2026

7 bashkitë më të mëdha në vend pezulluan lejet e ndërtimit gjatë 2009

Në Tiranë u dhanë 4 herë më pak leje ndërtimi se gjatë vitit 2008


Në shtatë bashkitë më të mëdha në vend kanë mbajtur peng lejet e ndërtimit për një vit. Më problematike ka qenë situata në kryeqytet, ku gjatë vitit 2009 janë dhënë katër herë më pak leje së një vit më parë. Shifrat janë bërë publike nga Shoqata e Ndërtuese gjatë analizës një vjeçare të punës. Sipas përfaqësuesve të shoqatës mësohet se mungesa e të

ndërtimit në Bashkinë e kryeqytetit mbetet një problem shqetësues për ndërtuesit. Gjatë vitit të kaluar, sipërfaqja e dhënë për ndërtim në Tiranë është rreth 4 herë më e vogël sesa mesatarja vjetore në dekadën e fundit, konstaton Shoqata e Ndërtuesve. Mësohet se shkak është mosfunksionimi i Këshillit Rregullues të Territorit në Bashkinë e Tiranës. Sipas Luigj Aleksi, kryetar i bordit, Shoqata e Ndërtuesve mësohet se janë bërë vetëm dy mbledhje të KRRT-së në 2009, mosmarrëveshjet bashki-qeveri, kanë bërë që lejet e ndërtimit të jenë minimale." Sipas Shoqatës së Ndërtuesve problem me funksionimin e KRRT dhe planeve rregulluese hasen jo vetëm në bashkinë e kryeqytetit, dhe atë të Durrësit, por edhe në 7 bashki të tjera të mëdha të vendit.


Ndërtuesit
Fushata elektorale ndikoi negativisht tek ndërtimi. Kështu thuhet në raportin vjetor të Shoqatës së Ndërtuesve të prezantuar ditën e djeshme. Luigj Aleksi, kreu i shoqatës së ndërtuesve theksoi se fushata pati ndikim negativ tek sektori i ndërtimit. Në raport theksohet se në 2009-ën bankat ndërprenë kreditë dhe ky vit ishte i vështirë për ndërtimin. "Viti 2009-të ishte viti që ndërtimi ndjeu pasojë e krizës ekonomike. Klima politike ndikoi negativisht tek emigrantët dhe tek biznesi. Po ashtu numri i lejeve të ndërtimit ka qenë shumë i ulët", theksoi Aleksi. Sipas tij, ndërtimi është jetik në ekonominë e vendit ndaj duhen përmirësuar aftësitë e menaxhimit në këtë biznes.


Kushtet ekonomike
Kriza ekonomike dhe ajo politike janë reflektuar ndjeshëm ne sektorin e ndërtimit ne vend, sektori që xhiron 1.2 miliard euro në vit, duke zënë 12% te Prodhimit të Brendshëm Bruto, por që dy vitet e fundit ka rënie të vazhdueshme. Të tjera arsye në listën e problemeve, janë moskreditimi nga bankat, mosfunksionimi i Këshillit të Rregullimit të Territorit të rretheve dhe në shkallë republike, mospagimi i firmave të angazhuara në punët publike dhe mungesa e partneritetit mes sektorit publik dhe atij privat. Me një letër të hapur, drejtuar kryeministrit, ministrave të linjës dhe krerëve të bashkive, Aktivi Kombëtar i Shoqatës së Ndërtuesve, kërkoi zhbllokim të situatës. Në letrën e hapur mësohet se ata kërkojnë jo vetëm shlyerje të borxheve që shteti i ka kompanive të ndërtimit, por edhe rishikimin e disa masave fiskale që e kanë vënë në vështirësi aktivitetin në këtë sektor. Nëse do të vijojnë të heshtin autoritet ndaj të cilëve iu drejtua thirrja e ndërtuesve, me të cilën në dijeni u vu dhe delegacioni i Komisionit Evropian në Tiranë, ndërtuesit paralajmëruan një sërë masash, por edhe përfshirjen e mundshme në garën elektorale për pushtetin vendor. Gjatë diskutimeve ndërtuesit i kërkuan gjithashtu qeverisë që të mos mbrojë vetëm investimet e huaja, por edhe kompanitë vendase, që gjithashtu vuajnë problematikën e pronësisë në aktivitetin e tyre.


Letra
Gjatë aktivit vjetor të saj, Shoqata ka numëruar gjithë vështirësitë me të cilat përballen, ndërkohë që qeveria dhe instancat përkatëse kanë qëndruar krejt indiferente."Kriza ekonomike botërore, të ardhurat më të pakta nga emigrantet, zgjedhjet politike 2009, situata e tensionuar politike prej afro një viti, mosdhënia e kredive nga bankat, mosfunksionimi i organeve vendimmarrëse KRRTRSH e KRRT të bashkive, mospagimi për një kohë të gjatë i firmave të ndërtimit të angazhuara në punët publike, mungesa e partneritetit publik-privat, këto janë pjeserisht kushtet në të cilat është përpjekur të mbijetojë aktiviteti i ndërtimit në vend", thanë përfaqësuesit e shoqatës. Sipas tyre, situata mund të përkeqësohet dhe më tej. Më shumë se 1/3 e shoqërive të ndërtimit kanë ndërprerë aktivitetin, mijëra apartamente janë të pa shitura, shoqëritë kanë hyre në borxh midis tyre, shteti ka borxhe të konsiderueshëm ndaj shoqërive dhe administrata publike ndihet e qetë, gati dhe optimiste. Ata i kanë kërkuar qeverisë të veprojë urgjent për një sërë kërkesash.

Kërkesat për ndryshim në legjislacionin tatimor
1. Kërkohet ndryshimi i vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.30, dt. 20.01.2010, se bashku me ndryshimet e bëra në Udhëzimin e Ministrit të Financave Nr.2 dt.28.01.2010 për "Tatimin mbi Vlerën e Shtuar", që bën të detyrueshëm zbatimin e çmimeve të këtij manuali për efekt të llogaritjes së detyrimeve tatimore në vlerësimin e kostos të ndërtimit, për investimet private dhe publike.
2. Tabela e pagave referuese për sektorin e ndërtimit, e miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.285, datë 04.05.2007 të ndryshojë sipas propozimit të Shoqatës së Ndërtuesve e cila faktikisht i përgjigjet pagave reale të sektorit të ndërtimit.
3. Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë kërkon me forcë, heqjen e tatimit mbi fitimin për sipërfaqet që nuk shiten nga shoqëritë e ndërtimit por përfitohen nga pronarët e truallit në këmbim të sipërfaqes së truallit që ato vënë në dispozicion të shoqërive të ndërtimit. Ky tatim të paguhet vetëm nga pronarët e truallit, të cilët realisht janë personat që përfitojnë të ardhura nga shitja e sipërfaqeve të ndërtimit në këtë rast.
4. Administrata tatimore t'i përmbahet marrëveshjes së përbashkët, të nënshkruar midis dy palëve, pasi kohët e fundit ka çuar shpesh në qëndrime arbitrare të inspektoreve tatimore.
5. Të hiqet barra administrative nga Ligji Nr.9917, datë 19.05.2008 "Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit", dhe të gjitha transaksionet me vlerë më të madhe se 6 milion lekë të kryera me bankë, të merren vetëm nga bankat e nivelit të dyte ku këto transaksione kryhen.

Lidhur me organet vendimarrese
1. Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë kërkon funksionimin normal dhe sipas ligjit të organeve vendimmarrëse dhe miratimin sa më parë të Planit Rregullues të Tiranës i cili konsiderohet i përfunduar.
2. Jo të pakta janë problemet me hipotekimin e objekteve. Shpresuam shumë se me ligjin e legalizimeve do mund të jepej një shtyse dhe mbylljen e plotë të problemit deri në hipotekim. Mund të themi se dhe ky ligj po kompromentohet qofte për zgjatjen e tij qofte për mos finalizimin me regjistrimin e objekteve.
3. Totalisht i pa qartë dhe i pakuptueshëm është VKM 835 dt 15.07.2009 sipas të cilit firmat e infrastrukturës që nuk kanë kryer 70% të punimeve në objekte të kontraktuara ose që janë në proces për tu kontraktuar nuk mund të marrin pjesë në tendër për objekt tjetër. Kërkojmë anullimin sa më parë të këtij vendimi dhe bashkëpunimin me Minitrinë e Punëve Publike Transporteve dhe Telekomunikacionit  për zgjidhjen e problemit të pagese së këtyre firmave.

Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›