Lech Kaczynski, fundi i një force politike
Si President i vendit, apo ish-kryetar i partisë që fitoi zgjedhjet e fundit parlamentare, emri i tij ishte një nga më dominantët e skenës politike të Polonisë dhe ai vetë një nga personat më me ndikim në vend. Kishte fituar reputacionin e një politikani të mprehtë dhe që parapëlqente të debatonte, madje së fundi jo rrallë kishte debatuar edhe me Kryeministrin e vendit, Tusk. Presidenti, vëllai i të cilit kishte qenë kohë më parë Kryeministër i vendit, ishte akuzuar për nepotizëm dhe grumbullim pushteti në grushtin e pak personave. Karrierën, Presidenti i ndjerë dhe vëllai e nisën duke iu bashkuar grupimit të Lech Walesa-s, “Solidariteti”, sindikata e të cilit nisi e para betejën kundër komunizmit në Poloni. Me rënien e shtetit socialist në vitin 1989, ai shërbeu për pak kohë në zyrën e Walesa-s, i cili u bë President i vendit, para se ky ta përjashtonte. Kontradiktat që patën dy ish-aleatët ishin shumë të mëdha dhe u shndërruan në pjesë të karrierës së Kaczynskit. Ai ishte i bindur se lideri i “Solidaritetit”, duke nënshkruar një marrëveshje me qeverinë e fundit komuniste të Polonisë, e shiti revolucionin dhe i lejoi elementët komunistë të së shkuarës që të vazhdonin të gjallonin. Në vitin 2001, ai themeloi Partinë Ligj dhe Drejtësi. Partia premtoi që të ndiqte një axhendë konservatore dhe të sulmonte korrupsionin. Pas tre vjetësh si kryetar i Bashkisë së Varshavës, në tetor të vitit 2005, ai triumfoi në zgjedhjet presidenciale dhe u bë kryetar shteti. Ndërkaq i vëllai u bë Kryeministër dhe Polonia e pa veten të drejtohej nga dy binjakët. Në zgjedhjet e 2007-s, partia humbi dhe vëllai binjak ia la vendin Kryeministrit të opozitës, Tusk.
#