E Diel, 1 Nëntor 2026

Karburantet, tregtarët abuzojnë me taksën e re

Emirjon Senja

Qytetarët janë përballur me abuzime të theksuara në drejtim të çmimit të karburanteve gjatë ditëve të para të këtij viti. Çdokush që ka furnizuar me karburant automjetin e tij kryesisht këto tre-katër ditët e fundit, ka vërejtur një rritje çmimi 2 deri 3 lekë për litër, e pajustifikueshme për kushtet e tregut. Me të mësuar hyrjen në fuqi të taksës së re të qarkullimit mbi karburantet, pika të caktuara të shitjes së karburanteve me pakicë, por edhe disa kompania ndërruan tabelat e çmimeve duke aplikuar edhe çmime më të shtrenjta sikur karburantin në depozita ta kishin futur të taksuar rishtazi.

Një litër naftë filloi të shitej mesatarisht me 182 lekë/litri, kurse benzina me 184 lekë/litri që prej ditëve të para të janarit. Këto janë çmimet mesatare, ndërkohë që në pika të caktuara në kryeqytet, benzina shitet edhe me 186 apo 187 lekë për litër, kurse nafta shkon deri në 185 lekë për litër.

Rritja është arsyetuar me hyrjen në fuqi që prej datës 1 janar të taksës së re të qarkullimit mbi karburantet në masën 2 lekë për litër (2.4 lekë me TVSH), por në rastin konkret justifikimi nuk qëndron. Kjo për faktin se taksa e re aplikohet për karburantin që hyn rishtazi në territorin e vendit, pra në momentin e zhdoganimit, ndërkohë që kompanitë nga ana e tyre kanë detyrim ligjor që të mbajnë rezerva karburanti që do të mjaftojnë për 90 ditë. Prandaj edhe rritja e menjëhershme e çmimit pas hyrjes në fuqi të taksës së re të qarkullimit justifikohet vetëm me abuzimin në treg nga ana e kompanive apo pikave të caktuara të shitjes së karburanteve, pasi fillimisht duhej të mbaronte karburanti që ka hyrë me regjimin e vjetër të taksave. Taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin është 5 lekë/litër deri në 31.12.2011, pas kësaj date, taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin bëhet 7 lekë/litër. Kjo taksë zbatohet si për benzinën e gazoilin e importuar, ashtu edhe për atë të prodhuar në vend. Për benzinën dhe gazoilin e importuar, importuesi e paguan taksën e qarkullimit pranë degëve doganore ku është duke kryer procedurat e zhdoganimit, – ky është një paragraf nga udhëzimi i Ministrisë së Financave për zbatimin e ndryshimeve ligjore në ligjin Për të ardhurat kombëtare, të miratuara në verën e këtij viti, ku përcaktohet edhe mënyra e pagesës së taksës së re të qarkullimit si dhe koha e pagesës, e cila bëhet në momentin i zhdoganimit.

Çmimi i karburanteve ka njohur një ndër shtrenjtimet më të mëdha në një periudhë të shkurtër kohore që prej gushtit të vitit 2011, kur hyri në fuqi taksa e qarkullimit për karburantet, fillimisht me 5 lekë për litër (6 lekë me TVSH). Çmimi u rrit automatikisht 6 lekë për litër si për naftën ashtu edhe për benzinën. Rritja tjetër më e fortë u aplikua në muajin nëntor, ku kompanitë ndërmorën një shtrenjtim me 5 lekë për litër naftës dhe benzinën duke e justifikuar me rritjen e çmimit në bursa dhe ndryshimit të kursit të këmbimit të dollarit.

Rritjet më të forta të çmimit

Rritja më e fortë e çmimeve të karburanteve ka ardhur për shkak të taksës së re të aplikuar që nga gushti 2011. Taksa është në nivelin 7 lekë për litër, por bashkë me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar pasqyrohet me 8.4 lekë tek blerësit fundorë.

Gusht 2011           6 lekë për litër

Nëntor 2011         6 lekë për litër

Dhjetor 2012        3 lekë për litër

Total                      15 lekë për litër

Taksat që vjel shteti nga karburantet*

TVSH në nivelin 20 %

Akcizë  37 lekë litër

Taksë karboni 3 lekë/litër nafta

1.5 lekë/litër benzina

Taksë qarkullimi 7 lekë/ litër

Tatim fitimi 10 %

*Taksa të tjera vendore
 

Dorëzohet qeveria, pranon paratë e BB-së për krizën

Problemet me financat publike bëjnë që qeveria të përgatitet për negociata me Bankën Botërore për të siguruar nga ajo financime shtesë gjatë dy viteve në vijim në kuadër të mbështetjes që do të japë banka për disa vende në kuadër të përballimit të pasojave të krizës. Lajmi është konfirmuar nga Zyra e Bankës Botërorë në Tiranë, e cila ndër të tjera shprehet se mbështetja financiare do të mund të përdoret nga ekzekutivi në drejtim të ruajtjes së stabilitetit fiskal dhe makroekonomik. Për shkak se nuk është arritur ende një marrëveshje, Banka Botërore nuk bën me dije për shumën e kredisë që do ti ofrohet Shqipërisë, por sqaron se bëhet fjalë për një fond, i cili do të përdoret për të mbështetur financiarisht edhe vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore, Ballkanit Perëndimor, Kaukazit dhe Turqia. Banka Botërore është angazhuar tashmë me qeverinë në përgatitjen e një kredie për mbështetjen e politikave të zhvillimit që lidhen me qeverisjen dhe konkurrueshmërinë, e cila mund të përdorë financime shtesë për të forcuar programin e reformave ekonomike, – shpjegon Zyra e BB-së në Tiranë.

Referuar kësaj të fundit, mësohet se fondi do të mund të përdoret nga qeveria edhe për të mbuluar mosrealizim e të ardhurave apo në mbështetje të shpenzimeve buxhetore. Qeveria e Shqipërisë do të jetë gjithashtu në gjendje të përdorë mbështetjen shtesë nga Banka Botërore për të reduktuar dobësitë fiskale dhe për të ruajtur stabilitetin fiskal dhe makroekonomik për vijueshmërinë e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës, – vijon Banka Botërore.

Marrja e kredive të tilla nga këto institucione shoqërohen zakonisht edhe me kushte dhe reforma që duhet të ndërmarrin qeveritë për të siguruar qëndrueshmëri, pritet për tu parë kërkesat që Banka Botërore do ti bëjë qeverisë shqiptar për lëvrimin e parave. Pritet që një grup ekspertësh të Bankës Botërore të vizitojë Shqipërinë javën e ardhshme për të negociuar me qeverinë shqiptare për të për fushat të cilat do të mbështeten më anë të kësaj kredie.

Inflacioni poshtë parashikimeve, tkurren blerjet

Shqiptarët nuk shpenzuan si zakonisht gjatë festave të fundvitit. Të paktën kjo është ajo çka vërehet nga raportimet e Institutit të Statistikave mbi treguesit e inflacionit për muajin dhjetor. Sipas INSTAT, inflacioni për dhjetorin ishte në nivelin e 1.7 për qindve, treguesi më i ulët i arritur gjatë viteve të fundit. Ky tregues është më poshtë edhe angazhimit të Bankës së Shqipërisë për mbajtjen e tij në kufijtë e 2 deri në 4 për qind në një periudhë afatmesme. Zakonisht, gjatë muajit dhjetor, kur janë edhe festat e fundivit, inflacioni shënon rritje krahasuar me muajt e tjerë për shkak të shpenzimeve por edhe çmimeve të larta, gjë e cila nuk ka ndodhur këtë vit.

Instituti lajmëroi për një rritje minimale të çmimit të mallrave të konsumit gjatë muajit të shkuar, ku ushqimet u shtrenjtuan me vetëm 1 për qind krahasuar me rritjen 2.2 për qind, e shënuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritjen më të lartë e shënuan zarzavatet, me 27 për qind, ndërkohë që është vërejtur një ulje modeste tek çmimet e veshjeve dhe këpucëve. Karburantet ndërkohë kanë njohur përsëri rritje çmimi gjatë dhjetorit, përkatësisht 0.1 % për naftën dhe 0.3 % për benzinën.

1.7

për qind ishte inflacioni i shënuar përgjatë muajit dhjetor. Kjo është shifra më e ulët e këtyre viteve të fundit dhe del jashtë angazhimit të Bankës së Shqipërisë për mbajtjen në nivelet 2 deri në 4 për qind

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›