E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/Ruhet nderi i Ajnshtajnit – shpejtësia e neutrinos është matur gabim

26-02-2012 / Gazeta 55

Pjesëzat nuk mund të fluturojnë më shpejt se drita. Një eksperiment në qendrën kërkimore CERN pati zbuluar në shtator pjesëza më të shpejta, por kjo për shkak të një gabimi në matje. Në fund të muajit shtator 2011 studiuesit e Qendrës Kërkimore CERN në Gjenevë dolën në publik duke deklaruar se kanë vëzhguar neutrino, që ka mundësi të jenë më të shpejta se drita. Kjo do të kishte hedhur poshtë teorinë e relativitetit të Ajnshtajnit, të vitit 1905. Por një kontroll i eksperimentit tregoi se Ajnshtajni kishte të drejtë. Një gabim në matje shpjegon mbase ndryshimet minimale të kohës. Neutrinot ishin vetëm 0,025 promille më të shpejta se drita. Një kabëll fibrash xhami dhe një aparat sinkronizimi të dhënash GPS mund të kenë shkaktuar gabimin në matje.
Tani testi duhet të provohet sërish në muajin maj. Në  projektin Opera shkencëtarët e qendrës kërkimore CERN në Gjenevë godasin nën tokë neutrino në drejtim të Gran Sasso-Massiv në Abruzzo të Italisë. Pjesëzat, që vijnë atje, do të maten në një laborator nëntokësor me një detektor OPERA (Oscillation Project with Emulsion-tracking Apparatus). Neutrinot janë pjesëza të vogla, për të cilat shkëmbinjtë nuk paraqesin pengesë. Prandaj ato quhen "pjesëzat fantazmë", sepse depërtojnë pa u kuptuar në materie dhe trupin e njeriut. Neutrinot bashkëveprojnë rrallë me materie të tjera dhe janë elektrikisht neutrale. Në Gjenevë shkencëtarët prodhojnë një rreze pjesëzash, i cili drejtohet mbi Gran Sasso-Massiv. Nga kjo rreze, që përbëhet nga pjesëza të ndryshme, vetëm neutrinot mbërrijnë pas 730 kilometrash objektivin e tyre. Eksperimenti kryhet për të marrë një dëshmi të luhatjeve të neutrinove. Aty kemi të bëjmë me një ndryshim të tipeve të neutrinove, të pranuar teorikisht, por të pa provuar në praktike. Këto luhatje ndodhin, nëse neutrinot kanë një masë, sado të vogël. Nëse këta shkencëtarë mësojnë në këtë mënyrë më shumë për masën e neutrinove, atëherë mund të kuptojnë edhe karakteristikat e masës se pjesëzave të tjera elementare. Neutrinot vijnë në Gran Sasso në rreth 2,4 milisekonda. Ardhja e tyre mund të kapet në laborator në 10 nano- sekonda (10 të miliardat e sekondës). Përveç kësaj, distanca e fluturimit sipas të dhënave të CERN-it është matur me saktësi 20 centimetra. Që prej fillimit të eksperimentit studiuesit kanë ndaluar kohën e fluturimit të rreth 16 mijë neutrinove, duke arritur kështu një siguri relativisht të madhe statistikore.
Ndërkohë që një shkencëtar reagoi me eufori në muajin shtator për zbulimin e pjesëzave të shpejta, njoftimi i zbulimit u pa në mënyrë skeptike nga shkencëtarë të tjerë. "Teoria e relativitetit është një nga gurët themelorë të fizikës," thotë Johan Bijnens, fizikant në Universitetin e Lundit në Suedi. "Nëse ajo nuk do të ishte e vërtetë, ne do ta kishim të vështirë të ndaheshim prej saj".

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›