E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karkalecat "pushtojnë" parcelat në jug të vendit

Burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Bujqësisë dhe Ushqimit në Gjirokastër bënë me dije se, karkaleci ka dëmtuar afro 200 hektarë tokë bujqësore në këtë rreth, 150 hektarë në Tepelenë si dhe 150 hektarë në rrethin e Përmetit. 

GJIROKASTËR - Karkalecat "pushtojnë" parcelat e mbjella me kultura bujqësore në jug të vendit tonë. Burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Bujqësisë dhe Ushqimit në Gjirokastër dje bënë me dije se, karkaleci ka dëmtuar afro 200 hektarë tokë bujqësore në këtë rreth, 150 hektarë në Tepelenë si dhe 150 hektarë në rrethin e Përmetit. Zonat më të prekura nga insekti dëmprurës në Gjirokastër janë Komuna e Cepos, Picarit dhe Lunxhërisë. Ndërsa, në Tepelenë janë pushtuar nga karkaleci Lopsi, Qesarati dhe Kalivaçi. Ndërkohë, në Përmet janë problematike komuna e Ballabanit, Sukës, Dangëllisë etj. Sipas specialistëve, këto janë edhe komunat që mbjellin më shumë kultura bujqësore, ku prioritare janë perimet dhe foragjeret. Fermerët e komunave të prekura nga karkaleci janë shprehur tepër të shqetësuar, pasi insekti mund të çojë dëm punën e bërë deri tani për mbjelljen dhe shërbimet ndaj kulturave bujqësore. Janë me dhjetëra hektarë perime, vreshta, pemë, por edhe foragjere që po shkatërrohen nga karkaleci. Fermerët thonë se nëse nuk merren masa urgjente për luftimin e karkalecit, ata nuk do të nxjerrin dot as shpenzimet për mbjellje, e jo më fitime. Por, paralelisht me bujqësinë, karkaleci po rrezikon edhe blegtorinë (janë dëmtuar foragjeret). Burimet e mësipërme pohojnë se ende Ministria e Bujqësisë nuk ka akorduar fonde për të blerë pesticide për t'i vënë në dispozicion të fermerëve. Sipas specialistëve të bujqësisë, nëse nuk ndërhyhet për të goditur insektin, atëherë parcelat e pushtuara nga karkaleci do të dhjetëfishohen, ndërsa në Jug nuk do të ketë prodhime bujqësore.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›