Karlsruhe e Kapllanit, kampione e dimrit në Bundesliga 2

Albania Sport (AS) - Karlsruhe e Edmond Kapllanit është shpallur "kampione e dimrit" në Bundesligën 2, duke fituar kështu edhe duelin në largësi me Hansa Rostok. Karlsruhe fitoi të dielën 2-0 me Furth (autogol i Lanig në të 17' dhe Freis në të 51')duke u ngjitur kështu pas 17 javëve në kuotën e 38 pikëve, 1 më shumë se Hansa Rostok dhe 6 më shumë se Duisburg e vendit të tretë, që përbëjnë dhe treshen kandidate për t'u ngjitur në Bundesliga 1. Sulmuesi shqiptar Edmond Kapllani është vlerësuar me notën e mirë 3.5 nga revista prestigjioze "Kicker", notë që e kanë marrë një pjesë e mirë e lojtarëve. Mbrojtësi Franc është vlerësuar më mirë për Karlsruhen me notën 2. Karlsruhe në 17 javë arriti 11 fitore, pesë barazime dhe vetëm një humbje, duke i dhënë shpresa kampionëve të Gjermanisë të sezonit 1909, se verën e ardhshme do të jenë midis skuadrave më të mira të Gjermanisë. Gjatë fazës së parë të Bundesligës, Edmond Kapllani shënoi 9 gola në 15 ndeshje të aktivizuara. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare dha edhe një asist për gol, si dhe u ndëshkua me një karton të kuq, i marrë pas dy të verdhave. Nota mesatare e vlerësimit të tij nga "Kicker" është 3.18, një vlerësim tepër i kënaqshëm për të. Në katër ndeshje Kapllani është vlerësuar me notën shumë të mirë 2, ndërkohë që vlerësimin më të dobët e ka patur 4.5 (vetëm një herë në ndeshjen kundër Kickers Offenbah).
Mehmet Dragusha
Është shfaqur më në fund edhe ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare, Mehmet Drafusha që luan në radhët e SC Padeborn. Kosovari ka luajtur për njëzet minuta në takimin Padeborn-Burghausen (1-1) duke zëvendësuar Shulp. Gjatë 17 javëve të fazës së parë të Bundesliga 2, 29-vjecari Dragusha është aktivizuar vetëm në 6 takime (5 herë si zevëndësues). Mesfushori është vlerësuar vetëm në dy takime (4.5 mesatarja), pasi në katër të tjera ka luajtur shumë pak.
Enis Alushi
Shqiptari Enis Alushi që luan për formacionin e Këln në Bundesliga 2 ka luajtur për herë të parë gjatë këtij sezoni në ndeshjen Këln-Kaiserslautern (2-2). Alushi, që mbush të premten, më 22 dhjetorm, mbush 21 vjec, hyri si zëvendësues në minutën e 70, në vend të Sherz, autori i golit të dytë për Këlnin dhe i vlerësuar si më i mirë i ekipit të tij (nota 2,5).