Besart Berisha, me të shkuarën prapa, e ardhmja i përket atij

Marrë nga www.fifa.com
Përshtati Altin B. Kodra
Jeta si tifoz i Hamburgut ka qenë gjithcka përvecse një kënaqësi këto kohët e fundit, kjo edhe për arsye se statusi i pashoq i këtij klubi, si i vetmi nga klubet themeluese të Bundesligës (në formatin aktual), që nuk ka rënë asnjëherë nga kategoria e parë, është seriozisht në rrezik, pasi skuadra nga veriu i Gjermanisë ndodhet aktualisht në zonën e ftohtë të funfit të tabelës së renditjes, 3 pikë më pak sesa kuota e nevojshme e sigurisë, kur ka mbetur edhe një ndeshje për t'u luajtur përpara se kampionati gjerman i futbollit të bëjë pushimin dimëror. Kjo situatë, është padyshim një katastrofë e pashoqe, sidomos po të krahasohet me sezonin e shkuar, kur Hamburgu bëri për vete shumë admirues me një marshim mbresëlënës drejt vendit të tretë në renditjen përfundimtare. Sikur të mos mjaftonte kriza në Bundesligë, edhe sezoni i kësaj skuadre në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve të Evropës, Ligës së Kampioneve, u mbyll si mos më keq, me një fitore të arritur në 6 ndeshje dhe një vend të fundit në renditjen e grupit, që nuk i mjaftoi as për të siguruar vazhdimin e mëtejshëm të aventurës evropiane, në turin e 32-shes së Kupës UEFA. Gjithsesi, një rreze drite ka depërtuar në horizontin e zymtë të qiellit futbollistik të Hamburgut, pasi talenti i ri, Besart Berisha, ka shpërthyer në fushën e blertë, duke shërbyer si katalizator i skuadrës së tij këto javët e fundit dhe duke zgjuar shpresat e ndryshimit të fatit të kësaj skuadre. Shqiptari 21-vjecar ishte, për herë të parë, në 11-shen e parë të Hamburgut në Ligën e Kampioneve, në atë ndeshje të fundit në grup me CSKA-në e Moskës, duke e shfrytëzuar plotësisht këtë shans, pasi shënoi golin e barazimit momental, 1-1, për skuadrën e tij, e dhe duke vijuar të kontribuonte me një paraqitje energjike dhe agresive, në atë fitore të papritur, 3-2, të arritur në minutat e fundit. "Besarti ishte sot një lojtar i klasit të lartë, - deklaroi pas ndeshjes trajneri i Hamburgut, Tomas Doll, i cili gjithashtu parashikoi edhe një shpresë të re për skuadrën e tij të demoralizuar. - Djaloshi shqiptar ka demonstruar se ne mund ta ndërtojmë lojën rreth tij." Vetë Berisha ishte i lumtur, pas debutimit të tij të suksesshëm në Evropë, duke thënë: "Kam pritur një kohë të gjatë për të shijuar këtë moment. Kjo ishte padyshim, dita më e lumtur e jetës sime deri tani. Ishte një cast pabesueshmërisht emocionues." Jo shumë kohë më parë, Berisha vecse mund të ëndërronte për mbrëmje si ajo e mërkurë e Ligës së Kampioneve. I lindur më 29 korrik të 1985-s, në Kosovë, sulmuesit i është dashur të kapërcejë një sërë mungesash dhe problemesh të ndryshme, në rrugën e tij drejt një karriere në futboll. Kur ishte vetëm shtatë vjec, ai dhe familja e tij u larguan, për t'i shpëtuar luftës civile që përfshiu ish-Jugosllavinë dhe u zhvendos në Gjermani, fillimisht duke u strehuar në një kam refugjatësh në Berlin. Futbolli shërbeu si një rrugëdalje mjaft interesantë për të të riun Berisha, i cili luajti për skuadrën e Berlin VB 49 dhe më pas për atë të BFC Dinamo, përpara se të vijonte me skuadrën e TSV Lihtenberg, duke fituar më në fund një vend në skuadrën e SV Lihtenberg 47. Që në fillimet e tij, ishte e qartë dhe e dukshme se sulmuesi ishte i bekuar me talent, ndonëse, mundësia për të spikatur erdhi vetëm kur ai kaloi te klubi i Tenis Borusia Berlinit. Ai e mbylli kampionatin e Bundesligës U-19, në 2004-rën, me 20 gola nga 26 ndeshje, duke tërhequr padyshim vëmendjen e një numri "gjuetarësh" të talenteve. Hamburgu veproi më shpejt se të tjerët dhe talenti 1.84 m i gjatë firmosi për gjiganten e Gjermanisë Veriore. Berisha ishte tashmë posedues krenar i një kontrate profesionistë, por gjithsesi i mungonte leja e qëndrimit. Në kushte normale, ai dhe familja e tij do të ishin dëbuar nga Gjermania, por e ëma e Besartit ishte traumatizuar seriozisht nga lufta në vendine saj të lindjes dhe familjes së tij, si refugjatë, iu dha një leje e përkohshme për të qëndruar. Por, për të siguruar një leje zyrtare qëndrimi, Berishës iu desh të hynte në Gjermani në mënyrë të ligjshme. Ai u rikthyer në Prishtinë dhe aplikoi për nënshtetësinë serbo-malazeze, por ky proces u vonua nga burokracitë e vendit ballkanik, duke e lënë futbollistin e ri në një gjendje ankthi të përhershëm. Ai detyrua të jetonte i fshehur në Kosovë, pasi njerëzit rreth e rrotull tij mësuan se ai ishte futbollist profesionist në Gjermani, ndërsa rreth kriminale kishin shqyrtuar edhe mundësinë e marrjes peng të futbollistit, për të përfituar një shumë të majme në shkëmbin të lirimit të tij. "Thuajse shkallova, - kujton futbollisti i ri, - dhe nuk do ta harroj kurrë atë kohë. Por, nga ana tjetër, edhe kam mësuar nga ajo periudhë." Në rikthimin e tij në Gjermani, atij iu dha një leje qëndrimi njëvjecare, por e gjithë kjo mungesë ka bërë që ai të mungojë në fazën përgatitore parasezonale dhe klubi vendosi ta aktivizonte me skuadrën e rezervave të të Hamburgut, që militon në kategorinë e tretë të futbollit gjerman, në Regionalliganord. Gjithsesi, kushtet e lejes së tij të qëndrimit nënkuptonin se ai nuk lejohej të luante me skuadrën e rezervave, ndaj Hamburg e dha hua te klubi danez i kategorisë së parë, Aalborg BK, për gjysmpn e dytë të sezonit 2004-2005 dhe, më pas, te rivalët e Aalborgut, AC Horsens, në sezonin 2005-20066. Dhe, në këto dy klube, sulmuesi përfitoi një përvojë të konsiderueshme në 11-shen e parë. "Ne luanim me një sulmues të vetëm te Horsensi, kështu që unë mësova të kujdesem për veten", - pohon Berisha. 11 golat që ai shënoi e ndihmuan klubin danez të shmangte rënien nga kategoria, përpara se ai të kthehej te Hamburgu, në fillim të sezonit aktual, dhe të fitonte më në fund vendin e tij në 11-shen e parë të skuadrës. Një udhëtim i vështirë dhe i frikshëm është tashmë një e shkuar për sulmuesin shqiptar, i cili po i afrohet më në fund realizimit të ëndrrës së tij. "Tashmë unë synoj të konfirmoj veten dhe t'ia dal me sukses këtu", - deklaron 21-vjecari. Një ndeshje e parë me përfaqësuesen e Shqipërisë duket se e konfirmon progresin e tij të pamohueshëm. Ndërkohë, ai dhe familja e tij kanë siguruar leje qëndrimi të pakufi në Gjermani, pasi rroga e tij mjafton për të siguruar që familja Berisha nuk ka nevojë për asistencë sociale. "Kështu, për mua, sporti ka një kuptim krejt të ndryshëm, pasi unë e marr seriozisht futbollin", - thekson sulmuesi. Ai është i vendosur që të fitojë një vend si titullar në skuadër, një betejë kjo për të cilin ai është vecanërisht i motivuar. "Nuk do ta harroj kurrë se nga kam ardhur, pasi ai muaj i kaluar në Prishtinë më ka lënë mbresa të pashlyeshme", - thotë ai. Besart Berisha e ka fituar tashmë betejën më të madhe të jetë së tij deri më tani. Tani ai është gati për të shpërthyer në fushën e blertë.