Karnavalet, jo vetëm në Shkodër
"Ka ardhur koha që festatradicionale e karnavaleve që zhvillohet në qytetin e Shkodrës t'i kapërcejë kufijtë e një feste lokale dhe të ketë pjesëmarrjen e gjërë dehe të qyteteve tjera". Kështu shprehet njëri prej organizatorëve të këtij aktiviteti, Edmond Angoni. Ai shton se është Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që duhet të mendojë seriozisht për të tërhequr vëmendjen edhe të qyteteve të tjera dhe për ta kthyer këtë festë në një mundësi për zhvillim të turizmit kulturor. "Ka ardhur koha që Karnavalet të kenë një gjithëpërfshirje të trevave të ndryshme të vendit, ku pasuria kulturore e tradicionalja të gërshetohen për të promovuar vlerat e këtij vendi",- thotë Angoni për gazetën "Shekulli". Karnavalet 2008, që nisën dje e vazhdojnë edhe sot synojnë një përfshirje më të gjërë në këtë festë të grupeve të ndryshme. Janë "Arlecchino"që vë në dispozicion falas maska dhe veshjet përkatëse nga më të ndryshmet dhe "Illirikym" e mbështetur nga Bashkia e Shkodrës, që kanë marrë përsipër organizimin e kësaj feste. Risia e karnavaleve të sivjetshme qëndron pikërisht në faktin se parakalimi në rrugët e qytetit do të bëhet në dy ditë, ndërsa për herë të pare, përveç parakalimit të grupeve të ndryshme të njerëzve, kalorësve me kuaj apo motorçiklistëve, do të ketë dhe pika shërbimi gatimesh tradicionale. Surprizat e karnavaleve të sivjetshme është ngritja e një dordoleci me përmasa të mëdha, ndryshe nga vitet e tjera. Ai është konceptuar në formën e një merimange të zezë mbi trupin e së cilës janë shkruar dukuri negative të jetës sonë të përditshme, si trafikimi i qënieve njerëzore, dhuna dhe krimi në familje, korrupsioni etj. Nuk mungojnë edhe njerëzit e veshur si djaj dhe ata që nën maskat e veshjeve të kafshëve të ndryshme, fshehin figurat e politikanëve. Lidhur me përmasat e karnavaleve të sivjetshme, Angoni shprehet se mendon se këtë vit do ketë më shumë persona, si ato që janë pjesë aktive e festës ashtu dhe ato që do dalin në shesh për të festuar. Kjo ndodh pasi çdo vit, kjo festë po merr përmasa më të gjëra. Është shpirti artistik i shkodranit, arkitektura e këtij qyteti i njohur për lidhjet e tij të fuqishme tregtare e kulturore me Venedikun e dikurshëm, janë rrugicatkarakteristike të Shkodrës, që të bëjnë të mendosh se je duke festuar karnavale veneciane. Për këtë karnavalet e Shkodrës duhet të marrin përmasa më gjithëpërfshirëse duke përçuar vlerat kulturore por dhe traditën e artizanatit shqiptar. "Bota feston karnavale në Vencia e Brazil, përse në një të ardhme të afërt të mosbëhet dhe Shkodra një qytet karnavalesh ? Mundësitë janë duhet vetëm mbështetje nga shteti dhe krijim mundësie për të tërhequr interesin e shqiptarëve dhe të huajve", - thotë Angoni. Çdo vit Shkodra furnizon karnavalet e Venecias me 30 mijë maska. Prej shumë vitesh prodhimet e punishtes shqiptare janë më të kërkuarat, jo vetëm në Venecia, por dhe në vende të tjera si Francë, SHBA, Suedi, etj. Kjopër shkak të cilësisë së tyre, teknikës artizanale, punimit me dorë, një mjeshtri që në tregun venecian të masakave po zhduket. Maskat e veshjet e kësaj feste vihen në dispozicion nga "Arlecchino" falas. Pas përfundimit të festës në shesh, të maskuarit e vazhduan atë nëpër lokalet e ndryshme të qytetit.