E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndikimi politik i sindikatave*

A do të arrijë rigjallërimi politik i sindikatave të ndalojë globalizimin? Apo rritja e rolit të tyre do ta bëjë globalizimin më të qëndrueshëm, duke kontribuar për barazi dhe drejtësi në përmasa të mëdha? Sot, liderët politikë amerikanë, për shembull, kongresmeni Barni Frenk (Barney Frank), duan të rikthejnë fuqinë e dikurshme të sindikatave. Por në këtë rast ka shkaqe të bazuara për skepticizëm. Për një vend relativisht të varfër, si Kina, sindikatat e tanishme mund të ndihmonin në arritjen e një balance forcash të fuqisë punëtore, gjë që do të sillte përfitime për rritjen e cilësisë së jetës së punonjësve, përfitime të cilat nuk tejkalojnë kostot e rritjes ekonomike. Në disa pjesë të Kinës, kushtet e punës në fabrika janë reminishenca të SHBA-ve në fillim të shekullit të njëzet, kur ende nuk kishte kurrfarë sindikatash. Çdo vit, me mijëra punëtorë kinezë vdesin në minierat e qymyrit, ku ndonjëherë madje nuk respektohen masat elementare të sigurimit teknik.
Për fat të keq, sot sindikatat kanë ndikimin e vet për të shpallur praktika jo-elastike prodhimi dhe struktura page të sheshtë, kur punonjësi nuk merr shpërblimin adekuat për punën dhe kualifikimin e tij. Nuk është befasi që numri më i madh i sindikatave është i përqendruar pikërisht në sektorin publik, që karakterizohet nga rendimenti i ulët dhe detyrimet fiskale të buta. Situatë katastrofike kanë krijuar sindikatat e mësuesve, që bllokojnë futjen e çfarëdo racionalizimi dhe novatorizmi në sistemet e arsimit të shumë vendeve.
Para epokës moderne të globalizimit, sindikatat mund të rronin për bukuri, pasi organizoheshin në shkallë kombëtare, gjë që do të mundësonte forcimin e pozitave të tyre në zgjidhjen e debateve mes punëdhënësve dhe punëmarrësve. Tani, pas luftës, kur është zgjeruar dukshëm tregtia globale, një numër i madh sindikatash u bënë dëshmitare të dobësimit të pushtetit të tyre monopolist, për të mos thënë më tepër. Ja pse në shumicën e vendeve të zhvilluara të botës, sindikatat bëjnë një luftë të papajtueshme për të bllokuar negociatat e tregtisë së lirë, pasi këto negociata mund të gërryejnë edhe më shumë pozitat e tyre.
Përsa u përket vendeve të pasura, është shumë më mirë që rishpërndarja e të ardhurave të bëhet nëpërmjet sistemit të taksave dhe përfitimeve sesa me vendime qeverie për të forcuar sindikatat. Në kohën e sotme në shumë vende të pasurit paguajnë taksa jo të mëdha, dhe se do të ishte një hap i madh përpara nëse lëvizet thjesht drejt një takse të sheshtë, me një shkallë tejet të lartë përjashtimi nga taksat të familjeve me të ardhura të ulëta, të cilat të mos paguajnë kurrfarë taksash në përgjithësi. Përsa u përket vendeve më të ardhura mesatare, ky është një problem më i ndërlikuar. Por edhe këtu, me sa duket, do të ishte më mirë një shtrirje të drejtash juridike dhe statutore të punonjësve, krahas tërheqjes së shumicës së sindikatave nga veprimtaria.
Për fat të keq, ka shumë gjasa që ne të bëhemi dëshmitarë të faktit se, rritja e influencës politike të sindikatave shndërrohet në një forcë madhore destabilizuese në tregti dhe rritjen ekonomike, përveç kësaj, pasojat mund të jenë të paparashikueshme. Kur shohim se si drejtuesit politikë në shumë vende të pasura u vijnë sipas oreksit sindikatave në lëshimet për çështje, që kanë të bëjnë me tregtinë e lirë dhe emigracionin, ka arsye të bollshme të shqetësohemi për çka na pret në të ardhmen. Ja pse sindikatat do të jenë një nga faktorët kryesorë të paparashikueshëm të ekonomisë më 2008.
* Titulli në origjinal: "Ëorkers' Paradise?" (Parajasë punëtorësh?)
**Kenneth Rogoff është profesor i Ekonomiksit dhe Administrimit Publik në Universitetin e Harvardit dhe ish-krye-ekonomist i FMN-së.
Përktheu: Vladimir Mustaqi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›