E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karta krediti false arrestohen 3 persona

Policia e shtetit ka vënë në pranga tre persona mes tyre dhe një punonjëse të policisë së kryeqytetit të akuzuar për përdorimin e kartave të kreditit false. Sipas uniformave blu, të ndaluarit janë Maliq Kaca 29 vjeç, i cili mësohet t’i ketë sjellë këto karta nga Britania, Bedri Muda 36 vjeç dhe Rajmonda Muda 27 vjeç, punonjëse policie në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Nga përdorimi i tyre, tre të ndaluarit kanë arritur të marrin një shumë prej 30 mijë eurosh.

“Operacioni policor i koduar “SKIMMER 3”,  u kurorëzua pas një hetimi intensiv 5-mujor të strukturave të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë, ku të ndaluarit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin,  nga muaji janar i vitit 2011, kanë falsifikuar dhe përdorur karta bankare me shirit magnetik, të cilat brenda tyre përmbajnë informacion bankar të kartave të tjera si VISA, MASTER etj, dhe dyshohet se këto karta janë në pronësi të shtetasve të huaj britanikë apo amerikanë”-tha Laura Totraku, zëdhënëse e policisë së shtetit.

Në momentin e arrestimit, si dhe gjatë kontrollit të banesave të ndaluarve u sekuestruan 30 copë karta plastike me shirit magnetik, dollarë të falsifikuar të prerjes 100-she, si dhe 4 telefona celularë.

Jul Kasapi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›