E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, LSI thirrje PS e PD

Tiranë - Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar sot pas analizës së bërë një ditë më parë nga Komiteti Amerikan i Helsinkit. Në një konferencë për shtyp, nënkryetari Pëllumb Xhufi tha se fjalimet e djeshme, ishin një dëshmi për rëndësinë që Shtetet e Bashkuara iu kushtojnë zgjedhjeve në Shqipëri.

“Lëvizja Socialiste për Integrim që në minutat e para të jetës së kësaj Qeverie të vitit 2005 në mënyrë zyrtare i ka kërkuar kryeministrit Berisha që ishte dhe bashkëfajtori për dështimin e zgjedhjeve të vitit 2005, që të realizonte parakushtet e domosdoshme që zgjedhjet e vitit 2009 të ishin vërtetë të lira dhe të drejta. Në mënyrë specifike ne i kemi kërkuar z.Berisha që të pajisen me karta identiteti të gjithë qytetarët shqiptarë, që kanë të drejtë vote, por fakti që jo vetëm në vitin 2006 që premtoi z.Berisha, por edhe sot në datën 5 Qershor të vitit 2009 pra vetëm pak ditë përapara zgjedhjeve, kjo Qeveri nuk i ka pajisur shqiptarët me karta identiteti, dhe kjo Qeveri gjithashtu mban përgjegjësinë për parregullsinë, të cilët janë vënë tashmë në dukje”-theksoi Xhufi.

Lëvizja Socialiste për Integrim-tha më tej Xhufi-i bën thirrje Partisë Demokratike por edhe Partisë Socialiste të ulen së bashku dhe të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për situatën e krijuar, zgjidhjen më të mirë të mundshmë. “Lëvizja Socialiste për Integrim deklaron se do të miratojë çdo zgjidhje që do të arrihej për të krijuar pikërisht parakushtet që të gjithë qytetarët shqiptarë të mund të votojnë me 28 Qershor. LSI është e gatshme të marrë pjesë edhe ajo për të kontribuar në gjetjen e zgjidhjes në fjalë”-theksoi Xhufi.

Ai shtoi se Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideron shtyrjen e zgjedhjeve një opsion jo të mundshëm madje një opsion të rrezikshëm, “sepse do të zgjaste dhe do të rëndonte akoma më shumë në problemet ekonomike dhe sociale dhe do të ngarkonte akoma më tutje klimën e ndezur elektorale politike në Shqipëri.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›