E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat, Ministria i kthen përgjigje PS-së, Islami: “Informacioni është i paplotë”



Ministria e Brendshme ka reaguar pas letrës së dërguar nga Partia Socialiste, në të cilën kërkoheshin të gjitha informacionet për procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Në letrën drejtuar Parisë Socialiste, Ministria e Brendshme thekson se procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimin elektronik po ecën me ritme shumë të mira dhe është shtrirë në të gjitha zyrat e Gjendjes Civile, të të gjitha komunave dhe bashkive të vendit. Ministria e Brendshme bën të ditur se u është përgjigjur pozitivisht kërkesave të PS-së, duke i dërguar listën emërore të të gjithë votuesve pa pasaportë që nuk kanë aplikuar ende për letërnjoftime elektronike. Sipas listës së Ministrisë, kanë aplikuar për karta 1.1 milionë persona, 450 mijë prej të cilëve kanë qenë pa pasaporta. Ndërkaq, sqarohet se rreth 200 mijë zgjedhës pa pasaportë, të cilët nuk kanë aplikuar, janë emigrantë ilegalë jashtë vendit. “Sipas kërkesave tuaja specifike në letrën e dërguar dje po ju informojmë se bashkëlidhur po ju dërgojmë listën emërore, sipas njësive vendore, të votuesve pa pasaportë që kanë mbetur ende pa aplikuar për letërnjoftimin elektronik. Në lidhje me listën e votuesve që e kanë marrë letërnjoftimin, ju sqarojmë se për shkak të procedurës që kërkon ky proces dhe kërkesës suaj të paparashikuar, do t’jua vëmë në dispozicion sapo ta kemi nga koncensionari. Në lidhje me listën e votuesve me pasaportë, referojuni përgjigjes sonë që ju kemi dërguar më datë 19 maj 2009”, - thuhet në letrën e Ministrisë dërguar Partisë Socialiste.
Pas marrjes së letrës ka reaguar menjëherë selia rozë, me anë të sekretarit për Çështjet Zgjedhore, Kastriot Islami. Islami tha se informacioni që ka dërguar Ministria e Brendshme është i paplotë dhe i pasaktë. Sipas Islamit, përgjigjja e Ministrisë nuk ka firmën e ministrit Bujar Nishani dhe si e tillë është konsideruar abuzive duke mos përmbushur kërkesat e PS-së për vënien në dispozicion të tri listave. Ai deklaroi se lista e dërguar nga Ministria nuk është ajo që kërkohej nga Partia Socialiste, duke theksuar edhe njëherë se PS-ja kërkon të ketë në dorë brenda datës 31 maj listën e votuesve që kanë aplikuar dhe ata që janë pajisur me letërnjoftimin elektronik. Ndërkohë, PS-ja i ka bërë thirrje qeverisë të heqë dorë nga abuzimet dhe të bëjë transparencën për ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve me kartën e identitetit në mënyrë që asnjë qytetar të mos privohet nga e drejta për të votuar më 28 qershor.

28 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›