E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opsionet e PS-së për zgjidhjen e krizës së kartave

Selia rozë, plan konkret në rast se qeveria aktuale pranon dështimin e procesit të kartave. Opsioni kryesor pritet të jetë ai i krijimit të një qeverie teknike, që do të garantojë zhvillimin e zgjedhjeve

Shaban Sulçe

Partia Socialiste shprehet mjaft e vendosur në qëndrimin e saj për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve të 28 qershorit në rast se më shumë se 300 mijë zgjedhësve pa pasaportë, të cilët rrezikojnë të pajisen me karta identiteti, do t’u mohohet e drejta e votës. Selia rozë, në mënyrë të vazhdueshme, ka deklaruar se angazhohet për të respektuar datën e zgjedhjeve dhe për të kontribuar në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe me standarde. Megjithatë, ecuria e ngadaltë dhe problemet e shumta që po shoqërojnë procesin e kartave kanë bërë që Partia Socialiste në mënyrë të vazhdueshme të japë alarmin për rrezikun që po u kanoset zgjedhjeve të 28 qershorit. Në fund të këtij muaji, Partia Socialiste do të bëjë një analizë të gjerë të procesit, nga ku pritet që ajo të propozojë një sërë opsionesh, të cilat do të shpëtojnë zgjedhjet nga dështimi. Por përpara se të bëjë publike këto propozime, Partia Socialiste do të kërkojë nga qeveria që të pranojë dështimin e procesit të pajisjes së shqiptarëve me karta identiteti.

Opsioni i parë
Një prej opsioneve kryesore që Partia Socialiste pritet të propozojë për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri është ai i krijimit të një qeverie teknike. Por gjithçka varet nga fakti nëse qeveria aktuale do të pranojë dështimin e procesit të pajisjes së shqiptarëve me karta identiteti. Në rast se qeveria aktuale do të pranojë dështimin e procesit të kartave të identitetit, automatikisht do të krijohet hapësira për shtyrjen e datës së zhvillimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Nëse ndodh kjo, sipas Kushtetutës, qeverisë aktuale i përfundon mandati dhe në këto kushte, e vetmja rrugëzgjidhje do të ishte krijimi i një qeverie teknike, e cila do të mundësonte përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore brenda datës së re që do të caktohet. Sigurisht, brenda kësaj periudhe prioriteti i qeverisë teknike, nëse ajo do të krijohet, do të jetë pajisja me karta identiteti e shtetasve pa pasaportë, në mënyrë që atyre t’u garantohet e drejta për të votuar.

Opsioni i dytë
Një tjetër opsion që mund të parashtrojë selia rozë në mënyrë që zgjedhjet e 28 qershorit të zhvillohen në datën e caktuar ka të bëjë me propozime konkrete për garantimin e votës për shtetasit pa pasaportë, të cilët nuk do të arrijnë dot të aplikojnë për karta identiteti deri më 12 qershor. Propozimi mund të ketë të bëjë me njohjen e një dokumenti tjetër identifikimi për këta shtetas, por vetëm nëse më parë komisioneve të qendrave të votimit do t’u shpërndahen listat me emrat e personave pa pasaportë, të cilët nuk kanë mundur të pajisen me karta identiteti deri më 28 qershor.

OSBE-ja monitoron në terren procesin e kartave

Përfaqësuesit e OSBE-ODIHR-it kanë inspektuar nga afër procesin e aplikimit për kartat e identitetit në qytetin e Korçës. Pasditen e djeshme ata kanë takuar një përfaqësi prej rreth 20 banorësh, të cilët kanë denoncuar raste konkrete të vonesave në aplikime apo shpërndarjen e kartave. Banorët e komunës Pirg ankohen se ndërprerjet e energjisë elektrike kanë shkaktuar shpesh herë vonesa në proces, duke vënë në dyshim pajisjen me dokumentin e ri të identifikimit. Ndërsa banorë të komunave Vreshtas e Liqenas kanë njohur përfaqësuesit e OSBE/ODIHR me problemin e çmimit të kartave, që sipas tyre ende po jepen kundrejt shumës prej 1200 lekësh të reja, në kundërshtim me vendimin e qeverisë. Lidhur me këto çështje, përfaqësuesit e OSBE-ODIHR-it kanë preferuar të mos japin asnjë deklaratë, në pritje të daljes së raportit të tyre.

Veliaj: “S’ka zgjedhje pa karta”

Partia G99 e Erjon Veliajt, duke iu referuar edhe raportit të ODIHR-it, i cili citon burime të Ministrisë së Brendshme, e konsideron të papranueshme që qoftë edhe një qytetar i vetëm të mbetet pa aplikuar për letërnjoftimin. Veliaj tha se kjo parti ruan të drejtën të rishohë pozicionin e saj në lidhje me pjesëmarrjen në zgjedhje. “Jemi këtu sot për t’ju prezantuar me shqetësimin tonë, jo me ndonjë kërcënim apo me bojkot, por thjesht me shqetësimin që kemi për procesin e kartave të identitetit. Sipas raportit të djeshëm të ODHIR-it, vetëm 50% e shqiptarëve që janë pa pasaporta dhe pa mjete identifikimi kanë aplikuar për karta identiteti. Kjo do të thotë jo vetëm sipas nesh, por dhe sipas institucioneve ndërkombëtare me të cilat jemi konsultuar, që rreth 200-400 mijë shqiptarë rrezikojnë të mos kenë mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre të votës në datë 28 qershor. Është jashtëzakonisht e rëndë që jo 200 mijë, por dhe sikur dy ose katër shqiptarë të rrezikojnë të mos votojnë vetëm sepse s’kanë pasur mundësi të paguajnë ose sepse ky proces ka dështuar. Këto zgjedhje nëse do të mbaheshin sot janë të cenuara. Ne e kemi avokuar që ky proces duhet të fillonte që gjashtë muajt e parë të kësaj qeverisjeje dhe siç e keni vënë re, ai filloi vetëm në gjashtë muajt e fundit. Ne duam të bëjmë një garë të ndershme, një betejë dinjitoze, të arrijmë një fitore të merituar”, - tha Veliaj.

28 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›