E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit. Berisha qytetarëve: Garantojmë procesin

Procesi i pajisjes me kartat e identetit nis me probleme. Në zyrat e postave mungojnë kuponat për të vërtetuar pagesën. Kryeministri Berisha i cili ishte në njësinë nr.3 premtoi se do nxirrej mësim nga kjo ditë. 

TIRANE- Një fluks i madh qytetarësh janë vënë re sot pranë njësive bashkiake të kryeqytetit për të aplikuar për kartat e identitetit, ndërsa qytetarët kanë njoftuar se në zyrat e postave mungojnë kuponat për pagesën e tarifës 1.200 lekëve të reja.
Vetë kryeministri Berisha vizitoi sot njësinë bashkiake numër 3 në Tiranë për të parë nga afër procesin e aplikimit. Kreu qeverisë shqiptare justifikoi mungesën e kuponave me ditën e parë të fillimit të këtij procesi ndërsa shtoi se do nxirret mësim nga kjo ditë.

”Por garantojmë se shteti do ti përgjigjet me seriozitet dhe do ta cojmë deri në fund edhe me sukses këtë proces” shtoi kryeministri Berisha.
Aplikimi
Hapi i parë për të marrë kartën e identitetit është pagesa e tarifës prej 12 mijë lekësh të vjetra pranë çdo zyre postare për letërnjoftimin dhe pasaportën biometrike. Ndërkohë që pagesa mund të bëhet edhe pranë institucioneve ku qytetarët punojnë, nga ku duhet të marrin një kupon që dëshmon kryerjen e pagesës. Pas këtij veprimi, qytetari duhet të shkojë në njësinë bashkiake ku është regjistruar, së bashku me kuponin e derdhjes së lekëve si dhe një dokument identifikimi që mund të jetë, pasaportë, certifikatë, patentë për drejtim automjeti, apo edhe fletëhyrje për në institucione shtetërore.

Të dhënat gjenerohen direkt nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile; operatori, qytetari dhe nëpunësi i gjendjes civile i kontrollojnë ato dhe nëse i gjejnë në rregull, e printojnë formularin e aplikimit që firmoset nga të tre personat: qytetari, nëpunësi i gjendjes civile dhe operatori i regjistrimit. Nëse jo, qytetari shkon në Gjendjen Civile për të korrigjuar gabimet që mund të ekzistojnë. Në momentin që të dhënat janë korrekte dhe formulari firmoset, mbetet shumë pak për t'u bërë. Kështu, punonjësi do t'i marrë shenjat e gishtave qytetarit, i cili do të dalë në fotografi dhe do të japë edhe nënshkrimin elektronik.

Në një prononcim për median zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni deklaroi dje se procesi i aplikimit për një person nuk zgjat më shumë se 5 minuta, që nga paraqitja e kuponit, verifikimi i identitetit nëpërmjet regjistrit elektronik të Gjendjes Civile, marrja e shenjave të 10 gishtave, fotografisë dhe firmës elektronike. Gjithashtu paralajmëroi se do të ketë sanksione për të gjithë ata qytetarë që nuk do të marrin kartat e identitetit. Sipas Ponit nga dita e sotme procesi i aplikimit për letërnjoftimet do të nisë në të gjitha qytetet e vendit.
(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›