Rama mbron "Temën": "Berisha po dhunon median"
TIRANE- Kryetari i opozites Edi Rama përkrah botuesin e gazetës “Tema” Mero Baze dhe i bën thirrje kryeministrit të ndalojë “dhunën ndaj medias”. “Ndonëse kjo gazete ka ndjekur një politikë kundër zërit te opozitës- u shpreh Rama- i bëj apel Berishës të heqë dore nga shantazhi policor”- tha sot Rama në një konferencë për shtyp të organizuar pikërisht për këtë cështje.
Rama e quajti sulm të kryeministrit ndaj një mediaje që kundërshton qeverinë dhe i bëri apel policisë të mos pengojë gazetarët e gazetës “Tema” të ushtrojnë aktivitetin e tyre në mjediset shtetërore duke respektuar vendimin e gjykatës.
"Pronat e shtetit nuk janë pronë e qeverisë. I bëj apel edhe prokurorisë që të cojë para ligjit urdhëruesit e rrethimit policor të gazetës dhe të mos lejojë qeverinë të përdorë paligjshmërisht Policine e Shtetit duke rrëzuar pushtetin gjyqësor", vazhdoi më tej kryetari i PS-së. Gjithashtu Rama kërkoi nga Bashkimi Europian dhe institucionet e tjera ndërkombetare që ta marrin seriozisht shfaqjen brutale të dhunës shtetërore ndaj mediave.
Gazetarët e gazetës “Tema” prej disa ditësh nuk lejohen nga policia të hyjnë në ambientet e redaksisë së tyre. Sipas policisë objekti është konsideruar si objekt i cilësisë së vecantë, pasi është pranë objektit ku prodhohen kartat e identitetit, por drejtori i gazetës ”Tema” disponon një vendim gjykate ku lejohet ushtrimi i funksionit në këtë redaksi.
(s.g/BalkanWeb)