Kartat e identitetit nuk e shmangin manipulimin
Pajisja me karta identiteti e shtetasve është zemra e konfliktit të ndezur midis kampeve të ndryshme të spektrit politik shqiptar, e trumbetuar madje si e vetmja rrugë që garanton mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Pohimi lidhur me këtë pretendim është pika që bashkon gjithë palët garuese në votimet e 28 qershorit, pa përjashtuar edhe mazhorancën qeverisëse. Kështu, duke mos e kundërshtuar gjithë-pajisjen dhe mbajtjen e premtimit për të realizuar standard zgjedhor, përfaqësuesit e qeverisë deklarojnë se ecuria e procesit të pajisjes me karta po ecën si jo më mirë, ndërkohë që opozita denoncon të kundërtën. Pra, që ky proces, pas bllokimit burokratik që i bëri qeveria, tashmë është futur në një fazë aq delikate, sa mbajtja e zgjedhjeve vihet në pikëpyetje. Kjo jo aq për arsye vetëm teknike e që lidhet me firmën prodhuese të këtyre kartave sesa për sensin selektiv të trajtimit të vendimit nr. 2 të qeverisë, që e liberalizon këtë proces duke e reduktuar tarifën e pagesës për ata që nuk kanë pasaporta, nga 1200 në 200 lekë.
Parë nga jashtë kjo zmbrapsje dhe dorëlëshuarje e qeverisë duket si një kthesë në qëndrimin e saj kokëfortë, të diktuar prej karakterit të Njëshit, mirëpo opozita nuk është e këtij mendimi. Prapa kësaj tërheqjeje berishiane ajo sheh shenjat e një manipulimi të ardhshëm ditën e mbajtjes së votimeve, ku, sipas saj, para kutive do të shkojnë për të votuar me shumicë militantë e simpatizantë të saj, ndërsa do të ketë shumë më pak votues të majtë.
Pasi vlerësoi liberalizimin e procedurës së pajisjes me karta të qytetarëve të varfër votues, opozita denoncoi selektivitetin si një taktikë të re manipulative të mazhorancës për të fituar zgjedhjet. Sipas saj, pjesa më e madhe e të varfërve që nuk kanë pasaportë e po thirren të aplikojnë kundrejt tarifës 200 lekë i përkasin kontingjentit të votuesve të djathtë, ndërsa po përjashtohen të majtët. Një pretendim ky që nuk mund të etiketohet “alarm i rremë”, po të kihet parasysh se kreun e këtij procesi e ndjek zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, një burokrat i njohur ky për aftësitë e tij manipuluese, që nisin me Libofshën, 1994 (kur në rolin e kasnecit të qeverisë, nëpërmjet presionit e dhunës, Poni ia doli të hapë një qendër të re votimi në fshatin Hozhdar, që solli prishjen e të gjitha listave të votimit të tri fshatrave dhe afishimin e të rejave mëngjesin e ditës së votimeve, pra të dielën, 29 maj 1994), dhe përfundojnë me zgjedhjet lokale të mbajtura më 18 shkurt 2007. I ndodhur edhe në këtë periudhë kohore në postin e zv/ministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni, nëpërmjet një shkrese të lëshuar më dt. 26 janar 2007, u kërkoi zyrave të gjendjes civile që zgjedhësit e paregjistruar të pajiseshin me certifikatë për votim edhe duke paraqitur vetëm një fotografi. Një urdhër ky që hidhte poshtë vendim-marrëveshjen konsensuale parlamentare të 12 janarit 2007 dhe përbënte precedent manipulimi…
I përmendëm këto për të theksuar faktin se realiteti selektiv i pajisjes me karta identiteti 200-lekëshe nuk është i sajuar, por një e vërtetë që duhet vlerësuar seriozisht edhe nga vëzhguesit e huaj, sepse, në kuadrin kur certifikatave false ligjërisht u ka ikur vakti, zëvendësimi i tyre me karta identiteti homologe mbetet e vetmja mundësi manipulimi e votimeve. Për një vend si Shqipëria, ku zbatimi i ligjeve rreh te 18%, prodhimi i tyre në rrugë informale është një realitet i mundshëm, sikurse është i tillë edhe ndryshimi i kutive gjatë transportimit për në qendrat e numërimit të pajisura me kamera vëzhguese, sikurse është një realitet i mundshëm edhe informaliteti i votave “pro” mazhorancës nëpër zonat e lëna jashtë kontrollit shtetëror; sikurse mund të përdoren për votë “pro” edhe kategoritë në kapërcyell moshor etj. Janë përvoja të rrjedhura nga proceset e shkuara zgjedhore që janë mbajtur nën dirigjimin dhe lojën e protagonistëve aktualë të qeverisjes së sotme.
E theksojmë, precedentët e mësipërm, që kanë sjellë kaosin dhe informalitetin e rezultatit të votimeve të shkuara, ekzistojnë. Sado që aktualisht flitet për regjistër korrekt votuesish, të vdekurit e të ikurit në emigracion sërish janë të pranishëm. Disa ditë më parë, në Pirg të Korçës, një mbesë më tregoi se në listën e votimit të zonës figuronte ende gjyshi i saj, që kishte ndërruar jetë 30 vite më parë. Këtë pohim e bëri, pasi më la ta përfundoja deri në fund leksionin tim rreth garancisë së votës së 28 qershorit, garanci që, sikurse argumentoja unë, vjen prej faktit se jemi anëtar të NATO-s e kandidatë për anëtarësim në BE, akte që vërtet do të sjellin një monitorim të rreptë nga ana e ndërkombëtarëve, por që nuk mund ta ndalin rrjedhën e votave të manipuluara. Aq më tepër ekziston kjo mundësi, kur pajisja me karta identiteti e shtetasve vlerësohet si infrastrukturë e mjaftueshme për të patur një proces zgjedhor të standardeve, ndërkohë që kjo nuk është plotësisht e tillë, për sa kohë komisionet e QV-ve të mos jenë të pajisura me sistemin elektronik njohës, verifikues të këtyre kartave identifikuese. Sepse, të kesh një kartë identiteti është ana vizuale e garancisë. E dyta dhe më e rëndësishmja lidhet me sistemin elektronik që e lexon dhe e prodhon realisht këtë garanci. Gjë kjo që do t’i hiqte çdo mundësi prodhimi kartash informale partive në tërësi dhe asaj në qeverisje në veçanti.