E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekretarja e Bumçit: I nisa Shkëlzenit faksin që më dha ministri

Nga Tema

Shkëlzen Berisha, biri i kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, është lobuesi kryesor për kontratën e Gërdecit.

Këtë fakt e përforcon dëshmia e sekretares së ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, dhënë organeve hetimore. Ajo ka konfirmuar se i ka nisur vetë birit të kryeministrit Berisha faksin që i ka dhënë ministri Aldo Bumçi, ku kërkohej mendim për projektvendimin që do i hapte rrugë ndërtimit të Gërdecit. Para disa kohësh gazeta “TemA” botoi faksin që nisej zyrtarisht nga Ministria e Drejtësisë dhe mbërrinte e protokollohej në Ministrinë e Mbrojtjes me shënimin “Për Shkëlzen Berishën”. Kështu, del qartë se ministrat i raportonin birit të kryeministrit, i cili kujdesej që vendimi të kalonte në qeveri.

Dëshmia e ish-sekretares së Bumçit, Anjola Agolli, hedh dritë për këtë pjesë të trishtë të kapjes së shtetit nga biri i kryeministrit.

Ajo e nis rrëfimin duke treguar se edhe pse posti i saj është politik, dhe mund të ishte larguar pas ardhjes në pushtet të qeverisë së djathtë, Aldo Bumçi e mbajti atë sërish në punë. Agolli tregon se mban mend shumë mirë se shkresën me shënimin ia ka dhënë ministri vetë dhe nuk ka ardhur nga ndonjë drejtori tjetër, ndërsa shton se shkrimi me dorë është i vetë Bumçit.

Një gjë të tillë ajo e mban mend shumë mirë, për shkak se në atë periudhë ishte e vetme në punë, sepse sekretarja tjetër kishte marrë lejen e lindjes. Ajo nuk shpjegon se pse ishte nisur me faks kjo shkresë dhe pse një tjetër ishte nisur me postë, por është fakt se duke parë datat është e qartë se nxitimi bëhej për shkak se vendimi do kalonte së shpejti në qeveri.

Agolli thotë se mban mend që të paktën dhe dy herë të tjera Shkëlzen Berisha ka qenë në zyrën e ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi.

Sipas saj, në Ministrinë e Mbrojtjes i janë përgjigjur në momentin e nisjes së faksit, se nuk njohin asnjë Shkëlzen Berisha që punonte në atë institucion, por ajo u ka thënë që ka marrë urdhër që të nisë këtë faks për atë person dhe kështu ka vepruar. Më poshtë vijon dëshmia e saj e plotë përpara organeve të drejtësisë, dëshmi për të cilën ajo merr përgjegjësi të plota, në rast se provohet e kundërta.

Vetë Aldo Bumçi në disa dalje publike e ka mohuar këtë shkresë dhe shënimin mbi të

Pjesë nga dëshmia e ish-sekretares së Aldo Bumçit

Pasi u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka, nëse bën deklarim të rremë para oficerit të policisë gjyqësore duke dhënë shpjegime që i di se janë tërësisht ose pjesërisht të rreme, apo fsheh fakte ose prova, në bazë të nenit 305/b të Kodit Penal, dënohet me burgim deri në gjashtë muaj.

Me vullnetin e saj të lirë ajo deklaroi:

Banoj në adresën e mësipërme dhe aktualisht jam me punë juriste në Drejtorinë e Përgjithshme të Bankës Popullore. Më parë kam punuar sekretare në kabinetin e ministrit të Drejtësisë. Punën si sekretare e kam filluar në qershor të vitit 2005 dhe kam qëndruar në këtë punë deri në datën 2 prill 2007. Jam larguar nga detyra, pasi ndryshoi ministri i Drejtësisë. Prej datës 2 prill 2007 deri në datën 15 tetor 2007 kam qenë e papunë. Në fillim kam qenë sekretare e ministrit të Drejtësisë, zotit Fatmir Xhafaj, deri në krijimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005. Në detyrën e sekretares kemi qenë dy, unë dhe Rovena, së cilës nuk i kujtoj mbiemrin. Ajo u largua në shtator 2005, pasi u ndërruan ministrat. Nuk e di as sot dhe kësaj dite përse më ka mbajtur në punë si sekretare ministri Bumçi, pasi detyra e sekretares është pjesë e stafit politik dhe personal dhe nuk është pjesë që trajtohet nga statusi i nëpunësit civil. Në shtator të vitit 2005 ose tetor 2005, pasi u vendos të largohet Rovena, në punë ka ardhur Alma Zili.

Sekretarja e ministrit ka detyra të specifikuara në një akt të Ministrisë së Drejtësisë, të cilin e kam lexuar, por nuk e kujtoj saktë emrin e aktit, as vitin e këtij akti. Nuk kujtoj se çfarë kishte të specifikuar në këtë akt rregullues për detyrat e sekretareve të ministrit. Kujtoj se ky dokument kishte këto detyra për sekretaret e ministrit - mbajtjen e korrespondencës së shkresave që hynin dhe dilnin nga ministri, mbajtjen e axhendës së takimeve të ministrit.

Të gjitha dokumentet që vinin nga jashtë Ministrisë së Drejtësisë, vinin në fillim në zyrën e Protokollit të Ministrisë së Drejtësisë, që me sa kujtoj janë punonjëse: shefe Diana Kasapoi, Fetija dhe dy gra të tjera që nuk u kujtoj emrat. Të gjitha shkresat që i drejtoheshin ministrit, pasi u vihej një numër protokolli i Ministrisë së Drejtësisë, vinin te paradhoma e ministrit, tek unë ose kolegia ime. Në përgjithësi, praktikat e shkresave hynin te ministri dy ose tri herë në ditë. Ndërsa për ato që na thuhej se ishin urgjente, ne komunikonim me ministrin në telefon dhe i thoshim se kjo shkresë është urgjente dhe i kërkonim t’ia dorëzonim atë. Në përgjithësi, shkresa të tilla ishin shkresat e ekstradimeve. Më pas shkresa me shënimin e ministrit dilte prej zyrës së tij dhe nëpërmjet nesh i dërgohej drejtorisë përkatëse, sipas shënimit. Dorëzimi i bëhej sekretares së drejtorisë përkatëse ose zonjave që punonin te protokolli. Kur bëhej përgjigjja, vinte materiali nga drejtoria përkatëse, ne vendosnim një fishë të verdhë, ku do të firmoste ministri. Në një tabelë të thjeshtë me Excel që përmbante kolonat: Drejtoria që e përgatiste, numri i protokollit të ministrisë dhe kujt i dërgohej dhe në fund dy kolona, njëra që tregonte hyrje, që do të shoshte që shkresa hyri te ministri për firmë, dhe dalje, kur vinin ato të protokollit që e merrnin. Këtë lloj tabele e bëmë unë dhe Alma për të lehtësuar punën tonë dhe, me sa di, nuk ka qenë më parë. Unë, kur kam ikur nga puna, e kam lënë këtë lloj tabele në kompjuterin e sekretares. Me sa kujtoj, Alma nuk ka qenë në punë në shkurt dhe mas 2007, pasi ishte me leje lindje. Atë periudhë unë kam punuar me ty turne dhe qëndroja në punë deri në orën tetë. Për axhendën e ministrit, për personat që planifikonin të hynin dhe të takoheshin me ministrin, po në kompjuter, në programin Outlook Express, përgatisnim tabelat dhe i printonim. Gjithashtu, kam patur edhe një lloj blloku, i cili nuk ishte i protokolluar, në të cilin shënonim personat që hynin. Edhe këto blloqe i kam lënë në zyrë, por pa firma dorëzimi.

Pyetje: A ju kujtohen numrat e telefonit të zyrës suaj, faksit të zyrës suaj dhe numrat e telefonit dhe faksit të zyrës së ministrit në muajin mars 2007?

Nuk i kujtoj numrat e telefonit, por di të them që aparati i faksit, megjithëse ishte i ministrit, qëndronte te paradhoma, te ne, dhe nga aty mundet të nisnin të gjitha drejtoritë. Ndërsa ministri nuk kishte numër faksi dhe numrat e telefonit i kishte nëpërmjet nesh dhe kishte një aparat telefoni që nuk e di në ishte funksional.

Po paraqes shkresën numër 1286, prot. datë 05.03.21007, e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, “Dërgohet për mendim një projektvendim”, drejtuar ministrisë përkatëse, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës së bashku me projektvendimin “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”. A ju kujtohet kjo praktikë dhe, nëse po, të kujt janë shënimet në kartelën shoqëruese të kësaj shkrese?

Në ditë zakonisht vinin dy ose tri projektvendime dhe në mars 2007 unë kam qenë e vetme dhe kam pasur ngarkesë të madhe pune. Këtë praktikë nuk e kujtoj, por shikoj nga kartela shoqëruese, pasi praktika nga protokolli vjen e lidhur me kartelën shoqëruese, në të cilën dërguesit, marrësi, përmbajtja plotësohen nga protokolli, ndërsa te shënimi nga ministri, zoti Bumçi shkruante dhe firmoste me një lloj stilolapsi, por me bojë, që shkruan si stilograf.

Në rastin konkret shikoj që shënimi “Për trajtim” është i ministrit Bumçi “DPK DLAL” dhe firmën te data 06.03.2007 nuk e identifikoj se e kujt është, pasi nuk më duket si e ministrit Aldo Bumçi. Shënimi “Z. Alban Dokushi” është specialist i Drejtorisë së Kodifikimit. Te shënimi është 5 ditë dhe përpiluesi, Albani, në këtë rast e ka dorëzuar në datën 9, pra për tri ditë.

Po ju paraqes faksin e Ministrisë së Drejtësisë, drejtuar ministrit Fatmir Mediu me lëndën “Mendim për një projektvendim”, në të cilin është shënimi me shkrim dore “Për z. Shkëlzen Berisha”. Data e nisjes së këtij faksi është data 13 mars 2007, ora 19.09, nga numri i faksit 234 560 dhe faksi ka emrin “Min Drejtësisë”. A kujtoni ta keni nisur ju këtë faks dhe nga kush e keni marrë këtë shkresë, e cila është protokolluar?

Në këtë periudhë kam qenë vetëm unë në punë dhe këtë faks, nga ky numër, i cili tani po më kujtohet që të ketë qenë i paradhomës së ministrit të Drejtësisë, e kam nisur unë. Shënimi i vendosur me shkrim dore te cepi i majtë lart “Për z. Shkëlzen Berisha” është shkrimi i ministrit të kohës, Aldo Bumçi. Me sa kujtoj, kur shkresat përfundoheshin të premten dhe në dikasterin kërkues për mendim nuk kishte shkuar përgjigjja, ne i kalonim për shpejtësi edhe me faks, pasi do të kishte një vonesë për të dërguar shkresën me përgjigje me postë. Në protokoll qëndron zakonisht shkresa, e cila është me firmat e përpiluesve. Këtë faks e kam nisur unë për te Ministria e Mbrojtjes.

Po ju paraqes shkresën origjinale drejtuar ministrit Fatmir Mediu me lënda “Mendim për një projektvendim” me numër protokolli 1594/1, datë 09.03.2007, me firmat e ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, A. Dokushi, V. Gumi, data e përpilimit, 08.03.2007. Faksi i sipërcituar është me të njëjtën përmbajtje si dhe shkresa, por ai është nisur në datë 13 mars 2007 pa protokoll, ndërsa shkresa mban datën 9 mars 2007. Nga e keni marrë ju dokumentin që e keni nisur me faks?

Si fillim duhet t’ju them se sekretaret e ministrit nuk lëvizin nga zyra, pasi pothuajse të gjithë punonjësit e ministrisë vijnë te zyra e paradhomës së ministrit dhe nuk shkojmë ne tek ato. Pra, këtë shkresë duhet ta kenë sjellë tek unë nga drejtoria përkatëse dhe unë ia kam dhënë ministrit dhe ai ka vënë shënimin dhe më ka dhënë udhëzimet. Nuk e kujtoj se kush e ka sjellë, por zakonisht e sjell sekretarja. Ministri më udhëzoi t’ia nisja Ministrisë së Mbrojtjes me faks shkresën që kishte vënë shënimin “Për z. Shkëlzen Berisha”. Unë kujtoj se e kam nisur ashtu shkresën te Ministria e Mbrojtjes në numrin e faksit që i kishim që më parë, pasi i kishim të gjithë numrat e fakseve të dikastereve në numërator. Nga Ministria e Mbrojtjes më ka marrë një zë femre, e cila më tha se në Ministrinë e Mbrojtjes nuk ka njeri me atë emër dhe unë i kam thënë se kështu ma kanë dhënë faksin për ta nisur dhe se unë vetëm po nisja faksin. Punonjësja e Ministrisë së Mbrojtjes më tha se aty kishte një punonjës me emrin Shkëlzen, por me mbiemër tjetër dhe më tha mbiemrin, por nuk ia kujtoj. Unë i thashë që nuk kam dijeni më shumë, por kështu më kanë thënë ta nis, siç është. Nuk kujtoj të kem komunikuar me ndonjë për praktikën që është vonuar ose jo, ka pasur raste që ministri më thoshte mua të komunikoja me drejtorin përkatës ose ai komunikonte vetë me drejtorët.

A kujtoni se ku e keni dorëzuar shkresën origjinale me shënimin “Për z. Shkëlzen Berisha”?

Mbaj mend që e kam dërguar në formë faksi. Shkresën nuk e kujtoj ta kem fotokopjuar nga origjinali dhe mbi të të jetë vënë shënimi me shkrim dore. Shkresën ma ka dhënë ministri dhe mendoj se ia kam kthyer përsëri, kur i kam futur praktikat e tjera. Këtë e them, pasi, me sa kujtoj, kjo shkresë më ka ardhur prej tij dhe jo nga protokolli që t’ia ktheja përsëri protokollit. Nuk e di se ku mund të jetë aktualisht kjo shkresë.

A njihni ndonjë shtetas me emrin Shkëlzen Berisha dhe, nëse po, në çfarë rrethanash e keni njohur?

Po, njoh një shtetas me emrin Shkëlzen Berisha, i cili ka ardhur dy herë për të takuar ministrin Aldo Bumçi në zyrë. Rasti i parë duhet të ketë qenë në fillimin e punës si ministër të zotit Bumçi dhe në atë rast e kam parë, kur po dilte nga zyra e ministrit të Drejtësisë, pasi ai ishte futur në zyrën e ministrit të Drejtësisë, kur ishte në turn Rovena. Rastin e dytë nuk e kujtoj me saktësi se kur ka qenë si muaj, por kujtoj se ka qenë pak para drekës, se më kanë njoftuar nga sporteli që zoti Shkëlzen Berisha do takojë ministrin, pasi ka lënë takim me të.

Unë kam komunikuar me ministrin dhe ai më ka thënë që “po e pres”. Nuk kujtoj sa ka qëndruar në takim me ministrin.

Po ju paraqesim dy fakset drejtuar ministrit Fatmir Mediu, lënda “Mendim për një projektvendim” me numër protokolli 1594/1, datë 09.03.2007, me firmat e ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, datë 12.03.2007, ora 14.24, Dr. e Përgj. e Kod. dhe faksin drejtuar ministrit Fatmir Mediu, lënda “Mendim për një projektvendim” me numër protokolli 1594/1, datë 09.03.2007, me firmën e ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, datë 09.03.2007, ora 14.30, Dr. e Përgj. e Kod. A kujtoni t’i keni nisur ju këto fakse në Ministri të Mbrojtjes?

Me sa shikoj nga fakset, janë nisur nga zyra e Drejtorisë së Kodifikimit.

Gjë tjetër nuk kam për të deklaruar, për sa më sipër, deklarimet e mia, pasi i lexoj dhe konstatoj se gjenden të shkruara drejt, i konfirmoj duke nënshkruar pa vërejtje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›