Votat e 2005 dhe 2007, si klonohen në sistemin e 2009
Aristir Lumezi
Partitë politike kanë ndezur motorët elektoralë dhe po organizohen nga qendra në bazë. Por "truret elektoralë" të tyre nuk kanë lënë pa llogaritur asnjë votë nga zgjedhjet e fundit, duke i konvertuar ato në mundësi mandatesh për betejën e qershorit. Por edhe sondazhet e shumta që bëhen që prej vjeshtës së shkuar e në vazhdim japin dhe marrin të dhëna, të cilat në asnjë rast nuk qetësojnë shtabet elektorale. Në pamundësi të bërjes publike të këtyre sondazheve, por dhe në mungesë të testimeve nga ana e organizatave apo shoqërisë civile, gazeta "Panorama" me ndihmën e një inxhinieri të Informatikës, arrin të bëjë një ballafaqim mes votave të marra në dy zgjedhjet e fundit të zhvilluara në Shqipëri nga partitë dhe koalicionet, korrik 2005 dhe shkurt 2007, për të nxjerrë një situatë se ku ndodhen ato para zgjedhjeve parlamentare të qershorit. Në rezultatin e përgjithshëm, sipas këtij ballafaqimi, rezulton se koalicioni i djathtë merr 68 mandate deputetësh, koalicioni PS+PSD+PDS merr 63 mandate, ndërsa koalicioni tjetër i majtë, LSI+PAD+PS'91 merr 9 mandate deputetësh. Duket se sistemi proporcional rajonal dhe përllogaritja e mandateve sipas metodës d'Hont nuk arrijnë të përcaktojnë shumica dominuese, ndërsa qeverisja e vendit do të kërkojë bashkim koalicionesh. Edhe pse synohet që përmes tyre të maksimalizohet rezultati zgjedhor, votat e marra në maxhoritar nga partitë politike, të konvertuara sipas sistemit rajonal me metodën d'Hont, nuk arrijnë të sigurojnë një gjë të tillë. Në përllogaritjen tonë janë marrë si bazë votat e maxhoritarit 2005, pasi proporcionali, ashtu siç u denoncua nga të gjitha partitë opozitare, ishte një "dushk" i pastër, ku votat e partive të mëdha u transferuan tek ato të vogla në krahët respektivë. Për të bërë më të kuptueshëm për lexuesin se si ka dalë ky rezultat, do të marrim si shembull qarkun e Beratit. Në këtë qark do të shohim se në maxhoritar koalicioni aktual PS+PSD+PDS ka marrë 28.516 vota. Këto vota, të përpjesëtuara sipas metodës përllogaritëse d'Hont japin 4 mandate. Ndërsa koalicioni i djathtë, PD bashkë me partitë e tjera, kanë marrë në zgjedhjet e 2005-ës, 23.500 vota në këtë qark dhe me sistemin e ri marrin 2 mandate, një më shumë se në zgjedhjet e korrikut 2005. Ndërsa LSI bashkë me PAD, por pa llogaritur votat që mund të sjellë dhe PS '91 me të cilët duket se do të jetë në koalicionin "E majta për Integrim" me 20.504 vota, rezulton të ketë në këtë qark 2 mandate deputetësh. Kujtojmë se rezultati i zgjedhjeve të 2005-ës në qarkun e Beratit PS mori 4 deputetë, PD, 1 dhe LSI, 1 deputet. Nëse do t'i referoheshim zgjedhjeve vendore 2007, dhe do të konvertonim votat e marra nga partitë e përfshira në koalicionet aktuale, të dhënat nuk do të ishin pa surpriza. Mbi bazën e numrit të votave të marra nga koalicionet, PD me të vetët merr në qarkun e Beratit 4 mandate, PS me të vetët 3 mandate dhe 1 mandat LSI.
rezultatet e 2005
PS-PSD-PDS E djathta LSI-PAD
Qarku Shkodër 37.70% 54.80% 5.75%
Qarku Lezhë 36.60% 50.80% 10.12%
Qarku i Kukësit 31.38% 57.70% 9.44%
Qarku i Dibrës 43.33% 49.30% 6.12%
Qarku Durrës 36.13% 56.50% 6%
Qarku Elbasan 47.70% 42.20% 7.82%
Qarku Tiranë 38.91% 49.20% 9.22%
Qarku Fier 42.37% 37.90% 14.45%
Qarku Berat 42.07% 28.80% 26.89%
Qarku Korçë 41.95% 46.60% 8.35%
Qarku Gjirokastër 48.14% 33.60% 8.29%
Qarku Vlorë 43.07% 39.72% 5.95
LSI përcakton maxhorancat qeverisëse
Aristir Lumezi
Mandatet e LSI-së duket se do përcaktojnë maxhorancën qeverisëse pas zgjedhjeve të qershorit të këtij viti.
Ballafaqimi i rezultateve të dy zgjedhjeve të fundit, por dhe përqindja e madhe e elektoratit "gri", atij që ende nuk ka vendosur se ku do të pozicionohet me votë në qershor, i cili shkon në afro 40 për qind, japin një tablo të qartë se ku duhet të fokusohen partitë politike në 5 muajt e fundit para votimit. Por sado që të lëvizin këto balanca, është e qartë se nuk do të kemi maxhoranca dominuese që do të mund të qeverisin vendin pa qenë e nevojshme bashkëqeverisja. Një masë kaq e madhe të pavendosurish, që rezulton nga sondazhet dhe statistikat, të dhëna që janë në tryezat e strategëve politikë dhe elektoralë të partive politike, është ajo që përcakton koalicionin fitues, por jo qeverisës. Një masë kaq e madhe votuesish, që do të vendosë edhe fatin e fituesit, përbën dhe objektivin më të madh elektoral të këtyre zgjedhjeve. Mes kujt do të ndahet kjo pjesë e rëndësishme e elektoratit?, është shqetësimi i partive. Nëse do t'i referohemi pjesëmarrjes në dy zgjedhjet e fundit, korrik 2005 dhe shkurt 2007, tendenca shkon drejt uljes së votuesve. Në zgjedhjet e parlamentare të 2005, në zgjedhje morën pjesë 47.8 për qind e elektoratit, ndërsa në zgjedhjet e shkurtit 2007 për pushtetin vendor, kjo shifër ishte më e ulët, 44 për qind. Kjo tregon se indiferenca ndaj qeverisjes nga dy partitë e mëdha, PS dhe PD vjen në rritje, duke shtuar përqindjen e të pavendosurve apo të indiferentëve ndaj dhënies së votës së tyre. Përpara kësaj situate, e djathta paraqitet më e konsoliduar dhe me shumë pak divergjenca. Ndryshimet kushtetuese i dhanë mundësi Kryeministrit Berisha t'i grumbullojë sërish të vetët, duke i premtuar kryetarëve dhe përfaqësuesve të lartë të partive të tyre vende të sigurta në listat emërore të Partisë Demokratike. Kjo e konsolidon të djathtën të marrë maksimumin e votave brenda një liste. Nga ana tjetër, sistemi proporcional rajonal dhe metoda D'Hondt e përllogaritjes së përqindjeve i japin mundësi të djathtës t'i kthejë në mandate deputetësh edhe votat e pamjaftueshme për mandate që merrte më parë në bastione të majta, siç ishin Fieri, Vlora, Elbasani apo Durrësi. Krejt ndryshe paraqitet situata në të majtë. E majta ndodhet e përçarë, ndërsa gjasat për t'u bashkuar në një koalicion të vetëm duken shumë të largëta. Sikur të mos mjaftonin ndryshimet kushtetuese, të cilat u bënë me konsensus të plotë mes PS-së dhe PD-së, dy partitë miratuan në mungesë transparence Kodin zgjedhor, por dhe ligjin "Për Prokurorinë", duke shmangur një diskutim dhe debat të këtyre ligjeve të rëndësishme brenda partive opozitare. Këmbëngulja e socialistëve për të mos lëvizur nga pozicioni i tyre për sistemin proporcional rajonal, metodën d'Hont të përllogaritjes së mandateve të koalicioneve të përbëra, por dhe metodës Langue për ndarjen e mandateve brenda koalicionit, e sidomos shmangia e LSI nga komisionet zgjedhore të administrimit të zgjedhjeve kanë sjellë një largim të vazhdueshëm mes LSI-së dhe PS-së për të bashkëpunuar para zgjedhjeve të qershorit. Socialistët këmbëngulin në faktin se të gjitha partitë duhet të testohen nga vota e shqiptarëve e pas marrjes së rezultatit të gjejnë pika bashkëpunimi paszgjedhor.