Kartat e kreditit, 70 milionë dollarë është shuma e grabitur
Mbi 61 persona janë arrestuar në disa shtete të Europës pasi akuzohen për prodhimin e kartave të kreditit false. Europol-i ka deklaruar se rrjeti i kontrabandës mendohet se ka vjedhur 70 milionë dollarë nga llogaritë e klientëve në mbarë botën gjatë 9 vjetëve të fundit.
Mashtruesit përdorin një pajisje elektronike për të kopjuar të dhënat nga shiriti manjetik në kartat e kreditit të konsumatorëve. Më pas informacioni përdoret për të vjedhur para nga llogaritë e konsumatorëve.
Në një operacion të përbashkët javën e kaluar të Europol-it, Shërbimit Sekret Amerikan dhe policisë bullgare, 47 persona u ndaluan në Bullgari, 9 në Itali, dy në Spanjë e SHBA dhe një tjetër në Poloni. Rrjeti kishte lidhur me grupe kriminale të Kenias, Afrikës së Jugut dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Europoli ka deklaruar se mund të ketë edhe arrestime të tjera. Shumica e informacioneve të kartave të kreditit janë përdorur në bankomate automatike në disa vende të Evropës.