E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartolina nga ferri

Është kjo bota e shteteve të brishta-një botë që është realitet për një përqindje mjaft të lartë të banorëve të planetit. Një e katërta e popullatës së përgjithshme të botës jeton në 60 shtetet që rreshtohen në mesin e 60 shteteve të para në Indeksin e Shteteve të Dëshuara për vitin 2011.

Kur dëgjoni fjalën “shtet i dështuar”, nëpër kokë ju sillen një varg pamjesh të paimagjinueshme. Ka varfëri, pasiguri dhe mos-respekt për dinjitetin njerëzor. Familjet luftojnë për mbijetesën e tyre, ndërsa regjimet politike luftojnë për të forcuar pushtetin e tyre.

Disa shtete të dobëta janë thjeshtë aspirata gjeografike në hartë, të mbushura me mjerim dhe varfëri. Të tjerat, nëse për asgjë tjetër, janë më të fuqishme se sa duhet. Qytetarët e Zimbabvesë dhe të Sirisë do të jetonin më mirë, po të mos ishin forcat e sigurisë të këtyre shteteve aq të afta për të shtypur protestat.

Është kjo bota e shteteve të brishta-një botë që është realitet për një përqindje mjaft të lartë të banorëve të planetit. Një e katërta e popullatës së përgjithshme të botës jeton në 60 shtetet që rreshtohen në mesin e 60 shteteve të para në Indeksin e Shteteve të Dëshuara për vitin 2011.

Në vendin e parë të shteteve të dështuara rreshtohet Somalia. Nëse flasim relativisht, viti 2011 ka qenë i mbushur përplot lajme të mira për Somalinë, shtetit që i është afruar më së shumti anarkisë në botë. Për dy dekada të tëra, pjesa më e madhe e territorit të këtij shteti në Bririn e Afrikës nuk është qeverisur fare. Qeveria transitore, e njohur nga bashkësia ndërkombëtare, po bën çmos që të ruaj kontrollin në kryeqytetin e vendit, Mogadisho. Tani, pas muajve të tërë të përleshjeve me islamistët, situata duket se ka shënuar një kthesë. Forcat e qeverisë, me mbështetjen e paqeruajtësve nga Unioni i Afrikës, kanë arritur të vendosin nën kontroll një pjesë të madhe të qytetit.

Por Somalia mbetet e zhytur në telashe. Vlerësohet se nga 10 milionë banorë të Somalisë, tre milionë prej tyre kanë nevojë për asistencë humanitare. Somalia e sotme mund të shndërrohet në strehimore të re të Al Qaedës, e cila po arratiset nga Afganistani.

Në vendin e dytë të shteteve më të dështuara të botës renditet Çadi. Në zgjedhjet e 25 prillit, presidenti i këtij vendi, Idriss Deby, u rizgjodh në funksion, me gati 90 për qind të votave. Zgjedhjet ishin të manipuluara dhe pjesëmarrja ishte tejet e ulët. Rezultati nuk ishte pothuajse fare lajm në Afrikën Perëndimore, e as në botë.

Ishte e qartë se kush do të humbte: populli i Çadit. Që nga ngritja e Debys në pushtet, Çadi zbuloi naftën dhe vëzhgoi përparimin në vendet tjera të Afrikës. Por në këtë vend nuk ka pasur pothuajse fare përparim. Vetëm 23 për qind e banorëve në qendrat urbane kanë qasje në ujë të pastër, e për qendrat rurale as të mos flasim.

Pas Çadit rreshtohet Sudani, i cili po kalon nëpër një shkurorëzim të dhimbshëm. Në janar, jugu i vendit votoi për shkëputje nga veriu-opsion ky i cili u bë i mundshëm, pas arritjes së marrëveshjes për përfundimin e luftës qytetare në vitin 2005. Referendumi rodhi pa probleme, pjesërisht falë trysnisë së madhe ndërkombëtare ndaj Khartoumit. Por duke filluar nga pranvera, gjërat shkuan në kahun e padëshiruar. Khartoumi dhe Juba, kryeqyteti i Sudanit të Jugut, nuk arritën marrëveshjen për kufijtë. Tani në horizont po duket sërish skenari më i keq për Sudan-kthimi në luftën qytetare.

Në vendin e katërt rreshtohet Republika Demokratike e Kongos, shtet ky i cili njëkohësisht është si një prej shteteve më të pasura me minerale në botë, por edhe një prej shteteve më të pazhvilluara. Në lindjen e egër të vendit, ku edhe gjendet pjesa më e madhe e mineraleve, njësitë e armatosura po terrorizojnë popullatën e varfër. Në këtë vend ekziston pothuajse një epidemi e dhunimeve, pasi që për çdo orë në këtë shtet dhunohen mesatarisht nga 48 femra.

Një seri e fatkeqësive bënë që këtë vit edhe Haiti të rreshtohet në vendin e pestë të shteteve të dështuara. Tërmeti në janar të vitit 2010 e bëri Haitin rrafsh me tokë, me ç’rast humbën jetën me dhjetëra mijëra njerëz. Me miliarda dollarë në emër të ndihmave, të cilat ju premtuan Haitit, rrodhën shumë ngadalë.

Në mars të këtij viti, kryetar i ri i Haitit u zgjodh këngëtari i njohur, Michel Martelly, i cili do të përballet me sfida të mëdha, pasi që mbi një milionë banorë të Haitit ende jetojnë nëpër tenda, pas tërmetit që goditi këtë vend.

Vërtetë mund të thuhet se nëse njeriu viziton këto shtete dhe bën fotografi, për t’ia dërguar të afërmve diku nëpër shtetet e zhvilluara të botës, atëherë këto fotografi do t’i ngjasojnë pa mëdyshje kartolinave dërguar nga ndonjë skutë e ferrit.

Krahas shteteve të lartpërmendura, në Indeksin e Shteteve të Dështuara të botës 2011 rreshtohen edhe Zimbabveja, Afganistani, Republika Qendrore e Afrikës, Iraku, Bregu i Fildishtë, Guinea, Pakistani, etj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›