E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karzai kritikon vëzhguesit e BE-së

Karzai reagoi me indinjatë ndaj një deklarate ku ata shprehën dyshime për rreth një të katërtën e votave të hedhura në zgjedhjet presidenciale të vendit.

Presidenti tha se vëzhguesit e BE-së ishin treguar të njëanshëm dhe të papërgjegjshëm duke i përshkruar si të dyshimta rreth 1.5 milionë vota.

Zyrtarët afganë thonë se me numërimin e të gjitha votave, Karzai ka marrë rreth 55 për qind të tyre, ndërkohë që rivali i tij më i afërt, Abdullah Abdullah, 28 %.
Proces i gjatë

Korrespondenti i BBC-së në Kabul, Martin Patience, thotë se edhe pse numërimi i votave mund të ketë përfunduar, fundi i këtyre zgjedhjeve duket ende largët.

Sipas rezultateve paraprake, presidenti Karzai kryesonte në mënyrë bindëse, por tani fillon puna për gjetjen e votave të manipuluara, proces ky që do të zgjasë me javë. Komisioni Elektoral për Ankesa thotë se po fokusohet në votat e 10 për qind të qendrave të votimit në mbarë vendin.

Bazuar në rezultatet paraprake, presidenti Karzai duket se nuk do të përballet me një raund të dytë, pasi jozyrtarisht ka marrë shumicën e duhur që në raundin e parë.

Por nëse përqindja e votës së tij zbret poshtë 50 përqindëshit, ai do të përballet në një raund të dytë me konkurrentin e tij më të afërt, Dr. Abdullah.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›