E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasat fiskale, ndryshon skema e stalimit

Afatet dhe kush duhet të pajisjet. Financat: Rishikim kontratave me 5 shoqëritë

Ndryshon tërësisht skema e vendosjes së kasave fiskale, përfshi dhe masat e sigurisë për ndërhyrjet në to. Një vendim i marrë nga Ministria e Financave vë me shpatulla pas muri shoqëritë e autorizuara për vendosjen e kasave fiskale, të cilat kishin nisur të shisnin pajisje që nuk përputheshin me standardet e kërkuara. VKM-ja përmban disa pika, ku më të rëndësishmet janë sektorët që nuk duhet të pajisen me kasa, afati i vendosjes së tyre, si edhe rishikimi i kontratave me shoqëritë aktuale të vendosjes së kasave fiskale. Pas konstatimit në terren të shumë shkeljeve sa i takon pajisjes, mosrespektimit të afatit, e deri në shenja të sabotimit të të dhënave në memorien fiskale, ministria e pa të udhës të rishikonte të gjithë skemën, duke e përforcuar akoma e më tej kontrollim e implementimit të procesit.

Afatet dhe pajisja

Shumë biznese të ndryshme ankohen për mosrespektimin e afatit nga ana e shoqërive të vendosjes së kasave fiskale, edhe pse kontrata dhe paratë janë likuiduar me kohë. Ndërsa vetë shoqëritë e justifikojnë vonesën me volumin e punës, si dhe me faktin që biznesi kujtohet për pajisjen në ditët e fundit të skadimit të afatit ligjor. Megjithatë, për të vënë rregull në procesin e pajisjes së kasës, Ministria e Financave përcakton me vendim të qeverisë se pas nënshkrimit të kontratës mes biznesit dhe shoqërisë së autorizuar, kasa dhe sistemi fiskal duhet të vendoset në punë brenda 15 ditëve. Ky afat sot shkon deri në një muaj, për shkak edhe të specifikave teknike, por edhe të kasës, që vjen e importuar nga jashtë. Tjetër kusht është kontrolli i pajisjes, që biznesi duhet ta bëjë detyrimisht një herë çdo 6 muaj. Sa i takon memories fiskale që biznesi duhet ta ketë me shumë kujdes, funksioni i saj kryhet edhe në rastet kur mungon energjia elektrike, ndërsa informacioni i hedhur mbi të nuk mund të fshihet apo ndryshohet, por vetëm të shkruhet apo të lexohet. Memoria fiskale duhet të memorizojë të dhënat e regjistruara për një periudhë minimale kohore 5-vjeçare, ndërsa kapaciteti i memories duhet të sigurojë minimalisht ruajtjen e 1800 raportimeve ditore fiskale. Të tjera detaje nga VKM-ja lidhen me ngarkesën e memories fiskale, e cila nëse mbushet plot, nuk duhen të kryhen më veprime të xhiros së biznesit, por zëvendësohet në prani të shoqërisë së autorizuar.

Kuponi tatimor

Nisur nga fusha e aktivitetit dhe vendndodhja e biznesit, Ministria e Financave përcakton me këtë rast kategoritë që nuk duhen të lëshojnë kupon tatimor. Me VKM-në e fundit, datë 17 shkurt 2010, bizneset që paguajnë tatime mbi të ardhurat nga kryerja e veprimeve për shuma të vogla të të ardhurave neto, me përjashtim të shoferëve të taksive, nuk do të lëshojnë kupon tatimor, sikurse dhe personat që nuk janë tregtarë dhe e realizojnë qarkullimin e produkteve bujqësore dhe të papërpunuara mbi tezga, në tregjet e organizuara, si dhe jashtë merkatove. Përjashtohen nga lëshimi i kuponit edhe kategoria e atyre individëve që japin me qira mjedise biznesi, si dhe ato aktivitete biznesi që ushtrohen në zona të larta malore, me popullim më pak se 300 banorë dhe që janë të ndryshme nga vendet turistike. Një tjetër pikë e vendimit specifikon subjektet që nuk mund të pajisen me kasë fiskale, që janë ambulantët dhe shërbimi i transportit.

Rishikimi i kontratave

Pasi kanë kaluar rreth dy vjet nga dhënia e autorizimit ndaj 5 shoqërive për vendosjen e kasave fiskale, Ministria e Financave e shikon të udhës rishikimin e kontratave. Masa e re vjen pas konstatimit të mosrespektimit të vendimeve të qeverisë për të pasur një proces korrekt të vendosjes së kasave fiskale. “Brenda një periudhe kohore 1-mujore, shoqëritë e autorizuara janë të detyruara të verifikojnë procesin e certifikimit të pajisjeve, të sistemeve fiskale dhe të mënyrës së lidhjes të zbatuara, të cilat nuk janë të pajisura me autorizimin lëshuar nga komisioni i Ministrisë së Financave. Në rast se konstatohen abuzime, brenda 4 muajve shoqëritë duhet të ndërrojnë pajisjet, duke marrë përsipër shpenzimet, e nëse refuzojnë, rimbursimin e biznesit e merr përsipër Ministria e Financave”, thuhet në vendim. Brenda muajit të parë pas hyrjes në fuqi të VKM-së, ministria duhet të rishikojë kontratat me shoqëritë, me qëllim pasqyrimin e kushteve të reja. Në rast se shoqëritë nuk i pranojnë kushtet e reja (një pjesë e të cilave u cituan më lart), atëherë Ministria e Financave u heq të drejtën e vendosjes së kasave fiskale.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›