Gabriella Mafara: Talentet lirike në Shqipëri, të pakultivuar
Gjithnjë e shtyn kureshtja ta vizitojë Shqipërinë dhe të jetë pjesë e veprimtarive të reja kulturore që organizohen në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Gabriella Mafara prej vitesh jeton e punon në Austri. Mafara, e cila drejton një agjenci për zbulimin e talenteve të reja operistike dhe promovimin e tyre në skenat botërore, së fundmi është kthyer në Tiranë për të ndjekur operën “Rigoletto”, vënë në skenë me regji të Nicola Zorzit. Fakti që nuk kishte të bënte me operën tradicionale, dhe që në skenën shqiptare do të vinte moderne, jashtë kornizave të zakonshme, e bëri akoma edhe më kureshtare atë. Por nuk është vetëm kjo arsyeja. Gabriella ka marrë pjesë edhe për të ndjekur nga afër interpretimin e Eva Golemit në rolin e Xhildës. Ajo është një nga artistet shqiptare, karriera e së cilës i intereson tepër agjentes. Por jo vetëm sopranoja Golemi është në vëmendjen e saj, të tjerë talente të rinj ka zbuluar në skenën shqiptare Gabriella.
Gabriella, në skenën e Teatrit të Operës së Tiranës, kësaj here keni parë një “Rigoletto” jashtë tradicionales, me një regji e skenografi moderne. Cilat ishin përshtypjet tuaja?
Të them të vërtetën u habita. Unë për herë të parë në skenën e TKOB kam parë “Falstafin”. Atëherë unë pashë një regji shumë tradicionale. Por kësaj radhe u habita, sepse kur fola me maestro Cikon, ai më tha se ky “Rigoletto” do të jetë një vënie në skenë krejtësisht e re. Kjo më bëri kureshtare. Ishte një spektakël që më pëlqeu shumë, sepse funksiononte mjaft mirë dhe pashë që edhe publiku reagoi po kaq mirë.
çfarë kishte të veçantë regjia dhe skenografia moderne e “Rigoletto”-s?
Them se para së gjithash ndihej që regjisori me skenografen kishin punuar më së miri bashkë. Ishte një skenë e zhveshur nga elementet e tepërta, nuk kishte asgjë nga ato që dikush pret nga një vepër si “Rigoletto”. Ndërkaq unë kisha dëgjuar që ky regjisor kishte qenë nxënës dhe ndihmësregjisor i Franco Zeffirelli-t, që bën gjithnjë vepra shumë klasike, tradicionale dhe madhështore. Për këtë arsye një regji moderne nga një që kishte qenë nxënës i këtij regjisori, më bëri akoma më shumë kureshtare. Dhe pashë në skenë vënien e një opere që nuk kishte të bënte aspak me Zeffirelli-n. Kishte shumë pak detaje, por të zhvilluara shumë mirë. Edhe prania e disa kafazeve aty më jepte ndjesinë e kësaj vajze, të cilën i ati e mbante të mbyllur prej faktit se donte ta mbronte dhe ndihej aty edhe dëshira e saj për t’ia mbathur e për t’u larguar, dëshirë që e çon drejt vdekjes në fund.
Sipas jush, është mirë që një vepër operistike të vijë jashtë tradicionales?
Unë jetoj në Vjenë, udhëtoj shumë dhe kam parë shumë opera. Shpesh bëj diferencën mes tradicionales dhe klasikes. Ka nga ata që kanë shije për të parën dhe të tjerë për të dytën. Për shembull, për mua një regjisor shumë klasik është Pierluigi Pizzi, që realizon regji shumë imponuese, si dhe nga ata që janë tradicionalë dhe që realizojnë regji që mbështeten në çdo detaj te përshkrimet që gjenden në libret. Por nga ana tjetër, në Vjenë ekziston edhe teatri i regjisë, ku historia kthehet përmbys. Sot ka shumë polemika mbi këtë mënyrë të punuari, sepse përmbysja e një historie të njohur dhe ambientimi i saj në një tjetër epokë duhet të vijë në mënyrë natyrale dhe të komunikojë me publikun. Nuk jam dakord kur publiku nuk arrin më të kuptojë çfarë po ndodh në skenë dhe krijon në mendjen e tij një histori krejtësisht tjetër nga e vërteta. Kohët e fundit kam parë “Trovatoren” në këtë version të ndryshëm. Për mua ishte shumë i shëmtuar, një katastrofë. Nuk arrija ta ndiqja muzikën dhe nuk kuptoja çfarë lidhje kishte ajo që bënin në skenë artistët, me atë që këndonin. Kishte shumë konfuzion. Por te “Rigoletto” që u vu në skenë në Tiranë, pavarësisht atyre pak elementëve që kishte në skenë, arrije të ndiqje ngjarjen dhe të kishe në të njëjtën kohë vëmendjen e publikut te këngëtarët në skenë. Ishte një punë e kryer mirë.
Duke qenë se përmendët këngëtarët, si ju dukën ata në skenë?
Unë erdha në Tiranë sepse ndjek nga afër karrierën e Eva Golemit. Për herë të parë dëgjova për sopranon kur interpretoi “Normën” në teatrin komunal të Bolonjës. Më kishin thënë që duhet ta dëgjoja në interpretim. Bota e operës është shumë e vogël kur bëhet fjalë për talente dhe zërat qarkullojnë shumë shpejt. E dëgjova dhe m’u duk një zë shumë interesant dhe një fytyrë ashtu siç pretendon ta ketë një divë e operës. Më pas erdha në Tiranë për “Falstafin”, ku interpretonte edhe Eva, sepse doja ta dëgjoja sërish. I bëra një audicion dhe zëri i saj m’u duk shumë interesant. Unë nuk mendoja se ajo do të mund ta interpretonte mirë Xhildën. Përveçse doja të shikoja këtë regji moderne në Tiranë, doja të dëgjoja edhe Evën tek interpretonte këtë personazh. M’u duk impresionuese dhe shumë e zonja. Ajo solli një Xhildë më lirike dhe më pëlqeu mënyra si i dha frymë këtij roli. Pastaj m’u duk shumë i mirë edhe baritoni. Unë mendoj se zërat shqiptarë janë shumë interesantë. Keni edhe shumë këngëtarë jashtë Shqipërisë që janë bërë të famshëm, si Saimir Pirgu etj. Unë jam një agjente, kam një listë artistësh që mundohem t’i shes në të gjithë botën. Por unë nuk interesohem vetëm për tregun artistik, më pëlqen edhe të punoj me ta, të bëjmë konsulta dhe të zbuloj talente të reja. T’i zbuloj dhe t’i ndjek gjatë rrugëtimit të tyre, t’i ndihmoj të bëjnë zgjedhjet e duhura për karrierën.
A është e vështirë t’i ndiqni këto talente?
Varet. Unë mendoj se në Shqipëri ka shumë talente dhe për vendin tuaj do të ishte shumë e rëndësishme që të krijoni lidhje për t’u dhënë një udhë atyre. Teksa ndiqja “Falstafin”, më goditi një i ri që quhet Armando Likaj. Ai kishte një zë që mbushte skenën. Pasi e pashë, i kërkova një audicion. Por ajo që unë kam vënë re këtu është se ndoshta mungojnë mësuesit. Sipas meje ju keni një material shumë të rëndësishëm mbi të cilin duhet punuar. është e rëndësishme që ata të përpunohen këtu, të dalin jashtë dhe të rikthehen sërish në Shqipëri për të sjellë eksperiencën e përftuar tej kufijve. Ndaj them që emra të mëdhenj si Inva Mula, Saimir Pirgu etj., duhet të kthehen herë pas here në Shqipëri për t’u dhënë një shembull më të rinjve. E rëndësishme është që ata të kenë këtu një bazë mbështetëse, karrierën më pas e realizon ngado. Një këngëtar, për t’u bërë i madh, duhet të dalë jashtë, që të kthehet sërish në vend.
Ka paragjykime për një këngëtar që vjen nga një vend i vogël si Shqipëria?
Absolutisht jo, përkundrazi, kur flitet për Shqipërinë, thuhet se ka gjithnjë zëra shumë të bukur. Ju konsideroheni si një vend plot me talente, thuhet edhe se instrumentistët shqiptarë janë shumë të zotë. E kundërta ndodh në Vjenë, ku ka shumë shkolla, por jo talente. Vjenezët i kanë të gjitha mundësitë për t’u bërë të mëdhenj, por nuk bëhen. Ndryshe ndodh me artistët shqiptarë. Mjafton të përmend Saimir Pirgun, një shqiptar që kur shkoi në Vjenë, nuk kishte asgjë dhe u bë i madh. Ndaj vullneti është ai që të çel të gjitha dyert.
Te ky “Rigoletto” spikatët ndonjë talent?
Më bëri shumë përshtypje zëri i mexosopranos, ka zë shumë interesant. Njësoj edhe tenori Armaldo Kllogjri. Janë zëra të bukur, por që duhet të studiojnë akoma më shumë.
#