E Diel, 1 Nëntor 2026

Kasmi: Reforma në drejtësi për një sistem bashkëkohor

TIRANË- Grupi Sektorial i Punës (GSP) Qeveri-Donator për Reformën në Drejtësi zhvilloi sot takimin e parë në Ministrinë e Drejtësisë.

Takimi ka për qëllim koordinimin e masave konkrete ne zbatim të strategjisë kombëtare për zhvillim dhe integrim, strategjisë sektoriale të drejtësisë, si dhe prezantimin e politikave kryesore të sektorit.
Sipas njoftimit për shtyp të ministrisë së Drejtësisë, në takimin e kryesuar nga zv/ministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi, ishin të ftuar të gjithë donatorët e sektorit, aktorët e sistemit te drejtësisë, kryetarët e gjykatave përfaqësues të tjerë të sistemit të drejtësisë në vend dhe përfaqësues te shoqërisë civile.
Zv/ministrja Kasmi tha në fjalën e saj se Qeveria shqiptare, në kuadrin e reformës në sistemin e drejtësisë dhe forcimit të shtetit të së drejtës, ka si qëllim dhe objektiv final krijimin e një sistemi drejtësie bashkëkohor.
"Qeveria synon krijimin e nje sistemi drejtesie të aftë të sigurojë garantimin e pavarësisë, përgjegjshmërisë, ndershmërisë dhe efektivitetit të drejtësisë shqiptare, të respektojë parimet e procedimit të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor, duke mbrojtur të drejtat, interesat dhe liritë e ligjshme të njeriut, të kontribuoje në administrimin e drejtësisë penale, të zgjidhë mosmarrëveshjet në mënyrë efektive dhe të drejtë si dhe të implementojë acquis communautaire dhe të pasqyrojë standardet e Bashkimit Evropian në fushën e drejtësisë", tha Kasmi.

Gjithashtu, në kuadër të krijimit të një sistemi drejtësie bashkëkohor, Qeveria shqiptare synon rritjen e cilësisë në dhënien e drejtësisë si shërbim ndaj qytetarëve dhe forcimin e shtetit ligjor nëpërmjet formimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve me integritet, aftësi dhe cilësi të larta profesionale dhe etike. Ky objektiv përcakton si prioritet rritjen e aksesit në drejtësi, rritjen e profesionalizmit të aktorëve kryesorë të sistemit të drejtësisë përmes një programi trajnimi të niveleve bashkëkohore dhe standarteve evropiane dhe përmirësimit të sistemit të drejtësisë shqiptare, duke siguruar një trajnim profesional pas universitar për gjyqtarë dhe prokurorë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›