E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaso: Dhunë disproporcionale ndaj studentëve; Xhafaj: Nuk duhet të përkrahet dhuna ndaj institucioneve

TIRANË, 14 tetor/ATSH-Maela Marini/ Zhvillimet e dhunshme në protestën e djeshme të studentëve para Ministrisë së Arsimit u bënë objekt i diskutimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.

Në fillim të mbledhjes deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso kërkoi që të thirret në komision ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo për të dhënë shpjegime se kush urdhëroi dhunën ndaj studentëve dhe si do të përballet Policia e Shtetit me protestat e paralajmëruara në vijim.

Kaso theksoi se dje “për fat të keq kemi asistuar në skena që kujtojnë protestat studentore të viteve ‘90”.

“Madje dhe atëherë kur u përmbys një regjim, dhuna e ushtruar ndaj studentëve nuk ka qenë kaq disproporcionale dhe kaq e egër me qëllim që t’i frikësojnë që mos të ngrihen, jo vetëm t’i dhunojnë”, tha Kaso.

Kaso kujtoi rastet e dhunës ndaj studentëve, ndërsa u shpreh se edhe pse është i qartë për misionin e Policisë së Shtetit në mbrojtje të institucioneve, nga ana tjetër misioni kryesor i saj është mbrojtja e jetës së qytetarëve.

“Nuk mund të mbivendoset ky mision kaq i rëndësishëm i Policisë së Shtetit, me misionin tjetër për të ruajtur fasadën e disa institucioneve”, tha Kaso, ndërsa theksoi se komisioni duhet të kërkojë përgjegjësitë politike të urdhëruesve të dhunës ndaj studentëve.

Në përgjigje të kësaj kërkese, kryetari i komisionit, deputeti socialist Fatmir Xhafaj u shpreh se protesta është e drejtë kushtetuese dhe bën pjesë në rrethin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Por sipas tij e qasje është edhe për faktin që protesta e dhunshme është e dënueshme dhe dhuna e çdo lloji nuk mund të tolerohet.

“Është e vërtetë që mund të ketë raste të tejkalimit të përdorimit të forcës nga policia dhe kjo është e papranueshme. Policia e Shtetit ka pezulluar oficerët e policisë dhe ka nisur një hetim të brendshëm  administrativ edhe sipas ligjit të Policisë për të hetuar përgjegjësit. Natyrisht ky fakt duhet të shërbejë për një sjellje më profesionale të punonjësve të policisë”, tha Xhafaj.

Por nga ana tjetër, ai kujtoi se në mbi 100 ditë protesta në Tiranë sjellja e shtetit dhe e policisë ka qenë shumë korrekte.

“Është respektuar liria e protestës. Unë kam qenë vetë protestues dhe e kam provuar mbi kurriz edhe kundërshtimin dhe forcën e policisë. Por nuk mund të pranojë që janë vrarë katër njerëz në një protestë të lirë qytetare. Këtë nuk e kam pranuar dhe nuk do ta pranoj kurrë tërë jetën time”, tha Xhafaj.

Xhafaj theksoi se ashtu siç duhet të mbrohet fort e drejta e lirisë së protestës, nuk duhet të mbrohet dhe përkrahet dhuna ndaj institucioneve dhe Policisë. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›