Koçiu: Vetëm dy nga të arrestuarit në protestë ishin të rinj, dhunë e orkestruar në kurriz të së ardhmes së vendit

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu reagoi sot ndaj akteve të dhunës në protestat e organizuara para Ministrisë së Arsimit, të cilat i theksoi si një dhunë të orkestruar që luhet në kurriz të rinisë dhe të ardhmes së këtij vendi.
Koçiu bëri të ditur se nga 16 të arrestuarit për dhunën dhe shkatërrimin e ditës së djeshme, vetëm dy individë janë të moshës 23 dhe 27 vjeç.
“Po 14 të tjerët çfarë janë? Janë ‘studentë’, burra nga 50 vjeç, pjesë e asaj lukunie rrugëhumburish që shfaqen në çdo protestë për të ushqyer kaosin, të cilëve nuk u dhemb asnjë auditor, por vetëm ecuria e këtij vendi”, shtoi ajo.
Sipas Koçiut, protesta është një e drejtë legjitime, por ajo nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën, shkatërrimin e qytetit apo përleshjet e shëmtuara në mes të rrugës.
Ndaj, zv/kryeministrja u bëri thirrje studentëve dhe çdo qytetari të ndershëm që beson te e drejta për të protestuar, që të distancohet nga dhuna dhe aktet vandale.
“Distancohuni nga ata që duan ta kthejnë protestën në instrument të kaosit në emër të interesave politike që nuk kanë asgjë të përbashkët me interesat dhe të ardhmen tuaj”, ishte apeli i Koçiut.
Nga ana tjetër, Koçiu theksoi se Policia e Shtetit duhet të garantojë rendin dhe sigurinë me profesionalizëm, maturi dhe kujdes, duke zbatuar ligjin dhe duke garantuar të drejtën e çdo qytetari për protestë paqësore.
1 nga 3/m.m/j.p/