E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kastrati: KFOR e EULX po përdorin standarde të dyfishta

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati ka shprehur shqetësimin e fillimi i ndërtimit të dy objekteve për banim në lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës nga strukturat ilegale serbe.

Ai i ka kritikuar EULEX-in dhe KFOR-in se nuk po i pengojnë këto ndërtime, duke thënë se këta mekanizma po përdorin standarde të dyfishta sa iu përket ndërtimeve të shtëpive në pjesën veriore.

Në një intervistë për “Epokën e re”, ai ka thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë ndaj këtyre ndërtimeve ashtu siç po reagon ndaj ndërtimeve të shtëpive të shqiptarëve në këtë pjesë.

Kastrati i ka ftuar të gjithë mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë ta marrin situatën në kontroll dhe të verifikojnë se kush do të vendoset në ato ndërtesa. “Ne çdoherë kur po ndërtojmë në pjesën verore po e justifikojmë ndërtimin me dokumente përkatëse, se e kujt është shtëpia dhe po argumentojmë se ata banorë janë të pjesës veriore qysh prej paraluftës. Një gjë të tillë mendoj se duhet ta bëjë edhe kjo pjesa tjetër në veri, prandaj KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës kanë përgjegjësi ta kontrollojnë ndërtimin dhe duhet të dimë se kush janë ata që do të vendosen në ato ndërtesa”, ka thënë Kastrati.

Ai i ka ftuar institucionet të jenë vigjilente, sidomos tash para mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Sipas tij, në këto ndërtesa mund të vendosen qytetarë që nuk janë banorë të Republikës së Kosovës. “Nuk kam informacione të plota sepse nuk kemi ndonjë bashkëpunim me pjesën veriore. Por, shqetësimi është se këto ndërtesa do të shfrytëzohen ndoshta nga qytetarët, por ata mund të jenë qytetarë të cilët nuk janë banorë të Republikës së Kosovës dhe ata si të tillë mund të vijnë për të sjellë ndonjë problem eventual”, është shprehur.

Ndër të tjera, ai ka thënë se arritja e marrëveshjes në Bruksel ka ndikuar shumë në fillimin e integrimit të pjesës veriore. Sipas tij, askush nuk ka mundur të besojë se kaq shpejt do të shkonin rrjedhat në kahe pozitive. Mirëpo, ai ka shtuar se ndërtimet e fundit në Lagjen e Boshnjakëve mund të bëhen peng për integrimin e kësaj pjese. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›