E Diel, 1 Nëntor 2026

Si shteti i mohon pensionin 65 vjeçarit invalid

Speciale Njerëz në Udhëkryq

LUMTURI MURATIRubrika më e re e bazuar në histori njerëzore do të vazhdojë ashtu si çdo javë në Tirana Observer. Personazhe reale që ndihen të pashpresë, që kanë provuar mbi vete, varfërinë ekstreme padrejtësinë, apo dhunën do të rrëfejnë përmes faqeve të gazetës tonë, historitë e tyre, apo fatin me të cilin këta njerëz janë të destinuar të jetojnë. Nuk janë filma as telenovela, por histori të vërteta që fare mirë mund të shërbenin edhe si skenarë kinemaje. Dhunë, varfëri, diskriminim… të harruar nga institucionet, apo të rrënuar nga sëmundjet e nga fati i tyre, janë këto fenomene që plagosin dhe vrasin çdo ditë ata që jetojnë pranë nesh. Sot ishte dikush që se njihnim, por nesër mund të jemi vetë ne pre, apo viktimat e radhës. Qëllimi jonë edhe pse vetëm i shkruar është një sensibilizim drejtuar shoqërisë që hesht para fenomeneve të tilla. Ndërsa përmes rrëfimit të personazheve të ndryshëm, qofshin vajza, djem, gra, burra, fëmijë apo të moshuar të lënë në harresë një apel i fortë i shkon institucioneve përgjegjëse që të marrin masa dhe të forcojnë ligjin kundër ndodhive negative që herë pas herë na bëjnë të lotojmë e të trishtohemi. Janë këto fenomene të rrezikshme që çdo ditë e më shumë po deformojnë shoqërinë shqiptare…Nëse edhe ju keni një histori për të treguar, tuajën apo të të afërmve tuaj, ngrijeni zërin; denonconi, ka ardhur koha të luftojmë me çdo armë fenomenet e dhunës, të varfërisë, e në këtë rast fuqia e vetme që ne kemi është fjala. Le të shprehim gjithçka negative që ndodh në jetën tonë. Kjo thirrje i drejtohet sidomos çdo gruaje, çdo vajze, çdo nëne që duron vuajtjet, nga surprizat e hidhura që sjell jeta. Historia e radhës i përket një gruaje e cila prej disa vitesh kujdeset e vetme për bashkëshortin invalid, dikur një oficer kapiten anijeje, që ka punuar për më shumë se 30 vite dhe që jetën e tij ja kushtoi detit, por sot orvatet për pensionin e tij të pleqërisë në dyert e Institutit të Sigurimeve Shoqërore pasi masa e pensionit është llogaritur gabim. Gjatë rrëfimit të saj, Lumturi Murati i bën një apel njerëzor specialistëve të ISSH-së për të shqyrtuar sërish dosjen e pensionin të bashkëshortit, pasi ish kolegët e tij, marrin pension të plotë, ndërsa burri i saj invalid nuk merr as gjysmën e kësaj shume. Sipas 60 vjeçares, bashkëshorti Daut Murati duhet patjetër të operohet për të hequr hekurat që ka në një prej këmbëve, por pamundësia financiare ka qenë pengesë deri më tani. Apeli i kësaj gruaje i shkon institucioneve shtetërore, që ta ndihmojnë për ti siguruar pensionin e plotë të bashkëshortit që me këto para ai të mund të kryejë ndërhyrjen kirurgjikale, e të jetojë i qetë. Nëse edhe ju keni një histori të njëjtë merrni guximin! Denonconi edhe ju diskriminimin apo varfërinë me të cilën përballeni çdo ditë të jetës tuaj. Ju mirëpresim në tiranaobserver@gmail.com. Ju mirëpresim

 Historia e 65 vjeçarit invalid, që punoi 30 vite si kapiten anijeje

 Kërkoj ndihmë, ISSH ka llogariturgabim pensionin e bashkëshortit

 Lumturi Murati 60 vjeçarja që prej disa vitesh sorollatet dyerve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, duke shpresuar për drejtësi, rrëfen për gazetën se bashkëshorti i saj dikur një kapiten anijeje, i dëmtuar në detyrë, përfiton një pension qesharak që nuk i tepron as për të blerë gjysmën e medikamenteve që ai përdor. Llogaritja gabim e viteve të punës që më pas është konvertuar në vlerën e parave që duhet të përfitojë një invalid, ka bërë që Daut Murati të përfitojë vetëm 130 mijë lekë (të vjetër) si pension nga ISSH. 60 vjeçarja tregon se përveç llogaritjes gabim të pensionit, Daut Muratit që ka punuar për 30 vjet si Oficer kuverte, nuk i njihen vitet e ushtrisë, dhe masa e përfituar e pensionit është thuajse e përgjysmuar. Sipas 60 vjeçares kolegët e Dautit që kanë qenë me të në detyrë, përfitojnë një pension të plotë prej 300 mijë lekësh( të vjetër). Qytetarja Murati në lidhje me këtë problem, i bën apel ISSSH-së që ta rishqyrtojë dosjen e bashkëshortit të saj pasi familja ndodhet në kushte të vështira ekonomike dhe përveç pensionit kjo familje nuk ka asnjë të ardhur tjetër financiare.

 Si quheni dhe çfarë problemi keni me pensionin e bashkëshortit tuaj?

 Prej tre vitesh sorollatem nga specialistët e Institutit të Sigurimeve për shkak të llogaritjes gabim që më kanë bërë për pensionin e bashkëshortit invalid. Emri im është Lumturi Murati, jam 60 vjeçe jetoj me vajzën dhe me bashkëshortin tim Daut Murati i cili ka punuar për 30 vjet si Oficer Kuverte në Portin e Durrësit dhe sipas ligjit kjo punë që ka kryer hyn tek profesionet e vështira. Bashkëshorti im i ka mbushur 65 vjeç përpara një viti e gjysmë, dhe ka dalë në pension. Gjatë kësaj kohe kemi dërguar dosjen me dokumente tek Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe atje na thanë se duhet të prisnim rreth një muaj. Pas një muaji kur kishte kaluar afati, kam shkuar përsëri tek zyrat për tu interesuar se përse po vononte dalja e pensionit dhe atje disa punonjëse më thanë se dosja ishte ende në shqyrtim. Këto punonjëse më treguan gjithashtu se masa e pensionit që përfitonte bashkëshorti im ishte 300 mijë lekë( të vjetër) për shkak të profesionit të vështirë. Më pas pensioni i doli 130 mijë lekë(të vjetër) dhe kjo gjë është e turpshme dhe e papranueshme. Nga ISSH bashkëshortit tim nuk i janë njohur vitet që ka kryer në Ushtri, dhe pensioni i tij është llogaritur gabim. Shkelja e tretë ka të bëjë edhe me mosdhënien e pensionit të invaliditetit pasi ai ka katër hekura në këmbë dhe ka qenë disa herë i shtruar në spitalin Ushtarak.(disponojmë raporte dhe analiza mjekësore të kryera pranë Spitalit Ushtarak gjatë kohës së shtrimit)

A keni ndonjë burim tjetër të ardhurash përveç pensionit të bashkëshortit?

 Jetojmë në kushte shumë të vështira, bashkëshorti është invalid, vajza është e papunë unë jam operuar dy herë në spitalin Onkologjik dhe jetojmë vetëm me të ardhurat e pensionit prej 130 mijë lekësh që merr im shoq ndaj edhe bëj apel që të rishihet nga ISSH dosja e pensionit. Jemi shumë të indinjuar familjarisht për masën e pensionit që ka përfituar bashkëshorti im pasi kjo nuk është e drejtë dhe janë bërë disa shkelje. Është qesharake të mendosh se si mund të krahasohen 30 vite pune me 130 mijë lekë, kaq pension nuk e merr asnjë pensionist në fshat, ndaj i bëj thirrje Institutit të Sigurimeve Shoqërore ta rishohë dosjen e tim shoqi sepse na është bërë një padrejtësi.

 

Cfarë profesioni ka pasur bashkëshorti juaj dhe kur është aksidentuar në punë?

Bashkëshorti im ka punuar për 30 vjet në Flotën Detare, ka kryer studimet në Shkollën Ushtarake të Oficerëve dhe ka diplomë si Oficer kuverte. Ka jetuar thuajse pjesën më të madhe në det duke më lënë mua dhe vajzat në shtëpi vetëm. Por gjithë ai mundim i ka shkuar dëm, pasi tani përfiton vetëm 130 mijë lekë. Bashkëshorti im ka vuajtur jashtë mase në punë, aq sa edhe u aksidentua, tani ka katër hekura në të dyja këmbët dhe me zor lëviz, mjekët i kanë thënë që duhet të operohet medoemos, por me këto të ardhura që ne kemi është e pamundur ti blej ilaçet e plota dhe jo më, të operohet. Është aksidentuar në vitin 1991 dhe atëherë ka pasur një frakturë të vështirë. Më pas brenda një viti ka pësuar edhe tre fraktura të tjera. I drejtohem edhe njëherë ISSH-së ta shqyrtojë sërish çështjen e pensionit të bashkëshortit tim, pasi jemi familje në nevojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›